Në 33 vjetorin e LDK-së, Abdixhiku: Kosova udhëhiqet nga mosbesues të saj

Lidhja Demokratike e Kosovës, sot ka shënuar 33-vjetorin e themelimit. Në shënimin e kësaj dite, kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kosova po përballet me kriza të njëpasnjëshme, kurse pushteti popullist vazhdon të ndërtojë narracione fiktive mbi të shkuarën.

Abdixhiku ka thënë se “sot, në këtë përvjetor, më duhet të tërheqë vëmendjen e secilit anëtar të LDK-së për sfidat me të cilat përballet Republika jonë”.

“E udhëhequr nga popullistët që s’zgjedhin mjete për pushtet, e toksikuar nga diskursi politik e polarizues në vend, Kosova nuk po arrin as të hedhë hapat e mëdhenj zhvillues në vend, e as të ndërtojë ura bashkëpunimi të brendshme, edhe më pak ura komunikimi me aleatët tanë tradicional. Potenciali ynë ekonomik, arsimor, shëndetësor, ligjor, social e ndërkombëtar është peng i tekeve populliste që gjejnë fajtorë për mosveprimin e vet. Republika jonë, Kosova shtet i pavarur e sovran, udhëhiqet nga mosbesues të saj. Ajo po përdoret si platformë e revansheve historike ndaj të kaluarës së lavdishme të lëvizjes sonë popullore që sot po i shënon 33 vjet”, ka thënë Abdixhiku.

Më tej ai ka thënë se, “Kosova po përballet me kriza të njëpasnjëshme. Rëndesa ekonomike, e rritjes së çmimeve, e kaosit energjetik, e rrënimit shëndetësor e arsimor, e polarizimeve të skajshme me sektorin privat, me media, me mësues, mjek e me gjithë spektrin politik është bërë krejtësisht e zakonshme; siç është bërë e zakonshme dhe përplasja me aleatët tanë”.

“Përderisa familjet kosovare janë lënë në mëshirë të krizave globale, pushteti popullist vazhdon të ndërtojë narracione fiktive mbi të shkuarën. Dhe përderisa të njëjtit mbesin peng të përbaltjes të së shkuarës, ata harrojnë të bëjnë punë të së tashmes – për çka dhe janë zgjedhur të prijnë…”.

“Mbi të gjitha, sot Kosova është bërë temë e deklarimeve zhgënjyese nga aleatët tanë që na qëndruan në përpjekjen tonë kolektive edhe për liri, edhe për pavarësi edhe për demokraci. Kjo nuk është Kosova që e kemi menduar ndonjëherë”, ka thënë Abdixhiku.

“Prandaj prezenca e LDK-së si faktor kyç në shtet është jetike. Dhe për këtë, të jeni të bindur se yjet politike, siç i dhanë LDK-së përgjegjësinë për organizmin për liri, për pavarësi, për demokraci e shtetndërtim, do ti japin dhe përgjegjësinë për ankorimin e Kosovës në familjen Evropiane”, ka thënë kreu i LDK-së.

Duke folur për partinë e tij, Abdixhiku tha se LDK në një vit e gjysmë, është me rritjen më të madhe në vend.

“Ne jemi dyfishuar. Prandaj në një vit e gjysmë jemi partia më rritjen më të madhe në vend. Prandaj në një vit e gjysmë na janë bashkuar kryetar komunash, deputetë të kuvendit, anëtar të shoqërisë civile, profesionistë me integritet, popullaritet, dhe përkushtim të palëkundur”, ka thënë Abdixhiku.

“Prandaj në një vit gjysmë, pritjet për ne janë më të mëdha, sepse përballë popullzimit e qasjes që popullzimi që sjellë, LDK është gjithmonë fener i udhëheqjes drejt ndryshimeve monumentale historike”, tha ai. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS