Mobi Casa

Ndërkombëtarët në Kosovë, thirrje vendimmarrësve t’i lënë mënjanë dallimet e të punojnë për të mirën e popullit

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Krerë misionesh diplomatike në Kosovë, në krye me shefen e Zyrës së BE-së, udhëheqësit e misioneve të BE-së, ambasadori i Norvegjisë, i Zvicrës dhe i Mbretërisë së Bashkuar, udhëheqësi për Kosovën i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe menaxheri i vendit i Bankës Botërore, u kanë bërë thirrje vendimmarrësve në vend që t’i lënë mënjanë dallimet e të punojnë në të mirë të popullit.

Përmes një deklarate të përbashkët këto misione thonë se janë përkrah popullit të Kosovës në këto kohë sfiduese dhe janë të vendosur të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën që ta tejkalojë këtë krizë.

Misionet ndërkombëtare në Kosovë e vlerësojnë menaxhimin efektiv deri më tani të krizës së COVID-19 nga Qeveria në detyrë dhe nga populli i Kosovës.

Mobi Casa

“Tani ka rëndësi madhore që rregullat e vendosura nga Qeveria për të parandaluar përhapjen e virusit të respektohen nga të gjithë. Për më tepër, besojmë se në këto kohë të pasigurisë së madhe të gjithë aktorët duhet t’i lënë mënjanë dallimet dhe të punojnë së bashku për të mirën e njerëzve”, thuhet në këtë deklaratë, raporton “Zeri.info”.

Më tej në deklaratën e tyre të përbashkët thuhet se i mirëpresin të gjitha mundësitë për t’i diskutuar bashkërisht, në instancat e duhura institucionale, masat e nevojshme për kalimin e sfidës së COVID-19, duke përfshirë ratifikimin e marrëveshjeve financiare të negociuara me BE-në, shtetet e saj anëtare, institucionet financiare ndërkombëtare, si edhe masat kombëtare për të adresuar krizën shëndetësore dhe ekonomike.

“Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të gjitha palëve që prioritet të kenë shëndetin e qytetarëve dhe të mirëpresin të gjitha mundësitë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe rajonal, që kanë për qëllim shpëtimin e jetëve dhe mbrojtjen e popullatës nga pandemia. Rrjedha e lirë rajonale e furnizimeve dhe e personelit mjekësor është thelbësore për suksesin e kësaj përpjekjeje”, ka përfunduar deklarata e përbashkët e shefes së Zyrës së BE-së, udhëheqësve të misioneve të BE-së, ambasadorit të Norvegjisë, të Zvicrës dhe të Mbretërisë së Bashkuar, udhëheqësit për Kosovën të BERZH-it dhe e menaxherit të vendit të Bankës Botërore.