Eko Higjiena

Ndjenja e lakmisë dhe sakrificës

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Nexhmedin Saqipi – Zhvillimet e fundit politike në Kosovë, sidomos gjatë veprimeve spektakulare të gjykatës speciale, nxorën në sipërfaqe, karakteret njerëzore të një pjese të lidershipit kosovar dhe tupanxhinjve të tyre mediatikë, të cilët me padurim kishin pas pritur që rivalët e tyre politikë të përfundojnë prapa grilave të burgut ndërkombëtar në Hagë.

Asnjë shtet në botë përveç Kosovës, nuk do të kishte lejuar, që liderët e tyre institucionalë, duke u nisur nga i pari i shtetit presidenti, sa do që vullnetar me dorëheqje të shkoj për t’u gjykuar nga një gjyq ndërkombëtar e pas tyre të thuren afera në vend të lavdeve për merita.

Veprimtarët e kalibrit presidencialë siç është Hashim Thaçi dhe të tjerët funksionerë e liderë partiakë, që shkuan dhe shkojnë në Hagë, ata kanë një mision dhe kauzë për mbrojtjen e vlerave çlirimtare, të një lufte mbinjerëzore e cila solli lirinë dhe pavarësinë e shtetit më të ri në botë Kosovës.

Po klasa tjetër politike dhe institucionale, që bënë sehir pas këtyre veprimeve të speciales, nuk duhet ambicien e sëmurë për pushtet, ta reflektoj ashtu publike, siç po ngjet me ata që mbajnë pushtet me marifet, duke dhënë shembullin e keq, të sindromit të quajtur lufta për pushtet, ofiqe dhe privilegje.

Fundi-fundit, ata që e kanë shijuar gjellën e dhomave të specializuara të Hagës dhe ish burgjeve e kazamateve të Jugosllavisë, janë kthyer në popull si heronj, shpëtimtarë dhe misionarë të lirisë dhe pavarësisë. Kështu do të ndodh edhe me këta të fundit të arrestuar nga Gjykata Speciale, për kinse krime lufte kundër njerëzimit.

Mirëpo, sjellja pa etikë e pa bonton të disa liderëve politikë e institucionalë në Kosovës dhe përreth saj, ku jetojnë shqiptarët të ndarë e të përçarë si: Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut e Luginë të Preshevës, tregon për një papjekuri e maturi politike, duke krijuar një imazh të keq për gjithë ata, që u ka mbetur pak ideal e karakter për t’i çuar përpara proceset demokratike, për integrim e bashkim si të themi kombëtar e evropian.

Mobi Casa

Lufta e ashpër dhe pa kompromis midis rivalëve politikë, kudo qofshin ata, janë shkaktarët kryesorë, që na kanë lënë kështu të ndarë dhe të përçarë. Nga këto veprime të ulëta dhe cinike, të lënë përshtypjen se këta politikanë provincialë dhe prapanikë, janë në gjendje të bëjnë çmos për t’u ngjitur në pozita të larta pushtuese, pa e peshuar veten se sa vlejnë dhe sa e meritojnë atë pozitë, çfarë e dëshirojnë?

Jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë përvoja jonë e hidhur, ka treguar se lufta për pushtet është shumëfish më e madhe se ajo për shtet. Me u pas angazhuar shqiptarët për shtet se sa luftojnë për pushtet, sot nuk jemi ashtu siç jemi të ndarë e të katandisur në shumë shtete e vilajete.

Po lufta jonë e karaktereve dhe sakrificave nuk mbaron vetëm me Gjykatën Speciale dhe dhomat e saja të specializuara në Hagë, ajo do të vazhdoj edhe më tej, duke u acaruar edhe më shumë.

Sa më shumë dhe sa më gjatë të zgjas kjo luftë për pushtet e shqiptarëve në hapësirat Ballkanike, aq më shumë zbehet përshtypja e të huajve ndaj nesh se jemi raca më e mirë, se jemi populli më besnik dhe më liridashës, se jemi popull paqësor e miqësor, se jemi mbi të gjitha solidarë e tolerant.

Për të mos vazhduar me avazet e vjetra klasa jonë politike shqiptare duhet të lirohet nga veset, lakmitë dhe dukuritë e tjera negative, nga të cilat sot që i kemi e vazhdojmë të bashkëjetojmë me to, brezi ynë i ardhshëm do të skuqet dhe turpërohet njëkohësisht. E gjithë kjo që po ndodh tani mes nesh, mos raft me u harruar, ka thënë populli ynë i dashur!