Në Gjilan mbahet takimi me kryetarët e këshillave të lokalë për promovimin e kampanjës së pastrimit të ambientit

Gjilan – Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, së bashku me drejtorin për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bejtullah Osmani dhe komandantin e Njësitit të zjarrfikjes dhe shpëtimit, Rabit Murseli, kanë mbajtur një takim të premten me kryetarët e këshillave lokalë.

Qëllimi i takimit ka qenë informimi dhe promovimi lidhur me fillimin e kampanjës për pastrimin e ambientit nga mbeturinat, pasi tashmë kryetari Alban Hyseni e ka formuar Task-forcën për pastrimin e ambientit, të cilën do ta udhëheq nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku.

Nënkryetarja Morina Bunjaku ka falënderuar kryetarët e këshillave lokalë që u janë përgjigjur pozitivisht ftesës, teksa ka shfaqur gatishmërinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe mbështetjen e kërkesave të tyre komunitare me të gjitha kapacitetet komunale.

Ajo u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkëngjiten këtij aksioni të madh për pastrimin e ambientit.

Në këtë takim, shqetësimi kryesor i kryetarëve të këshillave kanë qenë deponitë ilegale në lokalitetet e tyre, të cilët kanë përgëzuar iniciativën e Komunës për largimin e tyre, ndërkohë që pati kërkesa për kompensim simbolik për kryetarët e Këshillave.

“Së bashku me kryetarin Hyseni, do të kujdesemi që ta gjejmë një zgjidhje që ju ta keni një pagesë simbolike, që do të ishte stimulim për angazhim edhe më të madh në të mirë të komunitetit”, është zotuar nënkryetarja Morina Bunjaku.

Ndryshe, gjatë dy muajve të ardhshëm Task-forca për pastrimin e ambientit do të jetë prezentë në të gjitha lagjet dhe fshatrat e komunës, ku në koordinim me Këshillat lokalë do ta bëhet pastrimi i ambientit nga të gjitha llojet e mbeturinave./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS