RCCOLA

Në Austri, diskutim për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë

/ 7 minuta lexim

Në Akademinë Ushtarake më të vjetër në botë ,,Maria Tereza“ në Wiener Neustadt, afër Vjenës u organizua diskutim me rastin e një shekulli të pavarësisë së Shqipërisë.

Në periferi të Vjenës në përkujdesjen e Ambasadës së Shqipërisë në Austri dhe i Institutit për Hapësirën Danubiane dhe Europën Qëndrore (IDM) me seli në Vjenë, u organizua diskutim me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Salla e Akademisë Ushtarake më e vjetra në botë, ishte e mbushur me mysafirë, dashamirë të Shqipërisë.

Në mesin e tyre ishte organizatori kryesor Dr.Erhard Busek, përfaqësues i IDM. Prezent ishin edhe Ministri i ITIK z. Genc Pollo, Dr.Neritan Ceka, deputet në parlamentin shqiptar, që kishin ardhur veçan për këtë mbrëmje.

Nga trupa diplomatike ishin ambasadorët/ et në Austri: e Bullgarisë Elena Shekerletova, e Rumanisë znj. Silvia Davidoiu, i Shqipërisë Dr.Vili Minarolli, i Kosovës Dr.Sabri Kiqmari. Mysafirë tjerë ishin Dr.Oliver Schmidt, historian, Fate Velaj, kryetar i ,,Weltoffen” ,forum i artistëve ndërkombëtarë me seli në Vjenë. Mysafirët i përshëndeti përfaqësuesi i komandës nga Akademia Ushtarake Gjeneralmajor Norbert Sinn ,dr.Herbert.

Ai mes tjerash tha: ,,Gjendeni në sallën e Akademisë ushtarake më të vjetër në botë dhe dëshirojmë të ndiheni mirë”. Salla e zbukuruar me piktura dhe fotografi që nga ajo e Maria Thereses, themeluesja e kësaj akademie, në mesin ballor dhe portretet e komandantëve më të njohur austriak mureve anash, krijonte një ambient serioz e të bukur.

Tubimi u hap me disa detyra dhe raporte nga IDM duke përfunduar shpejt dhe efektshëm. Ne që ishim mysafir rasti, na bindi se si mund të punohet racionalist, me efekt e me përgjegjësi. Kështu radha i mbeti 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Dr.Erhard Busek, një njohës i mirë i rrethanave në rajon e hapi diskutimin me fjalën e tij prezantuese, ku mes tjerash tha:,, Marrëdhëniet tona janë aktive me Shqipërinë. Austria tradicionalisht është interesuar për Shqipërinë. Unë ju përkujtoj me këtë rast, se, jam rritur me dy shqiptarë; Karl Riter von Gega, inxhinieri i Hekurudhës së Simmeingut dhe Aleksandër Moisiun, artistin e madh. Prindërit e mi ishin të interesuar për lojën teatrore, veçan nëna ime. Ish Presidenti i Shqipërisë Alfred Mosiu ishte nga kjo familje e njohur shqiptare.

Fidanishtja

Kjo është një simbolikë e lidhjeve të ngushta në mes të dy popujve” Diskutimin e udhëhoqi Rektori, prof. Dr.Anderas Breinbauer. Ai ia dha fjalën ministrit z.Genc Pollo nga Ministria e Inovacionit, Teknologjisë së Informimit dhe Komunikimit.

Zoti Pollo diskutimin e tij e filloj me një pasqyrë historike qe nga koha e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut duke vazhduar me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Kongresin e Berlinit dhe duke vazhduar me kohën e takimit të Ismail Qemalit, takimet e tij në Bukuresht ,Vjenë e Budapest, ku mori përkrahjen për shpalljen e pavarësisë në Vlorë. Ai përshkroi historinë e shekullit qe nga Mbreti Zog, diktatura komuniste, kohën pas komunizmit deri në ditët e sotme. ,,Rruga e jonë nuk ishte e lehtë, por jemi në hapa të mirë në ndryshimet pozitive në ekonomie dhe fushat tjera. Edhe shumë gjëra na mungojnë por tani jemi në rrugën e drejtë të prosperitetit. Tani jemi anëtar i shumë organizatave ndërkombëtare duke synuar edhe anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kjo është një motivim më tepër për punën tonë të mëtejme. Shqipëria është vend paqësor dhe synon marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet, veçan me ato fqinj”. Diskutuesi tjetër ishte z.Neritan Ceka, deputet në parlamentin shqiptar, me temën e tij ,,Kultura në Shqipëri”. Ai preku pikat zhvillimore kryesisht nga lëmi i profesionit të tij, arkeologjisë që nga kohët e vjetra duke u ndalur në kohën e komunizmit, kur ai kreu punë më rendësi në arkeologjinë shqiptare deri në kohën e tanishme të fillimhapave në demokraci. “Në kohën e komunizmit nuk kishim të drejtë diskutimi, por vetëm të punomi, kurse tani diskutojmë e punojmë pak. Qytetet Durrësi e Vlora janë ndërtuar mbi qytetet e antike” Ceka përmendi takimet e Ismail Qemalit me ministrin Graf von Berthold, njeriu më ndikim në diplomacinë e asaj kohe në Europë.

Nga ana e tij Dr.Oliver Schmidt, historan diskutimin e tij e filloi mbi rrethanat e shpalljes së pavarësisë. Mes tjerash ai tha: ,,28 nëntori 1912, kur u shpallet pavarësia e Shqipërisë, në bregdetin Adriatik, është diçka tjetër se sa një rezultat i rrethanave logjike të një procesi, ajo ishte si nevojë e lindur i rrethanave ushtarake e politike, një vendim i politikanëve nga ato krejt pak rajone shqiptare që nuk ishin marr nga trupat serbe, greke dhe malazeze. Nëse njeriu dëshiron të flas përgjithësisht për një histori logjike të ngjarjeve, atëherë duhet kërkuar shpalljen e shtetit shqiptar në gushtin e vitit 1912 e jo në bregdetin shqiptar, por në një vend me rëndësi të perandorisë osmane në pjesën ballkanike, pikërisht në Shkup, të cilin e marrin kryengritësit shqiptarë e ata nuk ishin nga bregdeti shqiptar që e shpallen pavarësinë, por nga Ballkani Qendror.

Kjo do të ishte natyrshëm një zgjedhje logjike e ngjarjeve bazuar në kryengritjet shqiptare të fillimshekullit njëzet”. Më tutje Dr.Schmidt u përqendrua në ngjarjet gjatë një shekulli në Shqipëri duke veçuar disa ngjarje e veprime ekstreme që e përcollën Shqipërinë. Nga ana e tij Fate Velaj dhe një pasqyrë të ngjarjeve nga lëmi i artit dhe kulturës që kanë të bëjnë me lidhjen e kulturave mes kombeve në kontinent. Veçan organizimet e ekspozitave nga ,,Weltoffen” në vende të ndryshme si urë lidhëse në mirëbesimin e popujve. Ai tha se Shqipëria ishte gjithmonë e sulmuar nga agresoret por kurrë nuk pushtoi territore të huaja. Shqipëria është vend me kulturë e traditë kulturore të lashtë.

Nga mbrëmja dolëm me mësimet e diskutuesve shqiptarë duke mos i përmendur luftërat të udhëhequra nga ideatori dhe komandanti Hasan Prishtina, dhe komandantët tjerë, Bajram Curri, Isa Boletini, Dedë Gjon Luli, Zefi i Vogël, Bajram Daklini i cili shpalosi flamurin shqiptar mu në qendër të Shkupit me 11 gusht 1912, kryeqyteti i vilajeteve shqiptare i asaj kohe. Nuk u fol fare për çlirimin e qyteteve shqiptare si Mitrovica, Vushtrria, Prishtina, Ferizaj, Prizreni dhe Shkupin, Tetovën, Kumanovën Preshevën, me çka përmblidhen përpjekjet për liri. Zoti Dr.Schmidt kishte renditur ekstremet shqiptare, por një e kishte harruar, atë shkëputjen dhe gllabërimin ekstrem e tragjik të dy të tretave të territoreve shqiptare nga shovinistet fqinjë. ,,Ekstrem” u harrua thënia e ministrit anglez të punëve të jashtme në Kongresin e Londrës rreth copëtimit të territoreve etnike shqiptare. Si dukët, akoma nuk e kemi mësuar historinë tonë jashtë prizmave lokaliste, komuniste e anti shkencore. Ndoshta na duhet edhe një shekull? Mbetej përshtypja sikur pavarësia u shpall si rezultat i miratimit të ministrit austro-hungarez Graf von Berthold të kërkesës nga ana e Ismail Qemalit mbi shpalljen e pavarësisë. Harrohet ajo esenciale, forcat kryengritëse të fuqishme në territoret shqiptare me mbi 30 mijë kryengritës dhe lufta e tyre heroike. Ata që nuk e mësuan copëtimin, nuk do ta bëjnë kurrë bashkimin.(albinfo)