RCCOLA

Në Gjilan ndahen 100 pako ushqimore për familjet me gjendje të rëndë ekonomike

/ 2 minuta lexim

Gjilan – Bashkësia Islame në Gjilan, së bashku me Komunën e Gjilanit kanë bërë sot shpërndarjen e 100 pakove ushqimore për familjet të cilat janë me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, në mënyrë që edhe këto familje për një kohë të heqin problemin e sigurimit të bukës së gojës.

Kryetari i sapozgjedhur i Bashkësisë Islame, Naim Aliu dhe Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Nexhat Hajrullahu, në mënyrë simbolike kanë bërë sot shpërndarjen e këtyre pakove ushqimore.

Me këtë rast kryetari Aliu ka thënë se kjo është një ndihmë dhe mbështetje e vogël karshi kërkesave shumë të mëdha të familjeve në nevojë në Gjilan.

Eco Higjiena

“Kjo është një mbështetje e përkohshme për familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale. Bashkësia Islame periodikisht ka ndarë pako të tilla ushqimore dhe kështu falë edhe angazhimit të përbashkët në BIK, në Gjilan, kjo është bërë e mundur herë pas here. Apelojmë edhe tek të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, të cilët kanë mundësi, që të solidarizohen me familje të tilla”, ka thënë ai ndër të tjerash.

Kurse nga ana e tij drejtori Nexhat Hajrullahu, ka falënderuar Bashkësinë Islame për mbështetjen me këto pako ushqimore, duke potencuar se është një mbështetje e mirë për këto familje edhe për kundër që raste të tilla fatkeqësisht kemi ende shumë në Gjilan./rajonipress/