Fundamenti

Në 35 vjetorin e rënies në burgun qendror të Beogradit, patriot i vendosur për çështjen kombëtare

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Në 35-Vjetorin e rënies, kërkohet nga institucionet tona që sa më parë të ngritet lapidari i patriotit të përkushtuar deri në fund, Zijah Shemsiu, në qendër të Gjilanit dhe autostrada Prishtinë – Dheu i Bardhë të merr emrin “Zijah Shemsiu” !

Atdhetari i flaktë dhe sypatrembur, Heroi i Kosovës, Zijah Shemsiu, u lind më 01 korrik 1950 në fshatin Përlepnicë të Gjilanit. Si nxënës i normalës, iu bashkua radhëve të lëvizjes ilegale. Në moshën 18-vjeçare mori pjesë aktive në demonstratat e nëntorit të vitit 1968, në mbrojtje të Flamurit Kombëtar.

Gjatë viteve shtatëdhjeta, Zijah Shemsiu kishte migruar në Zvicër, në afërsi të Bernit. Krahas punëve të rënda që bënte si kamarier, brengë kryesore kishte çështjen e çlirimit të Kosovës nga Serbia. Zijah Shemsiu ishte njëri nga veprimtarët më të vendosur, e më të përkushtuar në Atdheun e Vilhelm Telit, një figurë kjo legjendare e popullit të lashtë zvicëran.

Patrioti i kulluar, njeriu i sakrificës dhe vendosmërisë së rrallë, Zijah Shemsiu, ishte radhitur në krahun e veprimtarëve të dëshmuar, Kadri Zeka, Hasan Mala e Kadri Avdullahu të cilët së bashku bënin përpjekje për zgjërimin e krahut organizativ. Kujdes të veçantë i kushtonin propagandimit të drejtë të luftës çlirimtare dhe organizimit të tubimeve e demonstratave në mbështetje të kërkesave gjithëpopullore për Republikën e Kosovës.

UBT

”Tashmë nuk mund të rrimë duarkryq, e as të veprojmë në ilegalitet. Ka ardhur momenti të dalim hapur, të vëhemi në ballë të mërgimtarëve dhe t’a ndihmojmë konkretisht luftën e drejtë të popullit tonë “- i thotë gjatë një bisede në Gjenevë, bashkëveprimtarit, autorit të këti shkrimi, Ismet Rashiti. Më këtë frymë ai kontaktonte dhe bashkëbisedonte me bashkatdhetarë. Bisedonte me ta, u jepte gazetën “Liria”, “Lajmëtari i lirisë” dhe “Zëri i Kosovës”, duke i këshilluar të lexojnë sa më shumë, të shohin pozitën e rëndë të popullit shqiptar nën ish Jugosllavi dhe të binden se vetëm me realizimin e kërkesës “Kosova Republikë”! , shqiptarët mund të jenë të barabartë me popujt tjerë.

Zijah Shemsiu ishte njëri ndër organizatorët kryesorë të demonstratës së parë të 11 prillit 1981 në Bern të Zvicrës. Me guximin që e karakterizonte, kudo ishte i pari. Shpërndante trakte në gjuhën gjermane apo frenge dhe informonte opinionin zviceran lidhur me gjendjen e rëndë në Kosovë. Zijahu ishte pjesëmarrës në takimin e bërthamës së parë organizative në mbajtur në nëntor të vitit 1980. Në këtë takim ishin të pranishëm Kadri Zeka, Hydajet Hyseni, Kadri Avdullahu, Jakup Halimi, Rashit Rashiti, Arif Idrizi, Hajdar Sadrija, Beat Schafer dhe Katrinë Assal.

Duhet theksuar se Zihah trimi dha kontribut të madh në themelimin e klubeve shqiptare “Ikballe Prishtina” në Gjenevë, “Asim Vokshi” në Lozanë dhe “Shote Galica” në Bule. Edhe pse punonte tërë ditën, Zijahu e shfrytëzonte natën dhe ditët e vikendit për veprimtari patriotike. Janë takimet e shumta në Klubin “Ikballe Prishtina” të Gjenevës me bashkëveprimtarët : Kadri Avdullahu, Ismet Rashiti, Gafurr Qalaj, Sami Kurteshi, Rrustem Mahmuti, Sali Basha, Zahir Kamberi e shumë të tjerë. Aty ku ishte Zijahu, ishte puna, guximi, përkushtimi dhe dashuria ndaj njëri tjetrit./ismet rashiti/rajonipress/