Eko Higjiena

Në 25 – vjetorin e vdekjes : Qamili i Vogël – këngë përjetësie

/ 18 minuta lexim
HW

Nga Demir Krasniqi – Duke pasur parasysh dëshirën e përjetshme të autorit të ndjerë – Qamilit të Vogël, i cili vazhdimisht mëtonte për këngët të cilat i kishte krijuar t’i publikonte të deshifruara me nota dhe duke pasur parasysh kërkesat e mëdha të miqve, dashamirëve dhe simpatizantëve të flakët të këngëve të këtij bardi të këngës popullore shqiptare; me iniciativën e familjarëve të tij dhe me vullnetin tim të paepur për ta jetësuar në vepër amanetin e Qamilit të Vogël, vendosëm në shenjë përkujtimi e nderimi ndaj veprës së tij, me rastin e 15- vjetorit të vdekjes, të dalim me këtë publikim të veprave të krijuara gjatë tërë jetës së Artistit.

Prandaj, mu për këtë, e pagëzuam këtë vepër:”Këngë përjetësie”.

Këngët dhe veprat e Qamilit të Vogël i kam dashur , i kam dëgjuar , i kam mbledhur, i kam kënduar dhe i kam ruajtur me një xhelozi të madhe që nga mosha fëmijërore e deri në vdekjen e tij. Me të ndjerin Qamilin e Vogël, kam pasur kontakte të shpeshta miqësore dhe të ngrohta.

Gjithnjë krenohem që kam pasur privilegjin të gjendëm në shoqëri me Të.

Ai ishte njeri i urtë, i ngrohtë, i dashur dhe i afërt për të gjithë .Ndonëse, në fushën e bashkëpunimit për incizimin e këngëve dhe publikimin e tyre , nuk kemi bashkëpunuar në asnjë projekt.

Qamili i Vogël nuk ishte ndonjë materialist , apo karrierist i theksuar , por ai tërë fuqinë dhe potencialin e vet krijues dhe material e shpenzonte duke e kultivuar këngën dhe duke e shpërndarë atë në çdo skaj të tokës, aty ku e dinte se ka shqiptarë dhe flitet shqip .
Ndonëse , nuk jam ndonjë etnomuzikolog i specializuar për shënimin dhe studimin e vlerave të krijuara popullore, kësaj pune mjaftë me përgjegjësi i kam hyrë vetëm në saje të vullnetit të mirë dhe dëshirës për ti ofruar dëgjuesit në duar këtë vepër , edhe pse jam plotësisht i bindur se në punën time ka mjaftë lëshime e mangësi profesionale.

Gjatë hulumtimeve dhe gjurmimeve të mia ndaj krijimtarisë së Qamilit të Vogël, jam bazuar në burime të sakta , të cilat i kam mbledhur nga incizimet e hershme të Radio Prishtinës, incizimet në pllaka të gramafonit , në audio – kaseta , videokaseta dhe në botimet e 11 blejve me këngë popullore nga repertori i Qamilit të Vogël.
Nga i tërë ky material, rezulton se Qamili i Vogël është krijues , apo autor i gjithsejtë : 88 këngëve të ndryshme popullore, të krijuara në frymën e melosit qytetar dhe këngë me motive fshatare.

Në krijimtarinë e Qamilit të Vogël, zënë vend tri lloje të autorësisë së tij :
a) Këngë origjinale të krijuara me tekste e melodi vetanake,
b) Këngë në të cilat prezantohet vetëm si autor i versionit të melodisë dhe
c) Këngë në të cilat na prezantohet vetëm si autor i teksteve të tyre .
1. Këngë origjinale të krijuara me tekst e melodi vetanake , në literaturën e publikuar gjatë karrierës së tij , figurojnë gjithsejtë : 41 këngë .

Ato janë këngët numër : 3,6,7,8,9,10,11,12,13,14,15,16,17,18,19,20,22, 24, 25, 27, 28, 31, 32, 36, 37, 39, 40, 43, 50, 51, 52, 53, 54, 59, 62, 73, 74, 77, 79, 80, 84 dhe 88 .
2. Një numër të konsiderueshëm të këngëve nga repertori i tij , Qamili i Vogël , na prezantohet si autor i versionit të melodisë .

Në këtë lloj të autorësisë , Qamili shfrytëzon krijimtarinë gojore popullore që nga lashtësia , por në mungesë të melodive të tyre , ky ua kompozon meloditë e reja dhe ato i jetëson për tu kënduar me ëndje në popull .
Të këtilla janë këngët numër :1, 2, 4, 21, 26, 30, 41, 42, 44, 45, 46, 47, 48 , 49, 56, 58, 63, 64, 65, 66, 67, 68, 69, 70, 71 dhe 72.
3. Versioni i tretë i autorësisë së Autorit , na paraqitet në disa këngë për të cilat i ka shkruar vetëm tekstet , apo vargjet e tyre . Në këtë rast , Qamili i ka shfrytëzuar me një mjeshtri të gdhendur meloditë e këngëve të vjetra popullore , të cilat përkundër melodisë së bukur ; nuk kanë pasur tekste kualitative .
Të këtilla janë këngët numër : 5, 29, 33, 34, 35, 55, 57, 60, 61, 75, 76, 78, 81, 82, 85, 87 dhe 94.

Në krijimtarinë e Artistit , nuk mungon as bashkëpunimi i ndërsjellë me autorët e tjerë, qoftë të tekstit, apo melodisë .
Të tilla janë këngët numër : 25, 38 dhe 77, të krijuara në bashkautorësi me Qazim Berishën , Ibrahim Krasniqin dhe Rexhep Hoxhën .

Karakteristikë tjetër në krijimtarinë e Artistit të Madh është paraqitja e dy këngëve me tekste të ndryshme , por me melodi të njëjtë . Kjo dukuri , sipas të gjitha gjasave , do të ketë ardhur si pasojë e mosnjohjes së notave muzikore .

Kështu, bie fjala, melodia e këngës :”M’ agoi drita n’ breg t’ nji përroni” që është e sistemuar në numrin rendor: 16, na paraqitet pa asnjë ndryshim edhe në këngën me titull: “Nji ditë t’ Diele u zu dashnija”, që është radhitur nën numrin rendor: 17 .

Melodia e këngës me titull : “Tërmeti i Dibrës”, numër 52, do ta shoqërojë më vonë edhe tekstin e këngës me titull: “Kënga e Ulqinit” në numrin rendor :84.
Melodia e këngës me titull : “Dhetë Qershor , Shtatëdhetë e Tetë”, (Nr. 62), do ta shoqëroi më vonë edhe tekstin e këngës me titull : “Hajde moj buzëburbuqe”, në numrin 32.

Melodia e këngës me titull : “Hajde çikë sonte për darkë” , në të cilën Qamili prezantohet vetëm si autor i melodisë , e që mbanë numrin : 26 , do të shfrytëzohet më vonë për ta kënduar tekstin e këngës me titull : “Hajde djalë të rrishë me dadën”, numër 29 , ku tani Qamili prezantohet si autor i tekstit , por jo edhe i melodisë .

Në opusin krijues të Qamilit të Vogël vend meritor zënë këngët që trajtojnë motive qytetare dhe ato me motive fshatare . Tematika e këtyre këngëve është shumë e larmishme , nga se në to trajtohen temat e dashurisë , të dasmës , të jetës baritore , këngë ushtrie , këngë burgu, këngë kurbeti, këngë elegjiake , këngë historike , patriotike , këngë me motive nga Lufta Nacionale – Çlirimtare / pjesëtarë i së cilës ishte edhe vet / dhe këngë me përkushtime të ndryshme .

Të paktë janë ata dëshmorë të LNÇ-së , të cilët nuk kanë zënë vend në këngët dhe në krijimtarinë e Qamilit të Vogël. Se Qamili i Vogël , ishte një këngëtar dhe krijues demokrat i vërtetë , internacionalist , njeri i paqes , mirëqenies dhe tolerancës ndëretnike , këtë më së miri e dëshmojnë këngët e tij, numër 81 dhe 82 , ku u këndon pa dallim , dy luftëtarëve dhe dëshmorëve të LNÇ-së : Boro Vukmiroviqit dhe Ramiz Sadikut , të cilët u pushkatuan në Landovicë të Prizrenit.

Gjatë mbledhjes , shënimit dhe deshifrimit të këngëve të Qamilit të Vogël , jam munduar maksimalisht , që t’ a ruaj ngjyrën dhe të folmen autoktone , të cilën e ka përdorur Qamili i Vogël në këngët e tij .

Në pjesën përfundimtare të këtij libri, i kam bashkangjitur edhe gjashtë këngë – përkushtime , të cilat ia kushtuan dashamirët e tij , pas vdekjes së Qamilit të Vogël, siç janë : Hashim Shala , Agim Gashi, Demir Krasniqi , Ramadan Krasniqi për të përfunduar me këngën e tij të fundit me titull: “Vjersha ime “ , e cila vërtetë është një auto – epitaf i autorit të ndjerë , të cilën e kishte shkruar plot 15 vite para se të vdiste .
Këtij Auto – epitafi , ia kam kompozuar melodinë unë dhe e kam shndërruar në këngë , ku edhe e kam publikuar në audio – kasetën time.

Për punën time rreth veprës dhe jetës së Qamilit të Vogël , ku për çdo përvjetorë të vdekjes së tij , i kam mbajtur programe memoriale publike dhe i kam botuar një monografi mbi jetën dhe veprën e tij , me rastin e 10 – vjetorit të vdekjes së Qamilit të Vogël, Familja e tij , më kanë nderuar me faljen e kompletit të kostumeve kombëtare të Qamilit të Vogël, me çka më kanë bërë një nder tepër të madh dhe njëherësh më ka obliguar që punën e këtij këngëtari dhe krijuesi legjendar ta çoj deri në fund .
Për këtë , dëshiroj që Familjen Muhaxhiri , ta falënderoj publikisht dhe do t’ iu jam mirënjohës i përjetshëm , si unë, ashtu edhe familja ime !

Në fund: – Për gjithë atë që bëri , krijoi dhe na e la në trashëgimi Qamili i Vogël – i qoftë për nderë , i qoftë Lavdi dhe i qoftë i lehtë Dheu i Kosovës !

Gjilan, Nëntor 2006.

Biografia e këngëtarit Qamili i Vogël – Muhaxhiri ( 1923 – 1991 )
Qamili i Vogël – Muhaxhiri , u lind më 1923, në një familje të varfër bujqish, në mëhallën e Gecës në Gjakovë .

Në mungesë të kushteve për shkollim të rregullt , në mënyrë autodidakte ka mësuar shkrim – lexim dhe me punë të pavarur arriti arsimimin elementar .
Ka qenë pjesëmarrës i LNÇ-së . Më vonë u kualifikua si punëtor grafik në Shtypshkronjën e NGB “Rilindja” të Prishtinës , ku edhe punoi deri në pension .
Qysh si fëmijë , u vërejt talenti i tij i rrallë ndaj muzikës , ku tregonte interesim të madh ndaj këngës . Talenti i tij , shumë shpejt i ra në vesh mjeshtrit të madh të këngës dhe sharkisë – Ymer Agë Rizës nga Gjakova . Ai e mori Qamilin në Grupin e vet muzikor dhe aty i bëri hapat e parë në këngën popullore .
Me Grupin muzikor të Ymer Rizës , ishte edhe një këngëtar tjetër më i moshuar, Qamil Idriz Haxhija .

Qamil Muhaxhirin si fëmijë, kudo që shkonte nëpër ndeje e ahengje gjakovare , publiku e priste me një simpati dhe një admirim të madh .

Mu aty lindi epiteti : “I VOGËL” , epitet ky që shumë shpejtë do të zëvendësojë mbiemrin e tij – MUHAXHIRI dhe ky mbiemër do ta përcjellë deri në vdekje Qamilin e Vogël – këngëtarin tonë të madh .

FIDANISHTJA

Mbiemri i vërtetë i Qamilit të Vogël – Muhaxhiri del nga rrethanat tona të njohura historike , nga se me rastin e shpërnguljeve të mëdha të shqiptarëve nga fshatrat e rrethit të Jabllanicë , të parët e Familjes së tij, ishin të ardhur në Gjakovë nga fshati Stubëll i
komunës së Medvegjës . Andaj, si në çdo qytet tjetër, ashtu edhe në Gjakovë, të gjithë ardhacakët quheshin : “Muhaxhirë” !

Qamili qysh herët mbeti jetim pa prindër . Gjendja e rëndë ekonomike në atë kohë, nuk i dha mundësi që të shkollohej , prandaj u detyrua që të kërkojë punë në Tiranë, ku bëhej si shegert te një zotëri – në një kafene .

Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Qamili më tepër interesohej për këngën, se sa për profesionin e kamerierit . Atje ra në kontakt me shumë këngëtarë me eminent të asaj kohe, prej të cilëve mësoi shumë këngë të ndryshme popullore .
Pas disa vitesh , përsëri kthehet në vendlindje .

Më 1952, pranohet si këngëtar i rregullt dhe solist i programeve të rregullta të Radio Prishtinës . Në atë kohë, Qamili punësohet edhe si punëtor grafik në Ndërmarrjen Grafike Botues “Rilindja” në Prishtinë, ku punon deri në pension .

Qamili i Vogël i takoi plejadës së parë të këngëtarëve popullorë kosovarë të pasluftës , siç janë : Zyhra Mula, Meserete Çavolli, Mazllom Mejzini, Nexhmije Pagarusha, Ismet Peja, Hivzi Vokshi, Xhejlani Broçi, Adem Ejupi , Lilijana Çavolli, Muhamet Shala, Shahindere Bërlajolli, Qerimane Imami, Myrvete Fetahu, Gonxhe Gashi, Lajde Berisha, Behixhe Pakashtica , Anton Tomi , Gonxhe Manaku , Ismet Veseli, Rexhep Zajazi e shumë të tjerë .

Pasi u pranua në Radio Prishtinë , Qamili i Vogël kontribuoi dukshëm edhe në prezantimin e këngëve burimore me motive fshatare , si dhe në afirmimin e rapsodëve më eminent të asaj kohe , siç ishin : Salih Bajrami , Feriz Krasniqi, Riza Bllaca, Sefedin Gashi- Mleqani, Dervish Shaqa , Ibrahim Krasniqi, Hamide Sadiku , Halil Cërvadiku, Bajrush Doda, Tahir Drenica, Hashim Shala e shumë të tjerë .

Qamili i Vogël , me zërin e tij kumbues dhe me punën e tij të palodhshme prej këngëtari, arriti që t’i mbajë për vete shumë adhurues të këngës popullore me decenie të tëra , çka është rast shumë i rrallë në historikun e këngëtarëve të tjerë .

Popullariteti i tij ndër masa të gjëra popullore , qëndron tek veprimtaria e tij e shumëllojshme pesëdhjetëvjeçare në fushën e artit poetiko – muzikor me karakter popullor . Ai shumë herët filloi të thurë edhe vetë këngë me motive të ndryshme që e përshkonin jetën e tij .

Zëri i tij tingëllues , i ngrohtë dhe i fisnikëruar me melizmatikë të këndshme , sidomos për veshin e dashamirëve të këngës sonë qytetare , duke na shoqëruar vite të tëra nëpërmes të valëve të Radio Prishtinës , pllakave të gramafonit , audio – kasetave , video – kasetave dhe koncerteve të shumta publike , bëri që aderuesit e këngës sonë ta duan , ta çmojnë dhe ta nderojnë figurën e Qamilit të Vogël , si këngëtar , duke e ngritur deri në piedestal me epitetet më të çmuara .

Ai përhapi këngët tona popullore në çdo mes dhe në çdo rreth shoqëror . Si solist dhe së bashku me grupe të ndryshme këngëtarësh , afirmoi këngën tonë , jo vetëm në Kosovë dhe në viset e banuara me shqiptarë , por edhe më gjerë në Evropë, Azi, Amerikë e gjetiu , ku u mirëprit dhe u përshëndet ngrohtësisht kudo para publikut .
Qamili i Vogël është i njohur edhe për kontributin që ka dhënë në formimin , afirmimin dhe aftësimin e këngëtarëve tjerë popullor dhe me formimin e grupeve muzikore me gjithë përcjellje instrumentale .

Më 1967, në Gjakovë formon Grupin e njohur të këngëtarëve dhe muzikantëve popullor burimor “Ymer Riza”, i cili e kultivoi më tej sidomos këngën tonë qytetare, përend të parë atë gjakovare , pastaj shkodrane , tiranase , elbasanase etj.

Qamili i Vogël është këngëtari i parë kosovarë që u interesua dhe u angazhua për botimin dhe incizimin e këngëve popullore shqiptare në disqe gramafoni , libra, audio – kaste , koncerte , festivale e të tjera .

Ai në regjinë e vet private incizoi shumë disqe e audio – kaseta me këngë dhe këngëtarë të ndryshëm kosovarë .
Më 1967, u bë producent dhe përfaqësues ekzekutiv në Shtëpinë Diskografike “Jugoton” të Zagrebit, duke i dhënë kontribut të madh zhvillimit të diskografisë popullore shqiptare .

Në këtë shtëpi diskografike, Qamili përveç veprave të veta muzikore , afirmoi dhe plasoi këngë të reja , këngëtarë e grupe të reja muzikore nga të gjitha trevat e Kosovës, siç janë: Shkurte Fejza , Shyhrete Behluli, Kumrije Buçaj , Vjollcë Buçaj, Shpresa Berisha , Nezafete Shala ,Zylë Krasniqi , Remzije Osmani, Shaban Baksi , Selajdin Miftari, Riza Spanca, Abdurrahman Sfirca, Ramë Tzhaçi, Ismet Demaj , Fatmir Makolli, Qazim beha , Sali Berisha , Nukollë Nukprelaj etj.

Qamili i Vogël, nuk ishte vetëm këngëtar popullor, por ishte edhe poet dhe kompozito laik popullor , punëtor i palodhshëm i cili tërë jetën ia kushtoi këngës dhe përhapjes së saj në popull .

Në regji të vet private , botoi njëmbëdhjetë tufëza me këngë popullore dhe nga opusi i vet krijues.
Veprat e tij të botuara në formë të tufëzave , apo blejve janë :
1. “Bylbyli në Çabrat” – Prishtinë, 1957, 1961.
2. “Me sharkinë e Ymer Rizës” – Prishtinë, 1959, 1961.
3. “ Lulet e beharit” – Prishtinë, 1963.
4. “Tre hasjanët” – Prishtinë, 1963.
5. “Flaka e zemrës” – Prishtinë, 1963.
6. “Këndojnë bylbylat” – Prishtinë, 1973.
7. “Fyelli i bariut” – Prishtinë, 1973.
8. “Lule gjaku” – Prishtinë, 1975.
9. “Valët e kohës” – Prishtinë, 1975.
10. “Këngë krenare” – Prishtinë, 1978 dhe
11. “Lulëkuqe të dashurisë” – Prishtinë, 1978.

Ai të gjitha botimet e veta ua shpërndante gratis dashamirëve besnikë të këngës popullore shqiptare . Nuk përtonte e as nuk kursente kohë e mund për të shkuar me shpenzimet e veta nëpër shkolla në fshatra të Kosovës e më gjerë, për t’ua shpërndarë nxënësve dhe arsimtarëve , sepse ishte i vetëdijshëm se brezi i ri është ai i cili do ta trashëgonte këngën tonë popullore .

Në anën tjetër, Qamili i Vogël botoi 9 disqe gramafoni me këngë të veta dhe rreth 20 audio kaseta me këngë e valle të trevave tona si dhe disa video kaseta .

Në këto përmbledhje botimesh, përveç këngëve burimore popullore , tingëllojnë edhe këngët e Qamilit me motive të dashurisë së zjarrtë djaloshare, disa prej të cilave shprehin ndjenjat e miqësisë dhe të nostalgjisë ndaj vendlindjes, mandej këngë për fatin tragjik të individëve , në veçanti te të rinjve .

Qamili i Vogël vdiq në moshën relativisht të re, po sa i mbushi të gjashtëdhjetë e tetat , pikërisht më datën 4 Nëntor të vitit 1991, në Prishtinë , kur ne dashamirët e këngës së tij, pritnim akoma vepra të reja prej tij .

Ai i mbylli sytë përgjithmonë me të vetmen dëshirë:
– Që ta shohë Kosovën e lirë dhe të pavarur , që t’ ia dhurojë këngët që i vlonin në gji gjatë tërë jetës së tij !
Por, këtë dëshirë nuk e deshi fati ta përjetonte !
Ai, vdiq duke na e lënë amanetin e tij, neve brezave të rinj :
-Ta duam këngën , ta kultivojmë atë në çdo mes dhe ta këndojmë me dashuri, pa e çoroditur asnjëherë dhe që Kosova – kurrë të mos mbetet pa këngë !”
Qamili, vërtetë vdiq, por toka e zezë e rrëmbeu atë prej nesh vetëm fizikisht !

Ajo ka fuqi aë ta kalbë vetëm trupin e këngëtarit , por kurrë nuk ka fuqi që t’ ia kalbë zërin, këngën dhe veprën e tij!

Ato do të jetojnë me ne dhe pas nesh , brez pas brezi !
Ne këngëtarët e rinj dhe dashamirët e këngës së tij, zotohemi se amanetin e tij do ta çojmë në vend dhe se kënga e tij do të jetojë në zemrat tona !
Shëmbëlltyra e tij, do të jetë udhërrëfyese për ne , se si duhet kultivuar , krijuar , kënduar e ruajtur kënga jonë krenare !

Për figurën e tij madhështore si këngëtar dhe krijues i këngës , populli i thuri epitete shumë të forta, si:
“Qamili i Vogël – këngëtar i madh”,
“Qamili i Vogël – mësues i këngës “,
“Qamili i Vogël – shkollë e këngës” ,
“Qamili i Vogël – ambasador i këngës shqiptare”,
“Qamili i Vogël – shpirti i këngës”,
“Qamili i Vogël – mjeshtër i këngës”,
“Qamili i Vogël – pionier i këngës “,
“Qamili i Vogël – veteran i këngës” ,
“Qamili i Vogël – legjendë e këngës” e shumë e shumë epitete tjera .

Kënga dhe vepra e Qamilit të Vogël do të jetojë , aq sa të jetojë gjuha e ëmbël e Nënës Shqiptare !

Gjilan, Nëntor 2006. Demir Krasniqi

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.