Hidromorava

Në gjykimin ndaj Arifit e Hajdarit propozohen dëshmitarë të tjerë

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Kryetari i trupit gjykues Hasan Sadiku tha për rajonipress se në gjykimin ndaj Nexhmedin Arifit dhe Kabil Hajdarit prokurori i rastit Shaban Spahiu ka propozuar dëshmitarët Refik Ahmeti nga BPB, Xhelal Hoxha nga kompania “Univerzal”, Enver Sylejmani dhe Fahredin Sylaj nga ATK.

Gjykimi ndaj Nexhmedin Arifit kryetar i Vitisë dhe Kabil Hajdarit ish drejtor në NP ”Univerzal” është shtyrë për datën 11 qershor 2013, por prokurori Shaban Spahiu ka propozuar dëshmitarë tjerë të cilët edhe janë paraparë në aktakuzë.

Në seancën e fundit prokurori Shaban Spahiu ka propozuar dëshmitarë tjerë. Në këtë proces gjyqësor tashmë pritet të dëshmojnë Refik Ahmeti drejtor në BPB, Xhelal Hoxha nga kompania “Univerzal”, Enver Sylejmani dhe Fahredin Sylaj nga ATK.

Ndryshe në Gjykatën Themelore në Gjilan po zhvillohet gjykimi ndaj kreut të Vitisë Nexhmedin Arifi i akuzuar për veprën penale “korrupsioni zyrtar” dhe Kabil Hajdarit i akuzuar për veprën penale “korrupsioni zyrtar” dhe “shmangie nga tatimi”.

Edhe Arifi edhe Hajdari kanë mohuar veprat penale para trupit gjykues që po e kryeson Hasan Sadiku.

Fundamenti

Sipas aktakuzës i dyshuari Kabil Hajdari në gusht të viti 2008 deri në maj 2011, derisa ka qenë drejtor në NP “Univerzal”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore nga datat 24.03.2009, deri më 01.01.2011, mjetet e trustit pensional për punëtorët e kësaj ndërmarrjeje: Kadri Halabaku, Bajram Aliu, Berat Ymeri, Ruzhdi Musa, Hysni Beqiri, Sabit Salihu, Sabri Rrahimi, Ali Islami, Taf Mustafa dhe Agron Misini, edhe pse kanë qenë në listën e pagave, trusti pensional atyre nuk u është paguar fare, duke u shkaktuar dëm të dëmtuarve në vlerë të 16 mijë eurove.

Kabil Hajdari gjithashtu dyshohet se ka shmangur mos pagesën e tatimit në Administratën Tatimore të Kosovës në vlerën e 79.815.29 eurove.

Kurse, Nexhmedin Arifi dyshohet se duke qenë në pozitën e kryetarit të Vitisë më 22 gusht 2008, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veti apo tjetrin, në kundërshtim me Ligjin mbi ndërmarrjet publike, ka marrë vendimin mbi ekzekutimin e vendimit të Kuvendit komunal për derajonalizimin e KRM”Higjiena”, njësia punuese në Viti e cila ishte pjesë integrale e “Higjienës” në Gjilan.

Arifi gjithashtu akuzohet se nuk e ka respektuar shkresën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal e as vendimin e Qeverisë së Kosovës që të shfuqizojë atë vendim. Sipas aktakuzës Arifi i ka mundësuar Kabil Hajdarit që të keqpërdor mjetet e kompanisë publike duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerën e 79 mijë eurove.

Avokatët mbrojtës Shemsedin Piraj dhe Sabit Maliqi e kanë quajtur aktakuzën të paqëndrueshme meqë e njëjta nuk ka prova dhe elemente të veprës penale. /rajonipress/