Eko Higjiena

Ndahet nga jeta profesori dhe gazetari Tefik Selimi

/ 2 minuta lexim

Gjilan – Të enjten në Gjilan ka ndërruar jetë profesori dhe gazetari Tefik Selimi. Selimi ka lindur në fshatin Nasalë, komuna e Gjilanit, ku edhe e ka kryer shkollimin fillor. Shkollimi e mesëm e vazhdoi në Gjilan, ndërsa fakultetin në Prishtinë.

Vitin e parë të studimeve e përballoi me honorarë të shkrimeve të botuara nëpër gazeta e revista. Pati momente kur për mungesë të mjeteve financiare, për disa javë pushoi në shtëpi.

Pas kryerjes së vitit të tretë të fakultetit, pranohet arsimtar në shkollën fillore “Agim Ramadani” në Zhegër. Në vitin shkollor 1972/73 filloi punën si profesor i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan.

Gjatë kësaj kohe, por edhe më herët, ka bashkëpunuar me revista e gazeta shqipe në Kosovë e Maqedoni, si gazetën “Rilindja”, “Zëri i rinisë”, “Pionieri”, “Flaka e vëllazërimit”, “Shkëndija”, “Bota sot”, “24 orë”, “Gazeta e pionierëve”, “Bota e re”, “Kosovarja”, “Jeta” etj. Sikurse edhe me portale të ndryshme.

Vjershën e parë e botoi në gazetën “Flaka e vëllazërimit” (Shkup), më 18 korrik 1968, me titull “Skënderbeu e populli”.

Mobi Casa

Selimi ka botuar një numër të madh të shkrimeve dokumentare, publicistike, recensione e vështrime për librat e autorëve të ndryshëm, sikundër edhe polemika, shkrime nga metodika e gjuhës shqipe, fejtone e reportazhe.

Për punën e tij në arsim, disa herë është shpërblyer me diploma si profesor i dalluar.

Së fundi, Tefik Selimi ka punuar si korrespondent i rregullt në gazetën “Bota sot” e “Bota press” nga Gjilani si dhe për portalin “Rajonipress” në Gjilan.

Ka botuar veprat “Gjaku i pragjeve” (2002), “Flijimtarët e plëngjeve” (2010), “Bota e yjeve” (2011), “Lule prilli” – vepër poetike (2012), Monografia “Gjimnazi i Gjilanit” (1945-2013) dhe veprën e gjashtë publicistike dokumentare “Pragjet e përgjakura” (2014).

Në dorëshkrim kishte disa vepra të tjera./rajonipress/