RCCOLA

Ndërkombëtarët nuk i rezistuan joshjes korruptive

/ 6 minuta lexim

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë thonë se është për t’u çuditur se si nuk ka ndodhur që për shtatëmbëdhjetë vjet as ndonjë gjyqtar ndërkombëtar, as ndonjë gjyqtar vendor nuk është penalizuar për ndonjë vendim abuziv e në kundërshtim me ligjin, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Sipas tyre, kjo në të vërtetë është mungesë e përgjegjshmërisë dhe mungesë e llogaridhënies. Ata thonë se do të duhej dhënë llogari dhe përgjegjësi derisa një gjyqtar jep verdiktin në kundërshtim të plotë me ligjin apo qoftë për motive korruptive e kriminale. Ndaj, ata kanë shtruar edhe çështjen se përse as ndërkombëtarët nuk arritën që ta vendosin sundimin e ligjit në Kosovë. Për atë se deri kur drejtësia do të jetë në duart e nëntokës dhe mafio- oligarkisë, flet shkrimi në vijim.

Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se ndërkombë- tarët de fakto nuk arritën ta vendosin sundimin e ligjit në Kosovë përmes Misionit Ndërkombëtar për Sundim të Ligjit, EULEX-it , madje u vërtetuan edhe afera të korrupsionit të gjyqtarëve të këtij misioni sikur edhe mafio- oligarkët vendorë. ” Është për t’u çuditur se si nuk ka ndodhur që për shtatëmbëdhjetë vjet as ndonjë gjyqtar ndërkombëtar, as ndonjë gjyqtar vendor nuk është penalizuar për ndonjë vendim abuziv e në kundërshtim me ligjin. Kjo në të vërtetë është mungesë e përgjegjshmërisë dhe mungesë e llogaridhënies e që në fakt do të duhej dhënë llogari dhe përgjegjësi derisa një gjyqtar jep verdiktin në kundërshtim të plotë me ligjin apo qoftë për motive korruptive e kriminale”, u shpreh analisti Naim Kelmendi.

Protagonistët e aferave korruptive

Analisti Naim Miftari thotë se problemi është se gjatë misionit, sidomos të UNMIK- ut, por edhe të EULEX-it, tek ne kanë ardhur edhe shumë ndërkombëtarë të korruptuar edhe më parë. “Mos të harrojmë pa përmendur Gerhard Fisherin, ish- shefin e shtyllës kryesore të UNMIK- ut, njeri i korruptuar në nivel botëror erdh tek ne si shpëtimtar, ose Xhoe Trashlerin me aferën e Gjibraltarit, ku u vodhën dhjetëra miliona euro kinse investime për KEK-un. Dhe, mos të harrojmë ish- AKM- në, ku pos hajnave dhe keqbërësve tanë ishin bërë edhe ata keqbërës ndërkombëtarë që ishin ardhur dhe kanë ardhur në Kosovë për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme”, theksoi ai. “Edhe ata ndërkombëtarë që nuk kanë ardhur të korruptuar në Kosovë, pushteti vendor dhe ai politik i korrupton edhe ata ndërkombëtar që t’i përkrahnin publikisht, sidomos të korrupsionit masiv ishin ambasadorët dhe ndihmësit e tyre, ambasador të shteteve të fuqishme, që përkrahnin disa edhe sot pushtetarë të lartë dhe politikanë të korruptuar vendor vetëm që në vendet e tyre, kur të kryenin misionin diplomatik të ambasadorit të ktheheshin nga kanë ardhur në vendet e veta si multimilionerë”, u shpreh më tutje Miftari. “Dhe, gjersa politikanët janë të korruptuar dhe vjedhin edhe vetë, dhe mos t’ju dhimbset mossundimi i ligjit, i drejtësisë, gjersa kryeministrat, kryetarët, ministrat dhe gjyqtarët, prokurorët tanë janë të korruptuar, pse mos të korruptohen misionarët diplomatikë dhe ndërkombëtarë”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Miftari.

KKGJILAN

Evropianët u kosovarizuan

Profesori universitar Nexhmedin Spahiu ka veçuar se krejt kjo ndodh për shkak të mosdhënies së llogarisë, derisa, siç tha, ne kur i kemi thirrur ndërkombëtarët në Kosovë, kemi pritur që ata të na evropianizojnë neve, mirëpo në fakt ka ndodhur e kundërta, pasi ata janë kosovarizuar dhe janë përshtatur me ambientin. ” Kjo për shkak se ne nuk kemi shprehur kërkesa të qarta ndaj tyre, nuk kemi kërkuar llogari ndaj tyre, d.m.th ne i kemi thirrur që të na ndihmojnë, por nuk kemi kërkuar kurrfarë llogarie nga ta dhe prandaj ka ndodhur që ata njësoj të kosovarizohen si ne, që kjo ka qenë më e lehtë dhe më oportune për ta. Kjo është arsyeja pra se përse edhe ata ( ndërkombëtarët) janë korruptuar në sistemin e drejtësisë, në sistemin gjyqësor të Kosovës”, potencoi ai. “Thjesht, për t’u vënë gjërat në vend duhet me pas kërkim të llogarisë ndaj gjithë atyre që emërohen në pozitat, qoftë në prokurori apo në gjykata, po ashtu kjo vlen edhe ndaj tanëve”, spikati për gazetën “Kosova Sot” Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu.

Reforma dështoi

Profesori universitar Mazllum Baraliu ka vlerësuar se sistemi i drejtësisë dhe ai i gjyqësisë brenda tij që nga fillimi i pasluftës, që nga 99-ta, menjëherë kur janë krijuar strukturat e para të administratës së Kombeve të Bashkuara, të quajtura UNMIK, ka qenë në duart e bashkësisë ndërkombëtare, derisa deri në vitin 2014 kjo drejtësi e jona në Kosovë ka qenë e varur ekskluzivisht nga të huajt, por, sipas tij, të gjitha pretendimet e tyre kinse reformuese kanë rezultuar të jenë të pasuksesshme. ” Në këtë frymë, pra, përgjegjësia kryesore për problemet në gjyqësor dhe sistem të drejtësisë rrjedhimisht i takon bashkësisë ndërkombëtare parësisht, por asgjë më pak edhe institucioneve të krijuara dhe të ndërtuara më vonë, fillimisht si bashkëqeverisje me bashkëdepartamentet me administratën e ashtuquajtur të UNMIK-ut dhe pastaj të pavarura pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008″, u shpreh ai. “Edhe strukturat tona institucionale dhe klasa politike e jonë nuk ka qenë në nivelin e duhur, pasi është dashur shumë më tepër të bënte që ta konsolidonte dhe avanconte sistemin e drejtësisë dhe të gjyqësisë. Prandaj, edhe i kemi këto probleme që i kemi si rrjedhojë e bashkëpërgjegjësisë ndërkombëtare dhe vendore, por sidomos ajo ndërkombëtarja ka përgjegjësinë kryesore dhe më të madhe”, deklaroi për gazetën “Kosova Sot” Profesori universitar, Mazllum Baraliu.

(Kosova Sot)