Në Austri: As azil, as punë për kosovarët

Ministrja Federale e Punëve të Brendshme të Republikës së Austrisë, Johanna Mikl-Leitner, e cila ndodhet për vizitë në Kosovë, u takua sot me kryeministrin Isa Mustafa, ndërsa më vonë do të takohet edhe me presidenten Atifete Jahjaga.
Gjatë takimit që ajo ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, Leitner tha se këto biseda janë ndalesa e fundit në Ballkan dhe thotë se duhet bashkëpunim edhe me autoritetet në Hungari e Serbi. Leitner bëri me dije se çdo 14 ditë do të organizohen aeroplanë për të kthyer në Kosovë azilkërkues.
Pas takimit ajo theksoi se Kosovën e kemi përzemër dhe kjo është arsyeja se pse shpesh e vizitojmë e kontaktojmë me vendimmarrësit, në përpjekje për të dhënë kontributin tonë të nevojshëm në përballimin e sfidave që i dalin përpara. Ajo rikujtoi një takim të javës së kaluar në Austri me ministrin e MPB, Skender Hyseni, me të cilin shkëmbyem pikëpamjet rreth problemeve që preokupojnë dikasteret e të të dy vendeve.
Ministrja austriake po ashtu tha se gjatë takimit me kryeministrin Mustafa diskutuam problemin e fluksit të emigrantëve nga Kosova në BE. Siç tha ajo, kjo valë e ikjes i kontribuon dëmtimit të proceseve ekonomike në vendin tuaj, por edhe të Austrisë.
Në muajt e fundit shumë kosovarë kanë ardhur në Austri. Ndërsa gjatë vitit 2014 në Austri kërkuan azil 1.900 shtetas të Kosovës, vetëm gjatë këtyre javëve të vitit 2015 në Austri kanë kërkuar azil 1.800 kosovarë, tha ajo.
Mesazhi im për zyrtarët është se ikja e kosovarëve nga vendi duhet të trajtohet me seriozitet dhe nuk është e vërtetë se sapo të vini në Austri do t’ju aprovohet azili dhe do ta gjeni një vend pune, tha ajo.
Kosova është një vend i sigurt. Këtu mund të jetoni mirë, edhe nëse kushtet mund të duken më të vështira. E dimë se duhet punë për zhvillimin ekonomik, por muajt dhe vitet e ardhshme janë vendimtare për ju.
Ju paralajmëroj të mos ju besoni mashtruesve që për qëllim kanë vetëm pasurimin e vetvetes. E dimë që kosovarët kanë paguar shumë për të shkuar në Austri ose vendet e BE-së, por që duhet të kthehen pas disa javësh, me perspektivë më të zymtë se që kanë ikur.
Nuk jam në pozitë t’i këshilloj familjet kosovare, por premtimet sa i përket braktisjes së vendit janë gënjeshtra, tha ministrja austriake në Prishtinë.
Ndërtimi i të ardhmes në Kosovës kërkon një perspektivë dhe ne diskutuam për këtë, pra të punojmë që të krijojmë kushte më të mira jetese, vende të punës. Me rëndësi është që BE-ja të ndihmoj në këtë drejtim.
Mesazhet e BE-së janë të fokusuara në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Ndërkaq kryeministri, Isa Mustafa, shprehu shqetësimin e institucioneve të vendit për valën e pazakontë të ikjes së njerëzve nga Koosva. Ata njerëz duhet të kthehen në vendin e tyre, në pronat dhe shtëpitë e tyre dhe të vazhdojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë. Me rëndësi që edhe fëmijët e tyre të kthehen sa më shpejtë në shkolla, në mënyrë që mos të ketë vështirësi më pastaj me integrimin e tyre, tha Mustafa.
© KOHA.net