RCCOLA

Ndiqeni BKT-në

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Njohësit e ekonomisë shpresojnë se rasti i BKT-së, e cila uli në 7 për qind interesin për kredi personale, të ndiqet edhe nga bankat e tjera. Sipas tyre, kjo ofertë hedh poshtë arsyetimet disavjeçare të bankave se në Kosovë nuk ekzistojnë kushtet për t’i ulur kamatat. Kjo është norma më e ulët e kredisë që nga paslufta.

Bankat në Kosovë, normat e larta të interesit që aplikojnë deri tani i kanë arsyetuar me problemet si mosfunksionimi i gjykatave, ambienti jo i favorshëm dhe kreditë e këqija.

Por rasti i Bankës Kombëtare Tregtare, e cila e uli në 7 për qind normën e interesit në kreditë personale, sipas njohësve të ekonomisë, e dëshmon të kundërtën.

Ata thonë se nëse merren parasysh parametrat ekonomikë, diçka e tillë ka pasur hapësirë të ndodhë edhe më herët.

Sado që këtë e shohin një iniciativë të mirë, megjithatë nuk mendojnë se kjo mund të këtë ndonjë ndikim të madh në konkurrencë me bankat e tjera.

Me këtë ofertë, BKT-ja ka dalë tashme në treg. Në një njoftim të saj, thuhet se kjo bankë ofron kredi personale me vetëm 7 për qind. Nga kjo ofertë mund të përfitojnë të gjithë të punësuarit në institucionet publike, të cilët e marrin ose e kalojnë pagën në BKT dhe mund ta përdorin atë për çfarëdo nevoje të tyre.

“Oferta përmban kredinë personale me shumë deri në 5,000 euro, afati i kthimit të kredisë është deri në dy vjet, pa shpenzime administrative dhe pa garantues”, thuhet në njoftimin e BKT-së.

Aktualisht, në shumicën e bankave në Kosovë, mesatarja e kamatës për kredi individuale është 14.2 për qind, kurse për biznese 16.65 për qind.

Ibrahim Rexhepi, drejtor i organizatës joqeveritare STRASS, thotë se bazuar në parametrat ekonomikë, ka hapësirë për ulje të kamatave.

Fundamenti

“Kur i kem parasysh raportin mes kamatave hyrëse edhe dalëse të bankave, është shumë e qartë se ka pasur hapësirë për të intervenuar në uljen e kamatave në kredi. Meqenëse ky dallim të bankat është më i madhi në krahasim me vendet e rajonit”, ka vlerësuar Rexhepi.

Sa i përket ofertës së fundit të BKT-së, Rexhepi nuk është edhe aq optimist se kjo mund të ndikojë në uljen e kamatave edhe nga bankat e tjera. Megjithatë, thotë se kjo ofertë dëshmon, së paku, që bankat nëse duan kanë hapësirë të intervenojnë për uljen e normës së kredisë.

Këtë ofertë e kanë mirëpritur edhe zyrtarët e Odës Ekonomike të Kosovës.

Sekretari Berat Rukiqi thotë se kjo është një iniciativë e mirë dhe shpreson të jetë sinjal për të lëvizur kamatat në përgjithësi.

“Ne mendojmë që bankat kreditë me çmim me të ulët duhet t’i shohin si investim. Shpresojmë që banka në fjalë të fitojë klientë të rinj dhe të zgjerohet qarkullimi i saj”, tha Rukiqi.

Sipas tij, do të duhej që bankat të mos bazohen vetëm në klientë tradicionalë, por të mendojnë edhe për klientë të rinj, në mënyrë që të ndikojnë që të rritet konsumi dhe për bizneset të rriten investimet.

Ndërkaq, se sa po dëmtohen bizneset nga kamatat e larta, tregon analiza e fundit “Sektori privat – ndihmesë apo barrierë”, publikuar nga instituti “Riinvest”.

Aty thuhet se mbi 70 për qind e firmave në Kosovë nuk kanë aplikuar për kredi në vitin 2010, për shkak të normave të larta të interesit, që shkojnë deri në 16 për qind.

“Të gjitha kreditë me mbi 10 mijë euro, janë të garantuara me kolateral dhe kolatarali në Kosovë është 263 %, e vetë kredive të lëshuara nga bankat. Do të thotë, bankat në Kosovë garantohen me një kolateral që ka një vlerë shumë më të madhe, e që në rajon është 126 për qind të vlerës. Dhe ne konsiderojmë që kjo i bën me risk më të ulët kreditë e lëshuara në Kosovë”, thuhet në këtë analizë.(express)