Eko Higjiena

Në Gjilan mbahet takimi Biznes me Biznes dhe Biznes me Konsumatorë‏

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Organizuar nga “CARE” International Kosovo, në kuadër të projektit të përbashkët që zbatohet në partneritet me Komunën e Gjilanit dhe ATRC, në kuadër të përkrahjes së agrobizneseve në regjionin e Gjilanit, sot është organizuar takimin Biznes me Biznes dhe Biznes me Konsumator, në kuadër të bashkëpunimit dhe krijimit të lidhjeve të reja të bashkëpunimit mes vete.

Qëllim i këtij aktiviteti është lidhja e bashkëpunimit të bizneseve me veprimtari të ngjashme në kuadër të rritjes dhe qëndrueshmërisë së zhvillimit ekonomik dhe ngritjes së bizneseve.

Me këtë rast në fjalën e tij drejtori i Zhvillimit Ekonomik në Gjilan, Agim Zuzaku, ka thënë se Komuna e Gjilanit përmes projekteve të financuara nga Zyra e Bashkimit Evropian po krijon mundësi të mira për bizneset dhe po mundohet të krijoj kushte më të mira për krijimin e vendeve të reja të punës.

“Falënderoj Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë, që jo vetëm përmes këtij projekti, por edhe përmes projekteve të tjera të financuara nga BE, po i ndihmon Komunës së Gjilanit duke krijuar mundësi të mira për të bërë biznes dhe gjithashtu po ndihmon në hapjen e vendeve të reja të punës në sektorin privat. Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik është duke luajtur një rol të koordinatorit në mes të biznesit, donatorëve dhe punëkërkuesve të rinj, duke i bashkuar dhe duke gjetur një alternativë për të krijuar kushte më të mira për biznesin dhe duke ofruar një mundësi për punësim në sektorin privat. Uroj që sot takimi B2B të shërbej në krijimin e lidhjeve të reja në mes të bizneseve dhe konsumatorëve”.

Ai ka thënë se shumica e të pranishmeve nga bizneset na kanë ndihmuar neve që ti sistemojmë 100 praktikant me pagesë për 3 muaj, në bizneset e tyre. Kjo është një formë e mirë dhe shpresojmë që shumica e praktikantëve të ju kenë shërbyer bizneseve në mënyrë që në të ardhmen të krijojnë një marrëdhënie të punës në ato biznese që edhe kanë mbajtur praktikën.

Ndërsa drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë në Gjilan, Ramiz Ramadani, ka thënë se nevojat e prodhuesve janë përherë të mëdha, sikur që edhe kërkesat e konsumatorëve janë poashtu, mirëpo, kërkohet ende shumë punë në promovim dhe sigurim të tregut.

ARKATANA

“Kapacitetet e prodhimit në Gjilan janë potencial shumë i madh. Kërkohet një angazhim konkret dhe mbështetje e përbashkët për agrobiznesin. Mbështetja e prodhuesve është mbështetje e zhvillimit, ndërsa kërkesat e qytetarëve janë shumë të mëdha për prodhimet e Gjilanit. Ajo çka është e nevojshme dhe e domosdoshme është promovimi – marketingu për prodhuesit vendor. Komuna e Gjilanit në forma të ndryshme ka financuar dhe mbështetur fermerët dhe prodhuesit në përgjithësi, mirëpo mundësitë buxhetore janë ende të vogëla për ta përballuar kërkesën e madhe për subvencionim dhe investim në këtë sektor”, ka thënë drejtori Ramadani ndër të tjerash.

Edhe Kushtrim Kaloshi, drejtor Ekzekutiv i ATRC-së, ka thënë se takimet e këtij niveli dhe me këtë qëllim janë përherë të nevojshme dhe mëse të domosdoshme në promovimin por edhe krijimin e urave lidhëse mes bizneseve të ndryshme, apo edhe mes bizneseve dhe konsumatorëve.

“Fat shumë i madhë është që institucionet e Gjilanit që nga fillimi politikat e veta i kanë hartuar në drejtimin e përkrahjes dhe mbështetjes së bizneseve. Falë këtij qëndrimi politik sot të bërit biznes në Gjilan është shumë e lehtë dhe me angazhimin shtesë dhe mbështetjen, mund të bëhen hapa konkret në zhvillimin ekonomik lokal dhe gjenerim të vendeve të reja të punës”, pohoi ai ndër të tjerash.

Ndryshe, në këtë takim biznese të ndryshme kanë bërë prezantimin e punës së tyre prodhuese, historikun e zhvillimit të tyre, por edhe tregun që ata kanë, duke mos lënë anash sfidat që kalojnë në punën e tyre të përditshme biznesore.

Gjilani tashmë ka qendrën e biznesit e cila menaxhohet nga Yll Azemi dhe është në shërbim të bizneseve për çdo ditë pune duke ofruar këshilla dhe përvoja të ndryshme në fushën ekonomike dhe zhvillim të biznesit./rajonipress/