Ndërrohen karriget dhe tavolinat në “Selami Hallaq”

Gjilan – Shkolla Fillore “Selami Hallaqi”, sot ka pranuar një donacion me tavolina dhe karrige prej donatorit gjerman, firmës “for children”, Johannes M. Muller, i cili ka premtuar poashtu edhe sjelljen e tabelave për secilën klasë. Ndërsa Ministrisë së Arsimit respektivisht drejtorisë i mbetet sigurimin e pjesës tjetër.
Me këtë rast drejtori i Arsimit në Gjilan, Bujar Nevzati, ka falënderuar jashtëzakonisht shumë donatorin për këtë investim të bërë mu në kohën e duhur dhe shumë të qëlluar kur më së shumti i është dashur kësaj shkolle të pajisen me banka dhe karrige të reja por që ky investim do t`i gëzojë edhe shkollat e tjera në komunën tonë pasi që inventari i deritashëm mund të përdoret në shkollat tjera. “Është i çmueshëm ky investim i bërë nga ju si donator dhe jemi falënderues, sepse keni zgjedhur shkollën ndër më të mirat në qytetin e Gjilanit dhe më gjerë. Ne përherë do të jemi falënderues jo vetëm si drejtori por të barti këtu edhe falënderimet në emër të kryetarit të Komunës për këtë akt human dhe tepër lart të çmueshëm nga ana e Komunës së Gjilanit. Kjo miqësi është krijuar dhe ajo vetëm po vazhdon me shtetin gjerman. Ju me këto investime po mundësoni që nxënësit tanë të arrijnë suksese edhe më të mëdha në avancimin e dijes dhe sukseseve të mëtutjeshme, krahas nxënësve të botës së përparuar”, tha ndër të tjerash Nevzati.
Ndërsa, Drejtori i Shkollës Fillore “Selami Hallaqi”, Ahmet Aliu, i cili edhe ka pranuar donacion nga përfaqësuesi i firmës “For Children” nga Gjermania ka thënë se kjo është dhurata më e madhe që shkolla ka pranuar në këtë fillim të vitit, sikundër që nga shteti gjerman ka pranuar për disa vite më shumë se 350 mijë euro investime në shkollë. Ai tha se ky donacion përmban 172 tavolina dhe 344 karrige, ky do të jet kompletimi i dhjetë klasave të mësimit.
“Është kjo dhuratë ndër më të mirat që i bëhet shkollës tonë, pasi që kemi pasur shumë nevoja urgjente për ta zhvilluar procesin mësimor, sikundër që për çdo vit ne kemi qenë të gëzuar nga shteti gjerman me investime të ndryshme, që në vlerë të përgjithshme kap një shumë të konsiderueshme, ka thënë ai duke shtuar se tashmë nxënësit kanë kushte krejt ndryshe nga ato që i kishin deri dje.
Ai ka shtuar se sigurisht që edhe më tutje “Selami Hallaqi” do të jetë ndër shkollat më të mira në Gjilan, besa edhe më e mirë se deri më tani, ngase kushtet e nxënësve për çdo ditë po përmirësohen, siç është edhe rasti i sotëm me këtë donacion.
Ai tha se shkolla ka nevojë të domosdoshme edhe për 21 tabela (dërrasa të zeza) me vlerë prej 90-100 euro. Ai gjithashtu ka falënderuar për vazhdimin e ndihmës që kanë dhënë edhe më herët shteti gjerman.
Johannes M. Muller, përfaqësues i firmës, tha se ndjehet shumë mirë që ka investuar në inventarin e kësaj shkolle që pas 40 viteve të ndërrohet inventari i kësaj shkolle. Shumë më tepër ai ishte i gëzuar që ka marrë konfirmimin edhe për 21 tabela për klasat e kësaj shkolle që do të vijnë menjëherë.
Ai ka uruar suksese dhe ecje përpara të nxënësve në dije dhe suksese të tjera. Poashtu ai tha se nëse ka ndonjë nevojë urgjente kjo shkollë firma përsëri do të investoj vitin e ardhshëm.
Kontribut të çmueshëm në këtë drejtim kanë dhënë edhe Kushtrim Zubaku, i cili ishte ndërmjetësues në këtë donacion të rëndësishëm për shkollën, por më par ishte edhe nxënës i kësaj shkolle./rajonipress/