Mobi Casa

Ndërkombëtarët, ultimatum LVV – LDK-së

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Dy anëtarët e Bundestagut gjerman, Christian Schmidt dhe Peter Beyer, kanë takuar liderin e LVV-së Albin Kurtin dhe kreun e LDK-së Isa Mustafën, nga të cilët kanë kërkuar të veprojnë në krijimin sa më të shpejtë të qeverisë së ardhshme. Kërkesën e njëjtë në drejtim të këtyre dy partive e ka drejtuar edhe Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe ajo e Britanisë së Madhe, shkruan gazeta Zëri.

Zvarritja e arritjes së marrëveshjes finale për bashkëqeverisje nga partitë negociuese LVV – LDK ka shtyrë bashkësinë ndërkombëtare ta rrisë presionin për bërjen e qeverisë së re. Gjatë ditës së djeshme në Kosovë kanë qëndruar dy anëtarët e Bundestagut gjerman, Christian Schmidt dhe Peter Beyer, të cilët u kanë bërë thirrje LVV-së dhe LDK-së t’i lënë anash detajet teknike dhe ta bëjnë marrëveshjen përfundimtare. Sipas tyre, nuk është koha që palët të merren me çështjen e presidentit, por me formimin e qeverisë së re. Thirrje për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të enjten kanë bërë edhe Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë. Sidoqoftë, tash kur ka mbetur më pak se një javë deri te seanca për konstituimin e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës, LDK-ja po vazhdon ta përsërisë kërkesën e njëjtë, se pozita e presidentit duhet t’i garantohet partisë së drejtuar nga Isa Mustafa.

Beyeri dhe Schmidti i bëjnë thirrje LVV – LDK-së të mos merren me detaje teknike

Anëtarët e Bundestagut gjerman, Peter Beyer dhe Christian Schmidt, kanë takuar liderin e LVV-së Albin Kurtin dhe atë të LDK-së Isa Mustafën, me ç’rast janë informuar rreth ecurisë së negociatave mes këtyre dy subjekteve. Pas këtyre takimeve Schmidti dhe Beyeri kanë thënë se qeveria e re e Kosovës duhet të formohet sa më parë. Partitë që janë duke diskutuar rreth kësaj, sipas tyre, nuk duhet të fokusohen në çështje dytësore.

Gjatë deklaratës së tij Peter Beyer, anëtar i CDU-së, ka thënë se palët duhet ta thërrasin njëra-tjetrën për takim dhe ta përfundojnë marrëveshjen për bashkëqeverisje. “Nëse është ky vullnet politik mes dy partive për ta formuar qeverinë për të mirën e qytetarëve të Kosovës, atëherë nuk duhet të ngecin në detaje teknike, por duhet t’i besojnë njëra-tjetrës. Thirreni njëra-tjetrën, caktojeni një datë të bisedimeve dhe përfundojeni marrëveshjen e koalicionit”, ka deklaruar Beyeri.

Ndërkaq deputeti i CSU-së, e cila është partnere e CDU-së, Christian Schmidt, ka thënë se momentalisht nuk është koha të diskutohet rreth postit të presidentit. “Tash për tash nuk është koha të zgjidhet presidenti, por të formohet qeveria”, është shprehur ai.

Schmidti gjatë deklaratës së tij ka thënë se për mbarëvajtjen e vizitës në Kosovë do ta njoftojnë edhe kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Teksa foli rreth bashkëpunimit të mundshëm mes LVV-së dhe LDK-së tha se mes partnerëve e rëndësishme është të ketë besim të ndërsjellë. “Ajo çka dua të them është që nuk duhet të krijohen lidhje dashurie, ajo që ka rëndësi është të ketë besim në mes të palëve, kjo është një gjë serioze”, ka potencuar Christian Schmidt.

Delegacioni i ardhur nga Gjermania kërkon qeveri stabile

Në konferencën e djeshme, të mbajtur pas takimeve me liderin e LVV-së dhe atij të LDK-së, Schmidt ka konsideruar se duhet të ketë përgjegjësi mes palëve dhe krijim të një qeverie stabile. “Është e rëndësishme të ketë një qeveri stabile dhe të mos ketë lojëra taktike. Mendoj që modeli spanjoll nuk është për t’u imituar. Më e rëndësishmja në politikë është të kihet besim dhe përgjegjësi”, ka potencuar ai.

Palët sipas tij duhet të veprojnë sa më parë, meqë nuk ka mbetur shumë kohë deri te seanca konstituive, e cila është caktuar të mbahet më 26 dhjetor. “Deri në konstituimin e Parlamentit ka mbetur edhe një javë kohë, që do të thotë nuk ka shumë kohë”, ka vazhduar ai.

Se nuk ka shumë kohë ka pohuar edhe Peter Beyer, i cili megjithatë ka shtuar se detyra e tyre nuk është të ndërhyjnë në negociatat mes partive. “26 dhjetori ka vendosur një limit kohor. Ajo çfarë ne po bëjmë është që nuk po ndërhyjmë brenda negociatave të koalicionit, nuk është qëllimi ynë, por erdhëm për të dëgjuar rreth bisedimeve që po bëhen”, ka deklaruar ai.

LVV-ja dhe LDK-ja, sipas Beyerit, nuk duhet ta kenë fokus kryesor deklarimin në medie, por të komunikojnë me njëra-tjetrën dhe të arrijnë ta konkretizojnë marrëveshjen. “Pritjet tona janë që palët te jenë të relaksuara, të mos flasin për medie, por ta thërrasin njëra- tjetrën në telefon dhe ta caktojnë një takim”, është shprehur më tutje Beyeri.

ARKATANA

BE-ja, SHBA-ja dhe Britania e Madhe kërkojnë formim të shpejtë të qeverisë

Lidhur me mosformimin e institucioneve të reja dje ka reaguar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila ka kërkuar konstituim sa më të shpejtë të Kuvendit dhe të qeverisë.

Përmes një komunikate të lëshuar për medie thuhet se është e nevojshme të themelohen institucionet e reja për një sërë arsyesh. “Nevojitet një formim i shpejtë i qeverisë për t’i çuar përpara këto procese, në interes të Kosovës dhe të popullit të saj dhe në përputhje me Kushtetutën dhe me dëshirën e shprehur të elektoratit”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu në këtë reagim janë cekur edhe reformat që duhet të ndërmerren në fushën e zhvillimit ekonomik dhe në atë të sundimit të ligjit. “Kosova duhet që me urgjencë ta vazhdojë punën në reforma për zhvillim ekonomik dhe shoqëror, si dhe në sundim të ligjit, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE – Kosovë dhe dialogun me Beogradin, të cilin e lehtëson BE-ja”, potencohet më tej.

Krejt në fund të këtij reagimi thuhet se Zyra e BE-së në Kosovë beson që palët negociuese do ta arrijnë konsensusin e nevojshëm për t’i tejkaluar sfidat e mbetura.

Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Teksa janë pajtuar me reagimin e Zyrës së BE-së, nga Ambasada kanë thënë se qytetarët mezi po e presin krijimin e qeverisë së re dhe ndryshimet e premtuara. “Ne pajtohemi me BE-në: njerëzit e Kosovës me padurim presin një qeveri që do të sjellë ndryshime pozitive”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së.

Edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka dalë në përkrahje të thirrjes së përfaqësueses së BE-së, Natalyia Apostolova, përmes së cilës është kërkuar formim i shpejtë i institucioneve. “Ne mbështesim deklaratën e përfaqësueses së lartë të BE-së, të EULEX-it dhe të krerëve të misioneve të BE-së në Kosovë”, thuhet në reagimin e Ambasadës Britanike.

LDK-ja nuk zmbrapset nga posti i presidentit

Gjersa ka folur rreth takimit që lideri i LVV-së Albin Kurti ka pasur me delegacionin gjerman, nënkryetari i këtij subjekti Besnik Bislimi ka thënë se takimi në fjalë ka qenë mjaft konstruktiv. “Gjatë takimit deputetët u interesuan për mbarëvajtjen e bisedimeve rreth formimit të qeverisë së re të Kosovës, elementet kryesore të dakorduara në programin qeverisës, si dhe për arsyet e pasojat eventuale nga ngecjet momentale në këtë proces”, ka deklaruar ai.

Bislimi më tutje ka thënë se gjatë takimit është cekur edhe rëndësia që ka përfundimi pozitiv i dialogut LVV – LDK. “U potencua nga të dyja palët rëndësia që ka finalizimi i suksesshëm i negociatave, në mënyrë që vullneti i shumëpërmendur i qytetarëve për ndryshim rrënjësor në asnjë rrethanë të mos vihet në pikëpyetje”, ka theksuar nënkryetari i LVV-së.

Ndërkaq nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, është shprehur optimist se koalicioni qeverisës do të ndodhë, pavarësisht faktit se ende nuk është arritur dakordimi i plotë mes dy subjekteve. “Qeveria do të bëhet, nuk ka rrugë tjetër”, ka deklaruar shkurt Haziri.

Megjithëkëtë, nënkryetari tjetër i këtij subjekti Agim Veliu ka përsëritur edhe një herë kërkesën e LDK-së se kësaj partie i takon posti i presidentit. “S’ka insistim, por neve na takon posti i presidentit. Duam balancim të posteve, sepse edhe presidenti, edhe kryeministri për LVV-në është shumë. Ne si parti jemi të hapur për bisedime”, ka theksuar Veliu.

Në anën tjetër lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka udhëtuar dje për në Itali, me ç’rast ka thënë se në Romë, para zyrtarëve të Parlamentit italian, ka prezantuar programin qeverisës. “Prezantimi im u përqendrua në programin qeverisës zhvillimor që ne kemi, në shpjegimin e gjendjes socio-ekonomike dhe të rrethanave gjeopolitike ku ndodhet Kosova”, ka deklaruar Kurti. //ZERI