Ndërkombëtarët po e bëjnë Thaçin “hero”

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është quajtur njeri i guximshëm pasi që vendosi të takojë Kryeministrin serb Ivica Daçiq.

Ky hap i kryeministrit është parë në mënyra të ndryshme në qarqe të ndryshme megjithëse përgjithësisht është vlerësuar pozitivisht.

Bashkësia ndërkombëtare evropiane e cila është edhe sponsorizuese e dialogut politik e në këtë mes edhe e takimit të Thaçit me Daçiq e vlerësoi si hap historik dhe largim të një pengese të madhe në rrugën evropiane të të dyja vendeve.

Ndërkohë komente të njëjta u dhanë edhe në Kosovë. Partitë opozitare mirëpriten takimin, me përjashtim të Vetëvendosjes e cila edhe protestoi.

Në vizitën e Sekretares Amerikane Hillary Klinton në Prishtinë, ajo nuk nguroi ta quajë Thaçin njeri të guximshëm, pasi ky i fundit vendosi të takoi kryeministrin serb.

Pothuajse të njëjtat fjalë i tha edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, baronesha Catherine Ashton,në prezencën e së cilës edhe u zhvillua takimi, në Bruksel.

Por pse këto dy zyrtare të larta të politikës e vlerësuan vetëm Thaçin në këtë rast?

Mobi Casa

Thaçi kishte marrë miratimin e Kuvendit për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë dhe në këtë kuadër të “normalizimit” është përfshirë edhe takimi me Daçiqin.

Por puna e Kuvendit nuk u vlerësua?

Analisti Behlul Beqaj thotë se Kryeministri Hashim Thaçi mund edhe të jetë hero për ndërkombëtarët pasi ai deri më tani u është përmbajtur përpikërisht kërkesave që i janë parashtruar.

Por Beqaj thotë se nuk është i sigurt që Thaçi shihet si i tillë edhe nga populli të cilin e përfaqëson.
“Ai mund të jetë hero për atë që ka bërë për ato (ndërkombëtarët), por për qytetarët e Kosovës mbetet të shihet” thotë Beqaj për Indeksonline.
Analisti Ardian Arifaj nuk mendon se Bashkësia Ndërkombëtare po e dallon Thaçin nga të tjerët por ai për Indeksonline e pranon se “Thaçi është i veçantë për ndërkombëtarët”.

E në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndihmuar Kosovën shumë më shumë se Kryministri Thaçi.

Zgjim Hyseni, drejtues i sekretariatit për ngritje ideo-politike në këtë lëvizje thotë se Thaçi vetëm dëme i ka shkaktuar Kosovës.
“Arritjet që ka realizuar Kosova vijnë si rezultat i përpjekjeve të qytetarëve të saj, ndërkaq Qeveria e Kosovës ka merita vetëm për arritjet e munguara” , thotë Hyseni për Indeksonline.

Kjo nuk është hera e parë që Kryeministri Hashim Thaçi ka marrë “vlerësime” të larta nga ndërkombëtarët.
Ndërkohë Indeksonline është munduar të kontaktoj përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës por kjo ka qenë e pamundur./Indeksonline/