Ndërtimet pa leje në veri do t’i parandalojmë

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka thënë të enjten se do të ndërmerren të gjitha masat ligjore për ta parandaluar ndërtimin pa leje të lagjes “Lugina e Diellit” në Komunën e Zveçanit.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Agani e ka quajtur të paligjshëm ndërtimin e kësaj lagje. “Zveçani dhe komunat e tjera në veri nuk i kanë dokumentet e duhura të planifikimit hapësinor që përfshijnë planin zhvillimor komunal dhe hartën zonale të komunës, mbi të cilat mund të lëshojnë leje të ndërtimit. Kjo lagje e nisur në këtë mënyrë, pa kurrfarë baze në dokumentet e planifikimit hapësinor, është e paligjshme. Prandaj, ne do t’i ndërmarrim të gjitha masat të cilat parashihen me ligjin në fuqi. Megjithatë, synojmë t’i parandalojmë ndërtimet pa leje dhe shpresoj se nuk do të ketë nevojë për rrënime”, ka deklaruar Agani.
Ai ka folur edhe për procesin e vijës administrative të Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut, duke thënë se Komisioni Evropian i ka argumentet në duar dhe mund ta shtyjë përpara procesin. “Besoj se në ditët në vijim do të shohim lëvizje pozitive”, ka theksuar Agani, duke shtuar se nuk ka asnjë arsye që të shtyhet edhe më tutje liria e lëvizjes mbi urën e lumit Ibër. “Si ministri do të jemi shumë të vendosur që brenda afatit të përcaktuar me marrëveshjen e Brukselit, pra më 15 qershor, të fillojë qarkullimi mbi urën e lumit Ibër, si dhe sa më shpejt të fillojnë bisedimet ndërmjet dy komunave për kthimin e të gjithë qytetarëve në veriun e vendit dhe rindërtimin e shtëpive në lagjen ‘Kroi i Vitakut’”, ka thënë Agani.
Agani, i cili është edhe lider i Partisë së Drejtësisë (PD), ka folur edhe për procesin e demarkacionit me Malin e Zi. Ai ka thënë se ky proces meriton një debat përmbajtjesor në Kuvendin e Kosovës.
Sipas Aganit, nëse Kuvendi nuk arrin ta ratifikojë këtë marrëveshje, është e nevojshme të bëhet një raund i ri i bisedimeve politike me Malin e Zi dhe të gjendet mundësia për ta dërguar tërë çështjen në arbitrazh ndërkombëtar. Agani ka thënë se në asnjë mënyrë nuk duhet të lidhet vendimi i Kuvendit të Kosovës për demarkacionin me një çështje politike siç është liberalizimi i vizave.