Në Gjilan nis manifestimi “Flaka e Janarit 2019”

Gjilan – Me homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe tek shtatorja e Rexhep Malës e Nuhi Berishës, Komuna e Gjilanit ka hapur zyrtarisht manifestimin shumëkulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2019”, i cili është i 28-ti me radhë dhe organizohet për një muaj rresht nën përkujdesjen e kryetarit Lutfi Haziri.

Kreu i Gjilanit, pasi bëri homazhe me bashkëpunëtorët dhe udhëheqësit e institucioneve tjera, ka deklaruar se gjatë janarit kjo komunë nderon të gjithë dëshmorët përmes vlerave kulturore.

“Po bëhen 28 vite që ne përkujtojmë e nderojmë dëshmorët, heronjtë e martirët e Gjilanit në nivel kombëtar. Gjatë tërë muajit do të ketë aktivitete kulturore në kuadër të katër shtyllave në frymë garuese. Presim me padurim për të parë kualitetin e aktiviteteve sepse nderimi dhe respekti shkon gjithmonë për dëshmorët e kombit. Lavdi dhe të ecim gjurmëve që na lanë amanet dëshmorët”, ka thënë Haziri.

I pari i Gjilanit, i cili shoqërohej nga nënkryetari Arbër Ismajli, drejtoresha rajonale e Policisë së Kosovës, Elmina Mahmuti dhe komandanti i Stacionit Policor, Alban Ramushi, ka vizituar edhe Batalionin e Parë të Reagimit të Shpejtë të FSK, ku janë pritur nga komandanti Berat Shala.

Gjatë ditës, kryetari Haziri ka vizituar edhe familjet e dëshmorëve, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, duke ngritur në piedestal veprën heroike të bijëve të tyre, sikurse që ka vlerësuar lartë kontributin e këtyre familjeve për çështjen kombëtare.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e familjes Berisha dhe Mala kanë falënderuar kryetarin Haziri, për, siç thanë, kujdesin e jashtëzakonshëm që ka treguar nga tyre dhe të gjitha familjeve të tjera të dëshmorëve në Gjilan.

Ndryshe, sot në ora 17:00 bëhet ndezja e Flakadanit para shtatores së heronjve Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, i cili simbolizon sakrificën e tyre për lirinë e shqiptarëve. /rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).