Ndarja e buxhetit për rrugët – ekspertët thonë se mjetet s’mjaftojnë, vetëm po arsyetohet buxheti

Autostrada e Gjilanit, rrugët Prishtinë-Podujevë, Dollc-Gjakovë, Kievë-Zahaq dhe Prishtinë-Mitrovicë janë pesë projektet infrastrukturore që u është ndarë buxhet prej 69 milionë euro për vitin 2023.

Por njohësit e çështjeve ekonomike po e cilësojnë se këto mjete janë të pamjaftueshme për përfundimin e këtyre projekteve, marr parasysh rritjen e çmimeve dhe të inflacionit në vend.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gerxhaliu tha për Ekonomia Online se ndarja e këtij buxheti nuk mjafton që të përfundojnë punimet në këto projekte.

Ai shtoi se më këtë Qeveria po tregon se po i mungon përgjegjësia institucionale, e që sipas tij, këto projekte ende pa përfunduar po rrënohen apo po kanë nevojë për riparime.“Në rendë të parë duhet të kuptohet që efektet e asaj që në vitin 2022 nuk janë shfrytëzuar mjete e ndara për investime kapitale do të jetë një barrë për vitin 2023. Në rend të dyte Kosova ka nevojë për investime të shumta në shumë por dhe aspekte dhe vërtet në këtë kohë të inflacionit ato projekte kanë pësuar amortizim moral dhe në këtë drejtim ky buxhet i ndarë për vitin 2023 nuk do të jetë një risi e cila do të ndikoj në modernizim apo në përfundim por do të jetë vetëm një vazhdimësi, sepse nuk do të kryhen të gjitha rrugët e parapara, qoftë Prishtinë-Gjilan, Prishtinë-Pejë- Zahaq, Prishtinë-Podujevë po ashtu edhe Prishtinë-Mitorivicë me 61 milionë euro”.“…prandaj është një realitet i hidhur që po dëshmon që në Kosovë mungon përgjegjësia institucionale, humbje në kohë dhe këto projekte ende pa përfunduar po rrënohen apo po kanë nevojë për riparim dhe në këtë drejtim besoj që është koha ku duhet të kemi më tepër përgjegjësi dhe monitorim e të mos hedhen paratë në këtë mënyrë që të përjetohet mosrealizimi i tyre që nga ky mos realizim po dëmtohet buxheti, qytetarët edhe imazhi i Kosovës”, tha ai.

Gërxhaliu u shpreh se me ndarjen prej 4 milionë eurosh për rrugën Kievë-Zahaq, Qeveria po dëshmon që nuk ka një strategji të mirëfilltë dhe se këtë po bënë sa për ta arsyetuar buxhetin.

Ai shtoi se në këto rrugë është duke u punuar që 12 vjet dhe ende nuk janë të përfunduar dhe sipas tij, më këtë tregohet mjerimin që ka kapluar Kosovën.“Kjo po dëshmon që nuk kemi një strategji të mirëfilltë janë të gjitha këto projekte ad-hoc për të arsyetuar buxhetin, mirëpo me këto mjete nuk do të ketë përfundim të këtyre projekteve dhe në qoftë se nuk kemi projekte të përfunduara do të thotë se po dëmtohet edhe ekonomia edhe qytetarët dhe vetë fakti që kemi këto rrugë që punohet që 10 vite apo 12 vite dhe nuk janë të përfunduara e dëshmon më së miri mjerimin që ka kapluar Kosovën, sa i përket infrastrukturës. Prandaj besoj duhet përgjegjësi duhet llogari dhënie, duhet monitorim, jo të mendohet gjithmonë projeksionet të këtyre projekteve që do të ketë mundësi për tendera për qeveritë që vinë në të ardhmen”, tha ai.

Edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, tha se këto kanë qenë projekte të viteve të kaluara dhe se mjetet e ndara nuk mjaftojnë.

Ai po ashtu shtoi se ndarja prej 4 milionë eurove për rrugën Kievë-Zahaq, është e pamjaftueshme dhe se Qeveria duhet të ndaj mjete të tjera për përfundimin e këtij projekti.“Këto janë projekte ndër vite që nuk janë realizuar, që do të duhej të realizoheshin nga qeveritë e kaluara, por edhe prej kësaj qeverie, mirëpo me këto mjete nuk mund që të përfundojnë këto projekte. Andaj është dashtë që në sektorët tjerë që të investohet, duke marr parasysh që ende kemi inflacion. Buxheti i ndarë nga Qeveria i cili është 3.2 miliardë është prej buxhetëve më të mëdha, por ky është buxhet zhvillimor dhe jo buxhet i mbijetesës. Dhe pasi është buxhet zhvillimor të investohet në sektorët strategjikë ku gjenerojnë punësim, ku rritet produktiviteti”, tha ai.

“4 milionë euro nuk janë të mjaftueshme që të përfundojnë punimet, duhen mjete shtesë që të përfundojë kjo rrugë. Mjetet buxhetore më siguri i kanë paraparë diku tjetër, atëherë ato duhet të investohen në sektorë strategjikë produktiv në mirëqenën ekonomike dhe sociale të qytetarëve”. Kujtojmë se për rrugën Kievë-Zahaq ka që disa vite që flitet për ndërtimin e saj, por ky projekt ka mbetur në gjysmë dhe ende nuk ka përfunduar.

Në vitin 2019, Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për shpronësimin e pronave të paluajtshme për ndërtimin e kësaj autostrade.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS