Në emër të lirisë (Vdekje fashizmit!)

Poezi nga Anton Marku

Me sa mbaj mend unë
Në lagjen tonë
Gjithmonë është folur për luftën

Kur gjakrat ndizeshin
Na mjaftonin tri pika
Për të vazhduar tutje

Gjyshërit tanë
Çdo herë gjenin diçka
Që t’i shtonin së djeshmes
Që e sotmja të mos ishte
Ashtu siç ishte

Një ditë
Historinë e lidhëm për një hu

E vetë dolëm në oborret e fqinjëve.

HËNA E SË HËNËS

Sapo përfundoi së lexuari
Librin e prejardhjes
Vendosi ta shëroj historinë

Fillimit i grisi tri faqet e para
Mesit i shtoi katër beteja të paqena
Fundit i hoqi skenat me flamuj të bardhë

Në prapavijë vendosi
Ata që mbanin shpirtin gjallë
Me kafe turke

Pas dorëzave të bardha
Fshehu fytyrën

Para mesnatës
Në ditën e parë të javës
Atdheut iu zgjat rrethi i syve

Një gjysmë e trupit
Nuk po i bindej më

Gjysma tjetër
Endej maleve të prera
Pa rojtarë

Mos qoftë kush
Në lëkurën e tij
Kur deti të nisë
Të hajë tokën.

“ARMIKU I POPULLIT’’

Së pari u shtuan pshtymagjinjtë
Pastaj lehësit e orëve të vona
Kapërcyen përroin e lagjes

Majë plehu u ngjitën shpifësit
Për të ushqyer gojët e këqija

Një mëngjes i gjuajtën dyert me gurë
Të nesërmen nën prag i hodhën një letër
Në mbrëmje ia helmuan qenin
Pas mesnate i hynë në oborr
Dhe e varën në mes të dhomës
Pa i thënë asgjë

Pse nuk i tha askush

Faji i tij i vetëm:
Ishte fqinj me ujq

Për të
Në burg nuk shkoi askush.

FRYMËMARRJE

Në njërën prej atyre ditëve
Që mbahen mend gjatë
U ktheva vijave të jetës
E pashë veten duke lindur

Duart e nënës
Të mbjella në djep
Një shami të bardhë hedhur flokëve

Diçka më tha
Se kisha qëndruar
Tri stinë fshehur në bark
Para se ta gjeja
Copën e qiellit tim në tokë

Në këmbë u ngrita
Pa më parë askush

Nga dhoma dola
Më i vogël se sa hyra

Trupin tim e pyeta
Nëse ia ka vlejtur
Gjithë ato djersë

Të nesërmen
Ëndrrës iu shqye pëlhura
Duke u fërkuar
Në murin e pendimit

Unë drejtova sytë
Andej nga lulet rriten natën

Mijëra frymë larg.

NJERËZIT ME DY HIJE

Kokat që jetojnë vetëm nga buka
Liria i braktisë që në fillim të ëndrrës

Në botën që ecën ata zvarriten përgjumshëm
Fshehur puplave të veta

Si falltarë që përqeshin jetën
Peshoreve masin thellësinë e asgjësë

Të burgosurit vazhdojnë të rrinë zgjuar
Derisa rojet flenë.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS