Ndihmohen gratë e prekura nga kanceri

Gjilan – Grupi i grave të Kamenicës, ka realizuar një projekt, i cili kishte për qëllim t’i ofrojë një ndihmë simbolike me mjete financiare grave të prekura nga kanceri.
Kryetarja e Grupit të grave të Kamenicës, Besa Hoxha- Krasniqi, ka thënë se projekti është punuar bashkërisht nga anëtaret e këtij grupi, të cilin projekt e ka mbështetur edhe Kryetari i komunës së Kamenicës Shaip Surdulli.
Ajo tha se komuna e Kamenicës është komuna e parë e cila ka ndarë buxhet për gratë që nga viti 2010. Ndërsa, për këtë projekt është miratuar shuma prej 4 700 euro.
Kryetarja Besa Hoxha-Krasniqi tha se në komunën e Kamenicës janë të identifikuara 44 gra të cilat janë të prekura nga kjo sëmundje, dhe secilës grua nga buxheti i lartcekur, do t’i ndahen nga 100 euro. Mirëpo edhe pse kjo nuk është ndonjë shumë e madhe, tregon përkushtimin dhe vëmendjen e komunës dhe grupit të grave se ato nuk janë të harruara.
Përfitueset e kësaj ndihme duhet sjellin dëshminë për diagnozën, letërnjoftimin dhe kartën e bankës, në mënyrë që atyre mjetet tu transferohen në xhirollogaritë e tyre.
Krasniqi tha se komuna e jonë e ka përkrahur edhe iniciativën e Grupit Grave Deputete të Prishtinës, për blerjen e mamografis mobil për kancerin e gjirit.
Në një takim që ka mbajtur Grupi i Grave Deputete të Prishtinës, Kryetari i komunës së Kamenicës, ka premtuar se komuna e Kamenicës, do të ndajë një shumë prej 2 000 euro.
Ndryshe, vitin e kaluar Presidentja e Rrjetit Global të Gruas Shqiptare në Prishtinë me seli në Londër, ka ndarë edhe mirënjohje për Kryetarin Surdulli, duke përzgjedhur Kryekomunar të vitit./rajonipress/