Fundamenti

Ndërroi jetë Fetah Hoxha, një veteran e misionar i arsimit shqip

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Pas një sëmundje të rëndë, dje pas dite ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare Fetah Hoxha, një arsimdashës i denjë i shkollës shqipe. Siç dihet, Fetah Hoxha ishte mësues nga fshati Cërnicë e Gjilanit. Ai qe një veteran e misionar i madh i arsimit shqip. Punoi dhe punën e bëri punë. Përkundër dhunës dhe politikës serbomadhe, ai kurrë nuk hoqi dorë nga arsimimi i drejtë i popullit tonë shqiptar. Përherë ka qenë në krye të detyrës.

Edhe në kushte të vështira të jetës e punës, Fetar Hoxha udhëtoi nga disa kilometra në këmbë nga vendlindja, Cërnica, gjer në cakun e shkollës në Gjilan, dhe anasjelltas. Ai në vete ndjente një kënaqësi të veçantë ndaj shkollës dhe ndaj arsimimit të popullatës. Përherë e kishte në mendje thënien e Sami Frashërit, i cili, për personalitetin e mësuesit, pati shtuar: “Mësuesi formon tërë zemrën e popullit”! Kjo thënie me vend e Samiut, mësuesit Fetah, tash i nderë, fort i pëlqente.

Kjo thënie e Samiut të madh, ia relaksonte shpirtin dhe zemrën mësuesit Fetah, i cili, sot na mungon të gjithëve, e më së shumti ju mungon familjarëve të tij. Ai, sa ishte gjallë, në shumë tubime dhe ndeja me shokë e me shkollarë, fjalët e Sami Frashërit i përsëriste dhe bashkëjetonte me to. Pse jo? Ishte i tillë, i cili, me punë të palodhshme dhe entuziazëm, hynte në zemër të popullit e të shkollarëve tanë. Jo vetëm kaq.

Fetah Hoxha, tash i nderë, ishte njeri i formuar dhe me virtyte të larta njerëzore. I pati hije fjala dhe ndeja. Kur fliste, goja i qitte sheqer. Edhe tek shkollarët, ku i edukoi dhe i arsimoi, la përshtypje të mëdha. Ishte njeri me traditë të pasur atdhetare. I tillë ishte dhe mbeti ky mësues i popullit, i cili, sa punoi me ditar në dorë, la vepra të mira tek shkollarët dhe tek masa e popullit.

Eco Higjiena

Librin, thonë, nuk e largoi asnjëherë nga dora. Ku gjente libra, i lexonte me pasion. Dhe, ato ngjarje dhe porosi të autorëve, Fetah Hoxha ua përcjellte dhe ua interpretonte shkollarëve të vegjël, të cilët, si një, e donin mësuesin e tyre tej mase. Ky ishte një misionar i një kohe, i cili pati vullnet të fortë të punojë me ditar në dorë. Por, ja jeta. Ajo po i merr njerëzit në mënyrë tinzare. E mori edhe veteranin e arsimit, njëherit misionarin e dijes së shkollës kombëtare shqipe.

Siç dihet, Fetah A. Hoxha është i lindur më 21 prill të vitit1934 në fshatin Cërnicë, komuna e Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, progjimnazin e mbaroi në Gjilan. Kurse, Shkollën Normale e kreu në Prizren e Prishtinë. Pas këtij shkollimi, ai kreu edhe Shkollën e Lartë Pedagogjike – Dega e Gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Punën me ditar në procesin mësimor e filloi në shtator të vitit 1951 në Zhegoc të Gjilanit, por punoi edhe në Cërnicë e në Partesh. Në shkollën e fshatit Partesh ishte zëvendësdrejtor.

Në vitin 1984 është shkartuar nga detyra e zëvendësdrejtorit, sepse nuk ishte diferencuar ideopolitikisht siç kërkohej atë kohë. Deri në pension më 1991, punoi si arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën fillore të këtij fshati. Por, ja vdekja. Ai vdiq në Gjilan, më 11 janar 2018. /tefik selimi/rajonipress/