RCCOLA

Ndahet nga jeta Zija Kosova – Lugina, valltari që la gjurmë në dasmat e Anamoravës

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Zija Mehmeti nga Nasalca e Bujanocit i njohur si Xiki ose Zija Kosova – Lugina është ndarë nga jeta sot në moshën 80 vjeçare. Xiki ishte valltari më i pranueshëm në dasmat e Anamoravës dhe më gjerë. Aty ku ishte Xiki aty ishte atmosfera. Dasmorët e dinin se ai është nga Lugina, por për ta respektuar e thirrin:”Ku je o Zija Kosova”.

Zijah Mehmeti valltari legjendë nga Lugina i njohur me përmasat e tij edhe në Anamoravë e Kosovë është ndarë nga jeta të premtën.

Xiki siç e quanin të gjithë ka lënë gjurmë të pashlyera në dasmat shqiptare. “Jepja valles o Zija Kosova – Lugina” ishte dëshira e çdo dasmori apo familjari ta shihte Xikin teksa valalzonte me zemër e me shpirt.

Nuk ka pasur pjesëmarrës në ndonjë dasmë që nuk ka pasur dëshirë ta shoh duke vallëzuar Xikin. Edhe pse në moshë të shtyrë Xiki nuk dorëzohej, nuk ua prishte qejfin dasmorëve. Xiki ende bënte gjeste të valltarit profesionist. “Ruani traditat popullore, ruani vallet e pastra shqiptare sepse vetëm kështu dëshmojmë se jemi popull me kulturë civilizuese” ishte porosia e Xikit.

Zija Mehmeti ose Xiki siç e thërrasin të gjithë ishte njëri nga valltarët më me nam në dasmat e Anamoravës. Ishte njëri nga valltarët e pakët që frekuentonte nëpër dasma e sidomos në ato dasma ku dëgjoheshin surla e tupani.

Fundamenti

Gjurmët e Xikit nëpër dasmat shqiptare tashmë e kanë bërë të vetën. Aty ku ishte Xiki aty ishte edhe atmosfera.

Edhe pse kishte një moshë të shtyrë atë nuk e pengonte që me zemër të luaj me orë të tëra. “Vallet i kam dashur qysh si i ri. Edhe tani gëzohem që ende nëpër dasmat tona nuk është zhdukur surla e tupani. Gjilani dhe Anamorava kanë një mentalitet të përafërt me dasmat e Luginës dhe kur më thërrasin miqtë apo dikush që e njoh vije me kënaqësi” ishte shprehur Xiki për rajonipress.

Xiki ishte nga Nasalca kurse ka pasur të afërm e familjar edhe në Gjilan. “Ruani traditat popullore, ruani vallet e pastra shqiptare sepse vetëm kështu dëshmojmë se jemi popull me kulturë civilizuese” porosit Xiki.

Për Xikin fliten edhe shumë histori të ndryshme. Por ai nuk ngurron të tregoj njërën prej tyre për rajonipress. “Isha duke punuar në një arë në një fshat të Gjilanit. Afër bëhej një dasëm që kishte tupanë e surla. Për një moment i kam lënë kijet dhe kam nisur të kërcejë në arë. Unë kërceja e vallëzoja i vetëm bashkë me ritmin e surlave e tupanëve” thoshte Xiki.

Por Xikin e mbante shpresa se këto tradita do të kultivohen e ruhen. “Më vjen mirë që shumë të rinj e duan lojën time dhe vrapojnë të më fotografojnë dhe i shohin me kujdes lëvizjet e mija. Kjo më bënë shumë krenar dhe jap gjithçka nga vetja vetëm për tua ngulitur të rinjve vallet tona” kishte deklaruar Xiki./rajonipress/