Mobi Casa

Ndërrohet gypi kryesor i ujësjellësit që kap vlerën e afro 200 mijë eurove

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Ka nisur ndërrimi i gypit kryesor të ujësjellësit nga Fabrika e baterive e deri në qendër të qytetit, që është financim i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit dhe kompaninë “Hidromorava” që kap vlerën e afro 200 mijë eurove.

Në fillimin e punimeve ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, drejtori i Zhvillimit Ekonomik Ismail Januzi, drejtori i Shërbimeve Publike Sokol Haziri dhe u.d. kryeshefit ekzekutiv i kompanisë rajonale “Hidromorava” Bashkim Halabaku.

Kryetari Haziri tha me këtë rast se ndërrimi i këtij gypi është njëra nga projektet në interes të zhvillimit të infrastrukturës bazike e që i paraprinë zgjerimit të rrugës së hyrjes Gjilan-Bujanoc.

“Jam jashtëzakonisht i gëzuar që sot po fillojmë një program të ri të ndërrimit të gypit kryesor të ujësjellësit në Gjilan, i cili financohet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Komuna e Gjilanit dhe kompania rajonale “Hidromorava”. Është njëra nga projektet në interes të zhvillimit të infrastrukturës bazike. Kjo rrugë është planifikuar të rindërtohet dhe programi i vendosjes së gypit kryesor të ujit me standardet më të reja, i paraprinë ndërtimit dhe zgjerimit të rrugës hyrjes Gjilan- Bujanoc dhe sigurisht që dinamika e punëve do të na ndihmojë shumë që infrastruktura kryesore të rregullohet në mënyrë që të fillohet me ndërtimin e rrugës dhe mbi të gjitha kursimin e ujit sepse dihet që deri tani ka pasur humbje të mëdha të ujit. Unë e falënderoj shumë investitorin, do të vazhdojmë me logjikën e njëjtë të ndërtimit të infrastrukturës bazike”, ka thënë Haziri.

Uji Dea

Kreu i Gjilanit beson shumë që bashkëpunimi, lidhshmëria dhe funksionaliteti mes Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, Drejtorisë për Shërbime Publike dhe kompanisë “Hidromorava” do të na ndihmojë shumë që ta përballojmë situatën kryesore të infrastrukturës së ujit dhe më vonë do të kalohet punime në trotuare dhe punë të tjera.

Drejtori i Zhvillimit Ekonomik Ismail Januzi tha se ndërrimi i këtij gypi, përveç që parandalon humbjet e ujit, po ndërrohet edhe për shkaqe shëndetësore.

“Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik janë identifikuar problemet që ka ujësjellësi në Komunën e Gjilanit sidomos për të parandaluar humbjet e mëdha që janë shkaktuar nga gypat e vjetruar të asbestit, dhe qëllimi është që përmes këtij segmenti që komplet gypat e asbestit të ndërrohen edhe për shkaqe shëndetësore”, ka deklaruar Januzi.

Nga ana e tij, u.d. i kryeshefit Ekzekutiv të kompanisë “Hidromorava”, Bashkim Halabaku, pohoi se është i kënaqur me cilësinë e punëve që po bëhen aty, duke besuar se do të përfundohen në afatin e duhur./rajonipress/