Ndikimi i ndryshimeve institucionale në rrethinën biznesore në Kosovë

Nga Raif Ramabaja – Teoria institucionale e ndryshimeve organizative në fokusin e vet e ka mënyrën specifike dhe radikale të ndryshimeve organizative, atyreve të cilat janë produkt dhe që kanë dalur si rezultat i ndryshimeve në rrethinën institucionale të organizatës. Kjo teori paraqet një nga shumë perspektivat sociale në teorinë e organizimit.
Viteve të fundit, teoria institucionale furishëm ka fituar në popullaritet. Kjo për faktin se kjo teori skjaron: a) transformimin e organizatës në shoqërinë post-industriale dhe b) transformimin e organizatave në vendet në tranzicion, gjegjësisht në ish shtetet socialiste, të cilat tani po kalojnë nëpër ndryshime të mëdha shoqërore në rrugën e ndërtimit të një ekonomie të tregut.
Argumenti kryesor i teorisë institucionale qëndron në faktin se, organizimi dhe mënyra e organizimit të organizatave përfshinë idetë dhe rregullat e krijuara vetë jashtë organizatës, në rrethinën e sajë institucionale.
Rrethina institucionale e organizatës, pra nënkupton – përfshinë të gjitha institucionet dhe organizatat të cilat marrin pjesë në krijimin e standardeve, normave, politikave ,procedurave dhe rregullave të caktuara për atë se si duhet të jenë a duken produktet në sektorin e caktuar të ekonomisë dhe shoqërisë dhe si duhet të jenë të strukturuara organizatat, të cilat i prodhojnë ato produkte (prodhime).
Shi për këtë, në komponentën e rrethinës institucionale mund të jenë : agjencionet e qeverisë, ligjëvënësit, odat ekonomike dhe shoqatat e bizneseve, organizata të ndryshme profesionale nga vendi dhe jashtë.
Teoria institucionale ngërthen në vete edhe një faktor kontingjent të rëndësishëm, i cili e determinon apo përcakton dizajnin organizativ, rrethinën institucionale.
E kjo qartë na mëson se organizatat duhen t’i nënshtrohen përveç rrethinës dhe ndikimit të tregut edhe rregullave që dalin nga rregullativa e rrethinës institucionale.
Edhe në ekonominë e Kosovës, ndikimi i rrethinës institucionale është evident në çdo sektor, por nuk është me fuqi të njëjtë në secilin prej tyre. Në disa fusha ai është më i pranishëm, e në disa është më pak i dukshëm. Presioni që vjenë nga rrethina institucionale shpie deri te pranimi i rregullave organizative nga të gjitha organizatat në atë sektor, e më këtë edhe te konvergjenca më e madhe,përkatësisht ngjashmërisë së organiza-tave ne një sektor.
Organizatat ekonomike në Kosovë kanë qenë shumë të ndikuara nga ndryshimet e shpeshta institucionale (UNMIK, EULEK, Qeveria e Kosovës) dhe krijimit të situatave konfuze dhe të pakjarta që kanë ndikuar në humbjen e pakompensueshme të kohës. Rregulativa e pa qartë juridiko-ligjore (rrethina institucionale) ka krijuar huti dhe pakënaqësi te investitorët ekzistues dhe po prolongon interesimin e investitorëve të rinj për të investuar në Kosovë.
Organizatat e suksesshme janë ato organizata, të cilat me sukses kanë aplikuar edhe rregullat që dalin nga rrethina institucionale, pra kanë pranuar me kohë ”rregullat e lojës”.
Karen Neëman (2000) e ka zgjeruar konceptin e ndryshimeve institucionale me analizë të transformimit të ndërmarrjes në Evropën Lindore. Hipoteza kryesore e sajë është e bazuar në atë se, kur rrethina institucionale ndryshon tepër shumë dhe tepër shpejt, kur kjo rrethinë është në turbulencë, shkalla e probabilitetit e transformimit të ndërmarrjes zvogëlohet. Pikërisht, ky ka qenë edhe rasti me transformimin e ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, ku kemi përjetuar një kaos të vërtetë, sepse ndërmarrjet nuk e kanë pasur rrugën e qartë institucionale.
Sigurisht edhe kur ndryshimet e rrethinës institucionale janë tepër të vogla, deri te transformimi i ndërmarrjes nuk do të vijë, sepse kjo rrethinë institucionale nuk bënë presion të mjaftueshëm në to. Kjo do të thotë se, deri te transformimi organizativ do të vijë, atëherë kur shkalla e ndryshimeve institucionale është në nivelin e caktuar optimal.
Nuk ka asnjë dilemë (mëdyshje) se teoria institucionale, paraqet fushën më të mirë teorike për hulumtimin e transformimit organizativ të ndërmarrjes në vendet e tranzicionit nga modeli socialist drejt modelit të ekonomisë së tregut.
Në Republikën e Kosovës edhe për kundër masave të ndërmarra dhe përpjekjeve të bëra nga ana e organeve kompetente, me qëllim të arritjes së një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik, agjenda ekonomike nuk e ka pasur përkrahjen esenciale (përpos deklarativisht) as nga Qeveria e Kosovës e as nga akterët ndërkombëtarë, së paku jo deri me tani dhe sa duhet.
Një ligj, reformë apo vendim është i mirë po aq sa zbatohet në praktikë dhe jep rezultatet e pritura. Gjithsesi, në Kosovë na nevojiten shumë reforma si dhe zbatimi pa kompromis i tyre. Duhet krijuar siguri juridike duke eliminuar të gjitha barrierat institucionale burokratike, të cilat po e pengojnë ardhjen e investitorëve, shumë më tepër se sa barrierat fiskale. Disa masa janë ndërmarrë, por, siç po shihet nuk janë të bollshme.
Përmirësimi i dialogut mes sektorit publik e sektorit privat si dhe shoqërisë civile, me siguri se do të kontribuojë në ndërtimin e një besimi të dyanshëm në mes të bizneseve dhe institucioneve publike, me çka edhe do të përmirësohet ambienti biznesor.
Qeveria e Kosovës ka dhënë premtime të shumta për sundimin e ligjit, si një nga elementet kyçe për t’u integruar në BE. Po presim edhe më tutje efektet e këtij premtimi. Ratifikimi i MSA-së muaj më parë nga Kuvendi i Kosovës na mundëson që shteti i Kosovës për herë të parë të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me BE-në, por kjo nuk do të thotë se ne duhet të rrimë këmbë kryq dhe BE t’na lëshojë para nga aeroplani. MSA-ja është një rast a përparësi, të cilën në qoftë se dimë ta shfrytëzojmë, do t’i sjellë shumë dobi Kosovës në të gjitha fushat. Por ajo në anën tjetër paraqet edhe një sfidë të madhe për Qeverinë e Kosovës dhe bizneset në përgjithësi, të cilën gjithsesi duhet ta përballojmë me sukses. Kjo është një rrethanë e re dhe kërkon përkushtim plotësues.
Na nevojitet që ta rrisim cilësinë e prodhimeve tona, ta rrisim produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë kosovare, e cila tani është nën nivelin e duhur. Prodhimet jokonkurruese nuk janë vetëm dështim, ato janë humbje të cilat në vete mbajnë rastin në rritje për t’u përsëritur.
Prolongimi i mëtutjeshëm i të kaluarës jo të mirë, edhe më tepër ia vazhdon jetën në të ardhmen. Duhet të zgjohemi nga gjumi një herë e përgjithmonë,të zbatojmë reformat e duhura, ndërsa ata që kanë penguar dhe po e pengojnë zhvillimin ekonomik si dhe ardhjen e investitorëve në përgjithësi, pa marrë parasysh se kush është ( duke kërkuar 10-20% e kjo tani më është sekret publik ) më në fund të dalin edhe para drejtësisë.
Detyrat tona shtëpiake sipas të gjitha gjasave duhet t’i kryejmë vet. Sa më herët që këtë e kuptojmë, aq ma mirë. Modelet vetanake të realitetit, shpeshherë janë armiqtë më të mëdhenj të shoqërisë dhe ekonomisë Kosovare në të ardhmen./rajonipress/