Në ceremoninë e 25 vjetorit të Universitetit shqiptar të Gjenevës e pranishme edhe zonja Micheline Calmy – Rey

Mbrëmë në sallën e koncerteve “Palladium”, që gjendet pranë lumit Rhône, është shënuar 25-vjetori i themelimit të Universitetit Popullor Shqiptar të Gjenevës. Të gjithë të pranishmëve mirëseardhje në këtë jubile të rëndësishëm u ka dëshiruar zonja, Albana Krasniqi-Malaj, drejtoreshë shumëvjeçare e UPSH-së.

Ajo që në fillim të këtij solemniteti ka dënuar agresionin rus në Ukrainë, duke thirrur edhe për një minutë heshtje në nderim të viktimave të rëna në këtë luftë.

Pastaj, mbi punën dhe aktivitetet e Universitetit Popullor Shqiptar të Gjenevës, duke filluar nga viti 1996, e deri në ditët e sotme përmbledhtas ka folur zonja, Laurence Fehlmann Rielle, presidente aktuale e këtij institucioni kulturor dhe integrues, njëkohësisht edhe deputete në Parlamentin e Zvicrës, nga radhët e Partisë Socialiste.

Fehlmann Rielle për zhvillimin dhe rriten e UPSH-së, ka falënderuar të gjithë udhëheqësit e më hershëm, e veçmas themeluesin e tij Ueli Leuenberger, i cili 50 vjet me radhë u bë mburojë e komunitetit shqiptar jo vetëm në Gjenevë, por gjithandej Zvicrës.

Fehlmann Rielle, që ka ardhur rishtas në krye të UPSH-së, po ashtu e vlerëson lart punën dhe angazhimin e zonjës Albana Krasniqi Malaj.

Ajo ndihet jashtëzakonisht e kënaqur me punën në ekip me zonjën Krasniqi-Malaj, të cilën e quan grua të guximshme, që përherë frymëzon dhe motivon, me nisma të reja dhe dobiprurëse në favor të UPSH-së.

Ndërsa zonja, Bettina Looser, si përgjegjëse e Komisionit Federal të Migracionit, njohjen me komunitetin shqiptar në Zvicër, do ta kujtojë nëpërmjet dramës dhe tragjedive të shumta që ata përjetuan gjatë viteve 1997-1999, nga regjimi gjenocidial i Millosheviqit.

Losser si kryesuese e këtij Komisioni shpreh shqetësimin e saj të thellë edhe me gjendjen në Ukrainë.

Ajo, thotë”duke parë çdo ditë përshkallëzimin e situatës dhe shtimin e numrit të viktimave në Ukrainë, vendi ynë s’mund të rrijë indiferent”.

Zvicra që nga shumëkush njihet si tokë e azilit, do të bëjë çmos që në këto momente kritike t’i mbështes të gjithë ukrainasit, e mbetur pa kulm mbi kokë nga sulmet pushtuese të Rusisë, ashtu siç pati vepruar gjatë fundviteve të 90-ta, me shqiptarët e Kosovës.

Si njohëse e shkëlqyer e komunitetit shqiptar në Zvicër, posaçërisht e atij në Gjenevë, disa fjalë i ka thënë edhe zonja, Frédérique Perler, kryetare e Bashkisë së Gjenevës.

Peler, konsideron se Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës, e ka merituar dhe e meriton epitetin shkollë, institucion dhe vend integrimi, ngase dyert e tij kanë qenë dhe mbetën të hapura për të gjithë.

Falë organizimit dhe punës së mirëfilltë UPSH, më 2018 në një konkurrencë jashtëzakonisht të fortë pati fituar çmimin e frankofonisë.

Në konkurrencë me UPSH-në, për këtë çmim prestigjioz ishte edhe Salloni Ndërkombëtar i librit në Gjenevë.

Në këtë institucion që po i afrohet dekadës së tretë të punës së tij të suksesshme, përveç tribunave, diskutimeve dhe simpoziumeve janë organizuar edhe kurse të gjuhëve si;frëngjisht, shqip e anglisht.

Gjatë viteve 2000-2002, nëpërmjet organizimit të këtyre kurseve të rinjtë e komunitetit shqiptar të ikur nga frontet e luftës kanë mësuar edhe Fillet e Teknologjisë Informative.

Në këtë qendër arsimimi dhe inovacioni shumë të rinj janë aftësuar edhe në fushën e hotelerisë dhe turizmit.

Kurse të ngjashme janë organizuar edhe në degën e saldimit dhe të instalimeve hidraulike.

Falë këtij institucioni shumë të rinj janë bërë po ashtu mjeshtër të kualifikuar të riparimit të pajisjeve elektro-shtëpiake.

Shumica e nxënësve vijues të këtyre kurseve pas marrjes së diplomës, kanë krijuar marrëdhënie pune në fushat përkatëse.

Kjo fazë konsiderohet edhe si një nga arritjet më të larta të UPSH-së, drejtues i të cilit atëbotë ishte z.Ueli Leuenberger, mik i madh i çështjes shqiptare.

Dëshmia më e mirë se puna e këtij Universiteti Popullor, është vlerësuar çdoherë janë edhe fjalët inkurajuese të Këshilltarit ekzekutiv të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, zotit Thierry Apothéloz, z. Apothéloz, që në fillim të fjalës së vet sqaroi që Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës, është institucion i ngjashëm me Universitetin e Punëtoreve dhe Asociacionin Camarada.

Sipas tij këto institucione të rëndësishme duhet të përkrahen pangurrim, sepse janë në interes të zhvillimit të vendit.

Ai, gjithnjë aktiv dhe me funksione të larta në Republikën dhe Kantonin Gjenevës, mendon që Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës, shumë shpejt e ka arsyetuar misionin e tij.

Andaj, me të drejtë meriton të quhet vend integrimi dhe miqësie i mbi 80-të komuniteteve të ndryshme të botës, që jetojnë dhe veprojnë në Gjenevë.

Apothéloz, me miq të shumtë nga komuniteti shqiptar mendon që integrimi i tyre në Zvicër, veçanërisht në Gjenevë, ka qenë mjaft i suksesshëm.

Sot, ky komunitet është bërë krah i fortë i të gjitha institucioneve të Gjenevës, duke filluar prej punës në çerdhe, shkolla, spitale, gjykata, sektorë të ekonomisë, ndërtimit, gastronomisë e deri në instancat më të larta siç është Parlamenti i Gjenevës, pjesë e të cilit është edhe zonja, Xhevrie Faruk Osmani, me origjinë nga Gjilani i Kosovës.

z. Apothéloz, si njeri që bën vijimisht përpjekje për të krijuar paqe e stabilitet të qëndrueshëm kudo në botë, me pak fjalë i ka përshkruar edhe zhvillimet e fundit në Ukrainë.

Ai mendon që intervenimi ushtarak i Rusisë në këtë vend fqinj, është i padrejtë dhe me rrezik serioz për vatra të reja lufte, edhe në vendet e tjera të Evropës.

Pas përfundimit të diskutimeve të parapara Albana Krasniqi-Malaj, drejtoreshë e Universitetit Popullor Shqiptar të Gjenevës, ka ndarë tufa lulesh për të gjithë ish-drejtuesit e këtij institucioni që ka bërë emër për të mirë.

Zonja, Krasniqi-Malaj, me këtë veprim shpreh respekt dhe vlerëson lartë kontributin e dhënë ndër vite të drejtuesve të UPSH-së, si; Ueli Leunberger, David Hiler, Manuele Tornare etj.

Tufë lulesh është ndarë edhe për zonjën Micheline Calmy-Rey, ish-Presidente dhe Ministër e Punëve të Jashtme të Zvicrës, e cila të gjithëve na kujtohet me qëndrimet e saj të prera pro Pavarësisë së Kosovës.

Pas përfundimit të pjesës protokollare trupa e teatrit spiral të Gjenevës është prezantuar në skenë me pemën dramaturgjike”Amulette”të përgatitur nga zonja Michele Millner.

Aktoret e reja; Naïma Arlaud, Nathaly Leduc, Françoise Gautier, Nora Cupelin dhe Amanda Cepero, që premtojnë shumë në fushën e artit skenik të përcjellura nga kompozitori dhe muzicienti Yves Cref, kanë kënaqur të pranishmit me lojën e tyre shkëlqyeshme.

Këto vajza aktore dhe këngëtare kanë interpretuar në Gjuhën shqipe edhe këngën “Moj e bukura More”.

Niveli i lartë interpretimit të kësaj kënge nga ato pa shmangur as edhe një fjalë të vetme nga origjinaliteti është shpërblyer nga i gjithë publiku me duartrokitje të gjata.

Pas përfundimit të këtij manifestimi mbështetur në traditën tonë të mikpritjes dhe respektit për të gjithë pjesëmarrësit janë shtruar tryezat, me shumëllojshmëri ushqimesh dhe pijesh, të përgatitura në kuzhinat tona tashmë të specializuara./arif ejupi/rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS