Hidromorava

Në Gjilan promovohet libri i Azem Hajdarit dedikuar ekstradimit

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Në Bibliotekën e Gjilanit në prani të shumë mysafirëve, intelektualëve e ekspertëve të fushës juridike, gjyqësore dhe avokaturës nën organizimin e drejtorisë së kulturës është promovuar libri i Azem Hajdarit “Ndihma Juridike dhe Ekstradimi”.

Për të dhënë një vlerësim profesional e shkencor për rëndësinë e këtij libri kanë folur Afrim Shala dhe avokati Shemsedin Piraj, raporton rajonipress.

Afrim Shala tha se teksti “Ndihma Juridike dhe Ekstradimi”, i autorit Azem Hajdari, padyshim paraqet një kontribut shumë të çmuar në begatimin e shkencës të së drejtës penale në Republikën e Kosovës.

Botimi i këtij teksti nga ana e autorit Azem Hajdari është me një rëndësi shumë të madhe për Republikën e Kosovës, e cila është duke kaluar në një tranzicion të llojit të veçantë.
“Përmes këtij teksti plotësohet një vakum i cili ka ekzistuar me vite me radhë në literaturën e gjuhës shqipe, ku për këtë ky tekst do të jetë shumë i dobishëm për ne gjyqtarët, pastaj për prokurorët, avokatët dhe personat e tjerë të cilët në çfarëdo mënyre qoftë merren me çështjet që kanë të bëjnë me të drejtën penale ndërkombëtare në përgjithësi” tha Shala.

Shala tha se libri në mënyrë shumë detaje dhe kuptimplote ka trajtuar shumë institute që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndërkombëtarë në lëmin penal në mes të shteteve, siç janë : ekstradimi, transferimi i ndjekjes penale shtetit të huaj, ekzekutimi i aktgjykimit penal të huaj, transiti, mbledhja e provave të nevojshme dhe dorëzimi i tyre shteteve tjera, dorëzimi i shkresave të caktuara, etj.

“Të gjitha këto institute, autori i ka trajtuar me një gjuhë shkencore dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse. Siç e pohon edhe vetë autori, bashkëpunimi midis shteteve në lëmin e luftimit të kriminalitetit është një çështje mjaft komplekse. Kompleksiteti i kësaj çështje, përveç tjerash, bazohet edhe në faktin se në njërën anë kjo çështje është e rregulluar me dispozita dualiste (dispozita penale materiale dhe dispozita procedurale), ndërsa në anën tjetër është e rregulluar edhe me dispozita ndërkombëtare (konventa bilateriale dhe multilaterale). Në kontekst të vlerës që kanë në çështjen e ndihmës juridike-penale ndërkombëtare, normat e së drejtës ndërkombëtare gjithnjë kanë përparësi ndaj normave juridike nacionale të shteteve të ndryshme” shtoj Shala.

FIDANISHTJA

Sipas Shalës dispozitat lidhur me ekstradimin dhe format tjera të ndihmës juridike penale ndërkombëtare të cilat zakonisht gjenden në legjislacionet procedurale penale apo në ligje të posaçme të shteteve, aplikohen vetëm në mënyrë subsidiare. “Kjo çështje qëndron njëjtë edhe në rastin e Republikës së Kosovës, ngase edhe në Ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale të cilin e ka miratuar Kuvendi i Republikës së Kosovës, është parashikuar se “përmes këtij Ligji rregullohen kushtet dhe procedurat për dhënien e ndihmës juridike ndërkombëtare në çështjet penale, nëse me marrëveshje ndërkombëtare nuk është caktuar ndryshe ose nëse nuk ekziston marrëveshja ndërkombëtare”.
Shala shtoj se në këtë tekst autori i trajton në mënyrë shumë detaje shumë çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin në mes të shteteve në çështjet penale. Në këtë aspekt, autori me shumë të drejtë ka vlerësuar se në relacion me vendet e Bashkimit Europian, për të cilin Republika e Kosovës pretendon të bëhet pjesë e tij, janë tri çështje kyçe që determinojnë bashkëpunimin ndërkombëtarë në çështjet penale : E para i referohet nevojës për përafrim të legjislacioneve midis vendeve të Këshillit të Europës; E dyta i referohet nevojës së avancimit në nivel të lartë të besimit reciprok midis shteteve dhe
E treta i referohet nevojës së ratifikimit të instrumenteve Europiane brenda afateve që vlerësohen të arsyeshme.

Përveç tjerash, siç mund të shihet edhe nga vetë emërtimi i këtij teksti, autori në këtë tekst i kushton vëmendje të posaçme edhe ekstradimit, i cili konsiston në dorëzimin e kryerësit të veprës penale prej një shteti (shteti ku gjendet) në shtetin tjetër (shtetin që e kërkon) me qëllim që ndaj tij të zhvillohet procedura penale apo me qëllim që ndaj tij të ekzekutohet dënimi i shqiptuar me aktgjykim të formës së prerë.

Teksti “Ndihma Juridike dhe ekstradimi” është një dëshmi e një përkushtimi maksimal të autorit për trajtimit e shumë çështjeve në sferën e bashkëpunimit juridiko-penal në mes të shteteve.

Të gjitha institutet, në këtë tekst trajtohen duke u bazuar në dokumentet për të rëndësishme në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare ka përfunduar Shala.

Vlerësime pozitive për librin ka dhënë edhe avokati Shemsedin Piraj i cili tha se libri është praktik dhe u nevojitet shumë të gjitha kategorive juridike.

Autori i librit ka thënë se teksti u shërben shumë studentëve të të gjitha fakulteteve për të përgatitur provimin si dhe profesionistëve u ofron mundësi konkrete për të marrë dije të reja./rajonipress/