RCCOLA

Në 19-vjetorin e Betejes së Zhegocit, nis ndërtimi i autostradës Prishtinë – Gjilan – Konqul

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Në 19 vjetorin e Betejes së Zhegocit, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kabineti qeveritar kanë bërë hapjen zyrtare të punimeve të autostradës Prishtinë-Gjilan-Konqul.

I pari i qeverisë, Ramush Haradinaj, tha se në këtë ditë ndihet krenar kur i kujtojmë të rënët për liri, duke shtuar se sot na është bashkuar edhe një ndjenjë tjetër.

“Sot atdheu ynë po bëhet më i bashkuar. Realizimi i këtij projekti është meritë e të gjitha qeverisjeve paraprake”, u shpreh Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, theksoi se nuk ka pasur ditë më të mirë për fillimin e këtij projekti gjigant, sesa në shënimin e përvjetorit të madh të Betejes së lavdishme të Zhegocit, në të cilën u vranë 8 ushtarë të luftës çlirimtare dhe 18 civilë.

Ai ka falënderuar qeverinë Haradinaj dhe ish qeverinë e Isa Mustafës, përkatësisht ish- ministrin Zharku, për projektimin e kësaj autostrade, projekt ky që do të krijoj zhvillim të hovshëm ekonomik për gjilanasit dhe Anamoravën në përgjithësi.

KKVITI

“Nuk është rastësi që autostradën e kemi çu deri në Konqul sepse Kosova Lindore bashkë me Malësinë e Gollakut përbëjnë 30 për qind e popullatës së Republikës. Ky projekt jep mundësi që edhe në korridorin e kombit, Anamorava dhe kjo zonë të integrohet në më pak se gjysmë ore distancë kohore, por edhe Kosovës i jep mundësi për dalje në korridorin e 10 ndërkombëtar”, tha Haziri.

“Kjo është një mundësi e madhe për zhvillim ekonomik dhe qarkullim të shkurtër për qytetarët e Anamoravës dhe për bashkatdhetarët. Së shpejti do të fillojë edhe ndërtimi i rrugës prej Pllakës së Dëshmorëve për Verbicë të Zhegocit për t’u lidhur me Lipjanin. Ky projekt është po aq i rëndësishëm sa autostrada, e cila do t’ua lehtësoj jetën këtyre banorëve që janë kontribuues të mëdhenj të lirisë. Urime kjo ditë e madhe dhe lavdi të gjithë dëshmorëve”, ka thënë Haziri.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, theksoi se është e lumtur që gjinden në Anamoravë në, siç tha, vendin e sakrificës, kulturës e artriti për të nisur një vepër shumë të veçantë dhe shumë të rëndësishme për të gjithë qytetarët e kësaj ane.

Nga ana e tij, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, u shpreh i lumtur për fillimin e këtij projekti, duke thënë se më këtë autostradë po bëhet lidhja e Prishtinës me Kosovën Lindore./rajonipress/