Ndërhyj presidente!

Ngërçi institucional, i cili po vazhdon në krijimin e institucioneve të Kosovës, Kuvendit dhe më pastaj të qeverisë së Kosovës, vetëm sa po e bën akoma më të thellë krizën pas zgjedhore, e cila rrezikon ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Analistët politikë si shpresë të fundit të daljes nga kjo situatë, e shohin marrjen e rolit aktiv kushtetues nga ana e presidentes në zgjidhjen e krizës, qoftë për të prerë kufirin e zgjatjes së ngërçit institucional, duke bindur subjektet politike për kompromis dypalësh ose për të iniciuar shpërbërjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare, si mjet i fundit i daljes nga kjo situatë e paprovuar deri më tash.

Edhe ndërhyrja e ndërkombëtareve si një masë shtesë e presionit ndaj kokëfortësisë politike, vlerësohet nga analistët si një mundësi e fundit që duhet shfrytëzuar për të zgjidhur ngërçin pas zgjedhor.

“Pas ftesës së kaluar që presidentja u bëri subjekteve politike, e që ajo tha se i ka ftuar vetëm për t’i dëgjuar, mendoj që tani mbi bazë të funksionit të saj kushtetues duhet të marrë përsipër seriozisht funksionimin demokratik të institucioneve, sepse e ka obligim kushtetues që të involvohet edhe drejtpërdrejt, e sidomos tani në këtë fazë që është më kritike”, tha analisti politik, Ilir Fetahu, për “Kosova Sot”.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS