RCCOLA

Ndalesa e importeve nga Serbia rrit çmimet në Kosovë

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Ndalimi i importit të mallrave nga Serbia në Kosovë është reflektuar me shtrenjtimin e disa produkteve në treg, thotë Kreshnik Bublaku, menaxher i një qendre tregtare në Kosovë.

Ai tregon se, si pasojë e ndalesës, furnizime të caktuara duhet të bëhen nga destinacione më të largëta – çfarë ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve.

Përfaqësues të odave ekonomike në vend thonë se Qeveria duhet ta heqë këtë masë, pasi, sipas tyre, përveçse prek çmimet, ndikon edhe tek investitorët e mundshëm.

Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj nëse po e shqyrton heqjen e ndalesës.

Pse i ndaloi Kosova importet nga Serbia?

Qeveria e Kosovës mori vendimin për t’i ndaluar importet nga Serbia më 15 qershor të vitit 2023.

Vendimi pasoi arrestimin e tre policëve kosovarë nga forcat serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi atëkohë ndalesën si masë të sigurisë, dhe jo ekonomike apo tregtare.

Ndërkohë që policët dolën nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri, masa e ndalesës së prodhimeve nga Serbia vazhdoi.

Që nga ajo kohë, nga Serbia në Kosovë hyjnë vetëm lëndë e parë dhe gjysmë-produkte të nevojshme për prodhimin final, konfirmon Dogana e Kosovës.

Bublaku, i cili menaxhon qendrën tregtare “Jora Center”, thotë se kjo kompani, pos prodhimeve vendore, siguron tashmë prodhime direkt nga vendet e origjinës në Bashkimin Evropian, të cilat më herët siguroheshin nga Serbia ose përfaqësitë e kompanive të huaja në Serbi.

Meqë transporti është më i gjatë dhe kushton më shumë, disa çmime është dashur të rriten, thotë ai.

Bublaku merr si shembull lëngjet “Bravo” të kompanisë austriake “Rauch”.

“Lëngjet e prodhuara nga kjo kompani janë shtrenjtuar deri në 20 për qind, pasi furnizohemi nga Austria – vend i origjinës”, thotë Bublaku.

Një shishe prej 0.5 litrash me këtë lëng ka kushtuar 55 centë në shtator të vitit 2023; aktualisht është 79 centë.

Rel-i iu drejtua degës së kompanisë “Rauch” në Serbi rreth humbjeve që mund t’i ketë pësuar nga ndalesa e Kosovës, por nuk mori përgjigje.

Mobi Casa

Në shtatë-tetë muajt e fundit, çmime më të shtrenjta kanë edhe disa produkte të tjera, thonë qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Prishtinë.

“Qumështi, jogurti, sheqeri dhe çaji, muajve të fundit, janë shtrenjtuar shumë. Mezi po ia dalim”, thotë Lumnije Berisha, e cila punon në një kompani të mirëmbajtjes dhe paguhet 320 euro në muaj.

Në qershor të vitit të kaluar, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, një kilogram sheqer është shitur për 1.10 euro, ndërsa aktualisht shkon deri në 1.40. Një litër qumësht – varësisht nga prodhuesi – ka kushtuar deri në 1.20, ndërsa kushton deri në 1.35.

Albana thotë se edhe çmimet e disa artikujve higjienikë janë rritur tashmë.

“Deterxhenti, shamponi, artikujt tjerë për pastrim…”, numëron ajo.

Këtyre pohimeve u bën jehonë edhe Afrim Hyseni, pronar i kompanisë “Sharri Center”, e cila merret me shitjen e produkteve ushqimore, higjienike dhe të tekstilit.

Ai tregon se shumicën e produkteve të importuara nga Serbia, i ka zëvendësuar me produkte nga vendi, rajoni dhe BE-ja.

Sa më larg që është destinacioni i furnizimeve, aq më i shtrenjtë edhe transporti dhe pastaj çmimi i produktit në treg, thotë ai.

Përveç në Kosovë, “ne furnizohemi më shumë në Gjermani, Kroaci dhe Shqipëri”, thotë Hyseni.

Çfarë tregojnë të dhënat zyrtare?

Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se gjatë vitit të kaluar, vlera e importeve nga shtete si Turqia, Gjermania etj., është rritur në krahasim me vitin 2022.

Kosova, prej vitesh, përballet me deficit të lartë tregtar, që do të thotë se importon shumë më shumë sesa që eksporton. Mesatarisht në vit, ajo importon mallra në vlerë prej 5 miliardë eurosh, ndërsa eksporton nën 1 miliard.

Për kohë të gjatë, Serbia ishte ndër shtetet me praninë më të madhe të produkteve të saj në Kosovë, të cilat tani janë të pavërejtshme.

Brenda një dite, ky vend eksportonte mbi një milion euro mallra në Kosovë.

Nga qershori deri në dhjetor të vitit të kaluar – kur ishte në fuqi ndalesa e vënë nga Qeveria e Kosovës – Serbia eksportoi në tregun e Kosovës mallra në vlerë prej 75 milionë eurosh, krahasuar me rreth 240 milionë euro sa ishte vlera në periudhën e njëjtë të vitit 2022.