Në burg për ryshfet

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

IPK ka arrestuar të mërkurën mbrëma Naser Sopjanin, rreshter policor në Njësitin e Hetimeve Rajonale në Prishtinë, dhe avokatin Bedri Krasniqi. Dyshohet se ata kanë marrë e dhënë ryshfet duke përfituar shtatë mijë euro.

Dyshohet se deshi të bënte dallavere e të përfitonte të holla në emër të pozitës që ka, por nuk ia doli. Prandaj edhe u arrestua bashkë me personin që po i ndihmonte në këto dallavere. Naser Sopjani, rreshter policor i Njësisë së hetimeve rajonale në Prishtinë, dhe Bedri Krasniqi, avokat, janë arrestuar të mërkurën mbrëma.

Gjithçka nisi kur Inspektorati Policor i Kosovës nisi të hetojë dallaveret që këta të dy dyshohet se kishin nisur t’i bënin rreth një rasti nga i cili përfituan plot shtatë mijë euro. Hetimet përfunduan, derisa polici e avokati u arrestuan.

Këtë e ka konfirmuar për media vetë Inspektorati Policor i Kosovës, i cili edhe kreu arrestimin e policit Naser Sopjani dhe të avokatit Bedri Krasniqi. Sipas një komunikate të lëshuar për media, thuhet se këta të dy u arrestuan nën dyshimin se kanë marrë ryshfet, kanë dhënë ryshfet dhe në të njëjtën kohë kanë shpërdorur detyrën e tyre zyrtare. “Inspektorati Policor i Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, sot në orën 20:40, pas një operacioni të zhvilluar në Prishtinë, ka arrestuar një avokat (B.K) dhe një rreshter policor të Njësisë së hetimeve rajonale në Prishtinë (N.S) nën dyshimin për marrje ryshfeti, dhënie e ryshfetit dhe shpërdorim i detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin zyrtar të IPK’së.

Sipas hetimeve që ky inspektorat ka kryer rreth këtij rasti, dyshohet se Naser Sopjani, rreshteri policor i hetimeve rajonale të Prishtinës, bashkë me avokatin Bedri Krasniqi kanë përfituar plot shtatë mijë euro nga një person, i cili ka qenë nën hetime të policisë, duke i premtuar se do t’ia mbyllin rastin.

“Të njëjtit janë arrestuar me dyshimin se në bashkëpunim kanë kryer veprat e lartcekura, ku me ketë rast avokati në fjalë në cilësinë e ndërmjetësit ka pranuar shumën në vlerë prej shtatë mijë eurosh prej një qytetari, i cili ka qenë nën hetime nga Policia e Kosovës, para këto të cilat janë kërkuar nga zyrtari policor në mundësi të kompensimit për ta mbyll rastin e tij”, sqarohet në njoftim.

Uji Dea

I kontaktuar nga Express, Jetullah Aliu, drejtor i Departamentit të Hetimeve në Inspektoratin Policor të Kosovës, thotë se gjithçka rreth këtij rasti është sqaruar në komunikatë. “Çdo informacion tjetër pengon ecurinë e hetimeve të mëtutjeshme të rastit”, ka thënë shkurt Aliu për Express.

Sidoqoftë, tashmë Naser Sopjanit, zyrtarit policor, i është shqiptuar masa e suspendimit deri në përfundimin e hetimeve dhe në konsultim me prokurorin. E përveç kësaj, Sopjanit bashkë me avokatin Krasniqi u është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë. “Inspektorati Policor i Kosovës në konsultim me prokurorin do të procedojë më tutje rastin”.

E ky nuk është rasti i vetëm që emri i avokatit Bedri Kransiqi përmendet për vepra të njëjta sikurse kjo e fundit. Para disa vitesh i njëjti akuzohej për korrupsion dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe veprës penale nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore.

Atë kohë ai akuzohej lidhur me keqpërdorimet në një lëndë penale të vrasjes, që ka ndodhur në Prishtinë, ngase të njëjtit në mënyrë të kundërligjshme dhe për shkaqe korruptive kanë ndërruar aktakuzat duke mos përfshirë disa të akuzuarit në vrasjen e viktimës që kishte ndodhur në komunën e Kaçanikut. Këto shpërdorime të prokurorit dhe gjyqtarit ishin vërejtur me rastin e fillimit të gjykimit në tetor të vitit 2007.

Por, pas disa seancash, Gjykata Komunale e Prizrenit nuk e gjeti fajtor Krasniqin, prandaj edhe u lirua nga të gjitha akuzat me të cilat ai ngarkohej. Para se të akuzohej për këto vepra penale, Bedri Krasniqi ishte gjyqtar i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.

E pos avokatit Krasniqi, edhe emri i Naser Sopjanit është i njohur për të gjithë. Para një kohë ai është akuzuar nga një qytetar se bashkë me dy kolegët e tij policë kanë ushtruar dhunë fizike e psikike ndaj tij në dhomat e stacionit policor numër 2 në Prishtinë. Krejt kjo histori pati nisur më 19 dhjetor të vitit 2003 dhe lidhet me një vrasje në Suedi.(express)