Në Gjilan nis manifestimi mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2016”

Gjilan – Me vizitën në kazermën e Forcave e Sigurisë së Kosovës, homazhe në varrezat e dëshmorëve, te lapidarët në qytet dhe me pritje për familjet e dëshmorëve, sot ka nisur manifestimi kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2016”, i cili organizohet nën përkujdesjen e kryetarit Lutfi Haziri, ku për një muaj do të ketë aktivitete të shumta e të ndryshme, në kujtim dhe nderim të dëshmorëve dhe të gjithë të rënëve nëpër vite për lirinë e Kosovës.
Me këtë rast në fjalën e tij në emër të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, nënkryetari Rexhep Kadriu, ka thënë se Komuna e Gjilanit ka bërë të gjitha përgatitjet që ky aktivitet shumëkulturor me karakter mbarëkombëtar, pikërisht këtë vit shënon 25 vjetorin e themelimit, duke qenë vazhdimësi e aktiviteteve kulturore në nderim dhe kujtim të dëshmorëve dhe të rënëve në janarët e përgjakshëm për lirinë e vendit.
“Është janari ai që me vete mori djemtë dhe vajzat e Kosovës si kurban për lirinë që ne sot gëzojmë. Që nga Mulla Idriz Gjilani, Idriz Seferi, e deri tek rënia e Rexhep Malës, Nuhi Berishës, vëllezërve Gërvalla, Kadri Zekës, Agim Ramadanit, Pajazit Ahmetit, Alban Ajetit dhe vargut të gjithë dëshmorëve të tjerë që Gjilani në janar i kujton me epitet të lartë, si figurat që dhanë jetën dhe gjaku i tyre është dhe mbetet histori e lavdishme e Gjilanit dhe Kosovës. Ky manifestim që nisi sot, është rrugëtim i vuajtjeve, persekutimit, dhunës dhe barbarisë serbe ndaj popullit më të vjetër në Ballkan – shqiptarëve. Ne të gjallët, do të jemi përherë borxhlinjë të heronjëve tanë, sepse ata dhanë jetën që ne sot të frymojmë lirshëm”, ka thënë ai ndër të tjerash.
Kurse në fjalën e saj, gjatë pritjes së familjeve të dëshmorëve, kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku – Rexhepi, ka thënë se janari është i shenjtë për të gjithë shqiptarët, sepse pikërisht me rëniet heroike në janar, ka nisur rruga e gjatë dhe e mundimshme e lirisë së Kosovës.
“Flaka e Janarit” është sinonim i respektit dhe i nderit për familjet e dëshmorëve dhe për veprat e mëdha të dëshmorëve. Prandaj, me iniciativë të kryetarit Haziri, në fund të vitit të kaluar u nderuan me titullin “Qytetar Nderi” të Komunës së Gjilanit, zonja Hanife Mala, bashkëshortja e dëshmorit Rexhep Mala si dhe baca Rexhep Berisha, babai i dëshmorit Nuhi Berisha. Kjo është më e pakta që Gjilani ka bërë, krahasuar me qëndresën dhe sakrificën e tyre në shërbim të atdheut. Para këtyre familjeve të mëdha unë sot ndjehem e vogël të flas. Ose më mirë të them, sot nuk është ditë për të thënë fjalë të tjera, pos t’ju falënderojmë. Gjilani dhe Kosova janë bërë bashkë për të bërë nderim deri në përkulje”, tha ajo në fjalën e saj.
Bashkërisht sonte është bërë ndezja e flakadanit të “Flakës së Janarit 2016”, flakë e cila do të jetë e ndezur deri në përfundim të manifestimit, në shënim të flakës që iu dha lirisë së Kosovës. /rajonipress/