Në Gjilan konfiskohet drogë, në Ponesh pushkë gjuetie
Gjilan – Në dy raste të ndara policia ka konfiskuar substanca narkotike në Gjilan kurse në Ponesh një pushkë gjuetie me leje të skaduar.
Në fshatin Ponesh të Gjilanit ankuesi mashkull shqiptar, përgjegjës nga shoqata e gjuetarëve ka raportuar se ka takuar të dyshuarin mashkull shqiptar së bashku me një person tjetër që dyshohet se janë duke bërë gjueti të kundërligjshme. Njësiti policor ka ndaluar në një pikë kontrolli të dyshuarin dhe në veturën e tij është gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie Shot Gun të kalibrit 12 mm me dy fishekë me leje të skaduar. Me urdhër të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt ka njoftuar policia e Kosovës.
Kurse në rrugën “Ali Huruglica”, në Gjilan raportohet se njësiti i DHTN-së ka ndaluar të dyshuarin mashkull shqiptar, ndërsa në rrugë ka gjetur dhe ka konfiskuar pesë paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.
Është kontrolluar edhe shtëpia e të dyshuarit me ç’rast është gjetur dhe konfiskuar 4.1 gram substancë e dyshuar narkotike të llojit heroinë si dhe 685 euro para të gatshme. I dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt./rajomnipress/

