Në Gjilan mbyllet fushata sensibilizuese e Javës Ndërkombëtare të Njeriut me Shkop të bardhë

Gjilan – Është mbyllur sot fushata sensibilizuese e Javës Ndërkombëtare të Njeriut me Shkop të bardhë, ku prezent ishte edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Hazirit i cili edhe bëri hapjen solemne të Qendrës rehabilituese masazh shëndetësore e vetëpunësimit nga qytetarja e verbër, Dhurata Kallaba.

Haziri falënderoi donatorin nga mërgata, i cili i ka mundësuar Dhurata Kallabës vetëpunësimin, derisa konfirmoi se Komuna do të vazhdojë t’u dalë në mbështetje kësaj kategorie më të gjitha kapacitetet.

Haziri theksoi se ndjehet jashtëzakonisht mirë që tashmë në sistemin arsimor janë punësuar asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta, edukatore mbështetëse, mësuese mbështetëse, sikurse edhe interprete.

Me këtë rast, kryetari Haziri ka falënderuar kompaninë ABC Design për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, duke u bërë shembulli më i mirë.

Kryetari i Shoqatës së të Verbërve në Gjilan, Bajram Spahiu, ka prezantuar të arriturat e deritanishme për periudhën mars-shtator 2021, sikurse edhe bashkëpunimin me shoqatat lidhur me realizimin e shumë projekteve, derisa ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen e vazhdueshme dhe përcjelljen e aktiviteteve të kësaj shoqate.

Fatmir Shurdhani, menaxher i Handikos, kërkoi që të respektohen ligjet në fuqi sa i përket punësimit të komunitetit, derisa drejtori i shërbimit të administratës së Shoqatës se të verbërve te Republikës së Kosovës, Mexhit Funiqi, ka folur për zanafillën e Javës së shkopit të bardhë.

Në këtë takim kanë diskutuar edhe Almedina Morina, koordinatore e Down Syndrom Kosova dhe Anita Ademi, kryesuese e Komitetit konsultativ për persona me aftësi të kufizuara./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS