Në Gjilan bastisen disa lokacione për dyshim shmangie nga tatimi

Gjilan – Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, e asistuar nga njësite tjera policore së bashku me Hetuesit e Administratës Tatimore të Kosovës, më 1 gusht 2013 në orët e hershme të mëngjesit kanë realizuar një urdhër kontroll të lëshuar nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake i Gjykatës Themelore në Gjilan njoftoj policia e Kosovës.
Ky kontroll i detajizuar është realizuar në disa subjekte afariste me dyshimin e bazuar se është kryer vepra penale “Shmangie nga tatimi” ku me ketë rast janë kontrolluar dy shtëpi, dy lokale biznesi, dy depo në Gjilan si dhe një lokal biznesi në Prishtinë.
Gjatë kryerjes së kontrollit janë konfiskuar tre llaptop, tri shtëpiza kompjuteri si dhe dokumente afariste për periudhën kohore 2007- 2013 thuhet në njoftimin e policisë./rajonipress/