Hidromorava

Ndërkombëtarët të kërkojnë Vetting në Kosovë

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit vazhdojnë të jenë skeptikë në pritjen e afërt se mund të ketë shtet efikas të së drejtës, sundim të pavarur të ligjit, derisa politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve do të mbajnë të kapur sistemin e drejtësisë dhe do ta pamundësojnë ushtrimin e drejtë të funksionit të gjyqtarit, prokurorit e policisë në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale.

Preteni: Prokuroritë dhe organet hetuese nuk janë të pavarura, ato janë politike, joprofesionale dhe të shantazhuara

“Është e pritshme që faktori ndërkombëtar me detyrim t’u kërkojë institucioneve të drejtësisë dhe të politikës që më në fund ta bëjnë me detyrim edhe Ligjin për Vettingun, si e vetmja mundësi e dekriminalizimit të plotë të të gjitha instancave të shtetit të Kosovës, duke filluar nga sistemi i degraduar i drejtësisë. Derisa mbizotëron ky kaos në sistemin e drejtësisë, nga kjo gjendje katandisëse e drejtësisë kosovare përfitojnë vetëm politikanët e inkriminuar, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, bashkë me mafi-oligarkët”, thotë Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit vazhdojnë të jenë skeptikë në pritjen e afërt se mund të ketë shtet efikas të së drejtës, sundim të pavarur të ligjit, derisa politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve do të mbajnë të kapur sistemin e drejtësisë dhe do ta pamundësojnë ushtrimin e drejtë të funksionit të gjyqtarit, prokurorit e policisë në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale.

Ndryshimi pozitiv nuk mundë të vijë shpejt, pa një ndryshim dhe ristrukturim të plotë të sistemit, pasi që vazhdimisht po kemi vlerësime kritike e negative, në të gjitha raportet ndërkombëtare, siç janë Raporti i Progresit të Komisionit Evropian, Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, Freedom-house etj., ku theksohet se sistemi i drejtësisë, pra prokuroria dhe gjyqësori, janë të ndikuar politikisht. Tanimë mu për faktin që politika i ka futur thellë duart në sistemin e drejtësisë nuk merret asnjë veprim për të bërë VETTING-un e mirëfilltë, për ta pastruar gjyqësorin, policinë dhe prokurorinë nga të inkriminuarit dhe të ndikuarit nga politika dhe mafiooligarkia. Sipas ekspertëve të kësaj fushe, çdo vonesë për një VETTING të thellë të tërë sistemit të drejtësisë, duke filluar prej Policisë, Prokurorisë dhe Gjyqësorit, është humbje e madhe për shtetin dhe qytetarët, të cilët po vazhdojnë të jetojnë në një shtet ku Politika dhe MAFIA e familjet mafioze qëndrojnë mbi ligjin dhe vendosin edhe për dosjet e hetuara apo të pahetuara, vendos për lëndët gjyqësore dhe për gjithçka tjetër në “padrejtësinë” kosovare!

RCCOLA

Të ndryshohet klasa politike
Vetting-un si proces të domosdoshëm e sheh të realizueshëm vetëm pas ndryshimeve të mëdha politike edhe eksperti Blerim Burjani.”Drejtësi profesionale të pavarur në një shtet të uzurpuar nga njerëz pa ndonjë të arritur të vetme nga ndonjë fushë jetësore nuk mund të ndërtojnë shtet ligjor, se atëherë nuk ka më mashtrime, uzurpim të pasurive publike, kontroll të aseteve publike, dërgim nëpër borde njerëz analfabetë apo drejtorë nëpër ndërmarrje publike, që të gjitha këto deri më tani e kanë sjellë shtetin këtu ku është”, theksoi ai.”Pra, asgjë nuk ka për t’u çuditur, për të kërkuar shtet ligjor duhet të ketë votim ndryshe kundër politikës aktuale dhe vetëdijesim. Qytetarët vetë duhet të ndryshojnë këtë mentalitet të deritanishëm politik, ata duhet të mos votojnë njerëz që janë kundërshtarë të shtetit ligjor dhe mashtrues, njerëz që janë sjellë rrugës tërë kohën dhe kanë pritur a po fitojnë vota dhe a po vijnë në pushtet me manipulimet e tyre. Ky ndryshim mund të bëhet vetëm nga qytetarët, sepse Kosova ka mbi 70 parti politike dhe duhet hequr këto parti të shek XIX nga pushteti, sepse janë të vonuara, janë arkaike dhe anarkike që të gjitha, si: PDK, LDK, VV, e do parti të vogla që janë veç copëza hesapi, si AAK dhe NISMA, parti me koncept vetëm për sundim, por jo për demokraci dhe shtet ligjor”, tha Burjani për “Kosova Sot”.

Rrjetet kriminale të paprekshme
Analisti dhe publicist Naim Kelmendi thekson se ka pritur shumë që më në fund ky vit do të duhej të ishte vit i detyrueshëm i spastrimit të politikës dhe drejtësisë kosovare nga strukturat e inkriminuar kriminale dhe fillimi i shuarjes së rrjeteve kriminale të kapjes së shtetit, por trendët po tregojnë që nuk mund të ndodhë edhe aq shpejt, sepse është politika e inkriminuar ajo që është barrikaduar si pengesë e fuqishme.

Kelmendi beson që pa ndërhyrje të detyrueshme ndërkombëtare nuk mund të ketë një reformim substancial.”Mbase dhe është e pritshme që faktori ndërkombëtar me detyrim t’u kërkojë institucioneve të drejtësisë dhe politikës që më në fund ta bëjnë me detyrim edhe Ligjin për Vettingun, si e vetmja mundësi e dekriminalizimit të plotë të të gjitha instancave të shtetit të Kosovës, duke filluar nga sistemi i degraduar i drejtësisë. Por, fatkeqësisht dhe për ironi, partitë politike të inkriminuara me krimin e organizuar sikur kanë një konsensus për të heshtur anti-VETTING dhe prandaj nuk e duan një gjyqësor e prokurori të pavarur, me etikë e të pandikuar nga politika”, vlerëson Kelmendi.”Drejtësia në Kosovë nuk mund të funksionojë me shantazhet ndërhyrëse të politikës. Për ironi të gjendjes ekzistuese të drejtësisë, edhe shoqëria civile po hesht ndaj Vettingut… për gjendjen e keqe, tej degraduese në drejtësinë kosovare, sidomos në gjyqësor e prokurori të ndikuara politikisht kanë theksuar edhe raportet ndërkombëtare, sikur janë Raporti i Progresit të Komisionit Evropian, Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, Freedom -house etj.”, ka thënë ai. Sipas Kelmendit, përfundimisht na duhet të konstatojmë se derisa mbizotëron ky kaos në sistemin e drejtësisë, nga kjo gjendje katandisëse e drejtësisë kosovare përfitojnë vetëm politikanët e inkriminuar, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, bashkë me mafi-oligarkët.

PRETENI: NUK MUND T’U PRIJNË KËTYRE PROCESEVE DIKUSH QË KA PROBLEME ME LIGJIN!
Sipas njohësit të kësaj fushe, Hasan Preteni, ishdrejtues në dy mandate të Agjencisë Kundër Korrupsionit, rezistenca për reformim të drejtësisë dhe VETTING-u shumë shpejt do të detyrohet të thuhet, sepse humbja e besimit dhe kredibilitetit në institucionet e tanishme të drejtësisë ka arritur kulmin.”Nuk ka shpëtim veç vonim, është një fjalë e urtë popullore. Kjo duhet të ndodhë sa më shpejt, por nomenklatura e tanishme politike nuk ka vullnet. Për të vepruar drejt e mirë duhet të kemi parinë në rregull. Nuk mund t’u prijnë këtyre proceseve dikush që ka probleme me ligjin, probleme në arsyetimin e pasurisë, probleme në keqpërdorimin e luftës dhe situatës së pasluftës. Rregulli i parë i një shteti demokratik është sundimi i ligjit. Kosova ka shumë probleme në këtë drejtim”, u shpreh ai. “Prokuroritë dhe organet hetuese nuk janë të pavarura, ato janë politike, joprofesionale dhe të shantazhuara. Vetting-u duhet të ndodhë, pastrim i fuqishëm në të gjitha institucionet që e kanë mision luftën kundër së keqes. Uroj që këto probleme politike, shumica prej tyre, të krijuara artificialisht, të zgjidhen dhe definitivisht në rend dite të vijnë temat esenciale për sundimin e ligjit”, potencoi Preteni. “Fatkeqësia më e madhe është se këtë proces, Vettingun, nuk duan dhe nuk mund ta bëjnë këta njerëz që e kanë katandisur vendin kaq keq”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)