Mobi Casa

Ndahet nga jeta Ismajl Sherifi, ambasadori i traditave shqiptare

/ 9 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Në moshën 78 vjeçare është ndarë nga jeta Ismajl Sherifi, njeriu që me shumë dashuri, fanatizëm dhe emocione ka ruajtur, mbrojtur dhe prezantuar vlerat dhe traditat burimore shqiptare. Dëshira e çdo shtëpie apo fshati ka qen që në ballë të aktiviteteve ta shikojnë Ismajl Sherifin, prijësin plis bardhë i cili vetëm nga ecja dhe dukja e tij ka rrezatuar dhe prezantuar shqiptarin e mirë, të këndshëm, të hareshëm, plisi i tij ka ndritur gjithkund.

Njoftimi i Ismajl Sherifit të riut për vdekjen e gjyshit

Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai, do të kthehemi.
(Inna lilahi ve inna ilejhi raxhiun)
Të dashur Familjar, të respektuar Miq!
Ju njoftoj se sot, në moshën 78 vjeçare ndërroi Jet më i dashuri im Gjyshi, Ismajl Sefë.Sherifi.
Varrimi të ndjerit bëhet sot, më 14.10.2018 me Namazin e Ikindis 15:35 në varrezat e fshatit Vërbic e Zhegocit.
Lusim Zotin për mëkate të falura, vepra të pranuara, përgëzim me xhennet!

Një shkrim i mëhershëm i botuar në Rajonipress

Ismajl Sherifi, plaku që me fanatizëm ruan vlerat kombëtare tradicionale
RAJONIPRESS 06:58, 8 Dhjetor, 2017

Gjilan – Ismajl Sherifi është ndër të pakët personalitete në moshën e tij që me fanatizëm ruan vlerat kombëtare tradicionale. Një plak i urtë, i ditur, i sinqertë, me humor të mirë, me shumë dije e arkiv për shumë ngjarje. Ismajl Sherifi për shumë vite ka punuar si porot, ka dhënë kontribut të pamohueshëm në shumë zhvillime të paraluftës, gjatë dhe pas luftës. Është dëshmitar i gjallë i luftës së fundit, ka një stil të veçantë dhe flet me shumë elegancë. Ka një memorie të jashtëzakonshme dhe mbi të gjitha është model për shumë bashkëmoshatar të tij. Lexojeni rrëfimin për Ismajl Sefë Sherfiin nga Verbica e Zhegocit dhe shikojeni qëndrimin e tij pedant me plis të bardhë e me veshje kombëtare. Të gjithë do ia kishin lakmi veshjes së tij.

Ismajl Sefë Sherifi është lindur me 1 tetor 1941 në fshatin Verbicë e Zhegocit nga nëna Shahadija dhe babai Sefë Sherifi. Në moshën kur më së shumti kërkohej përkujdesja nga prindi Ismajlit i vdes babai, në vitin 1945 gjatë luftës së dytë botërore i cili atëkohë ishte duke kryer shërbimin ushtarak në Kroaci ish-Jugosllavi, andaj si fëmijë u rrit vetëm nën përkujdesjen e nënës së tij.

Ismajl Sherifi rritet në familje me nënën e tij Shahadijen, vëllaun Sherif Sherifin si dhe tri motrat e tij Zymrijen,Vahiden si dhe Nevrijen.

Babai i Ismajlit përgjatë luftës të zhvilluar në Kroaci si ushtar i Marshallit bie dëshmor, pas rënies dëshmor trupi i pa-jetë nuk u rikthehet familjarëve, por vetëm rrobat dhe një orë gjepi.

Ismajl Sherifi tregon se atëkohë lajmin për vdekjen e babait të tij Sefës e pranon nga kushëriri i tij Feriz Sejdiu duke i sjellur edhe rrobat e tij në shtëpi gjatë viteve 1947.
Pas rënies dëshmor të babait shteti i atëhershëm Jugosllav i ofronte një shumë prej 120 bankash familjes së mbetur Sefë Sherifit. Ismajl Sherifi mësimet e para dy vjeçare i kreu në shkollën fillore të fshatit Verbicë e Zhegocit, gjatë viteve 1948/1950.
Pas mbarimit të shkollës fillore filloi të merret me bujqësi e tregti, deri në moshën 20 vjeçare, kur edhe e pranon ftesën për të kryer shërbimin ushtarak gjatë viteve 1960 deri më 1963.

Pas përfundimit të shërbimit ushtarak i kthehet familjes dhe jetës në fshat.
Mirëpo duke parë zgjuarsinë, oratorinë, mendjeprehtësin dhe besueshmërinë e tij komiteti për arsim zyra në Gjilan zgjodhi Ismajl Sherifin kryesues shkolle për katër (4) vite.
E më vonë pas këtyre viteve si kryesues Shkolle, duke parë angazhimin e tij dhe punën e dinjitetshme në mbajtjen gjallë të arsimit shqip në zgjedhjet e mbajtura në vitin 1968 brenda kryesisë së degës në fshatin Parallovë, për përfaqësuesin e tre fshatrave Verbices, Zhegocit dhe Paralloves, Ismajl Sherifi si kandidatë në mesin e dy kundër kandidatëve zgjidhet me aklamacion përfaqësues me mandat katër (4) vjeçar i fshatrave të shpërmendur.

Por jo vetëm kaq, pas këtyre viteve si përfaqësues i fshatrave Ismajl Sherifit i kërkohet që të kryej punën e Porotit për tri fshatrat së bashku me Zenel Pajazitin. Detyrën e Porotit e kreu për 16 vite që nga vitet 1972 e deri më 1988 ku si shkak i mospajtimeve të thella në lidhje me aplikimin e gjykimeve selektive dhe arbitrare në baza kombëtare si dhe kundërshtimit të masave të dhunshme Ismajl Sherifi dorëhiqet nga pozita e Porotit sikur të gjithë nëpunësit Shqiptarë të cilët nuk pranuan masat e dhunshme të sistemit Serb.
Përveç punëve dhe angazhimeve tjera që kishte Ismajl Sherifi njihet edhe si prijatar i pajtimeve të gjaqeve në malësinë e Zhegocit, kështu duke ndërmjetësuar në pajtimin e shumë familjeve të kësaj malësie në ngatërresa të ndryshme si rrahje e vrasje.

Ismajli jo vetëm kaq, por me gjithë përkrahjen dhe besimin e thellë të fshatit emërohet anëtar dhe mbikëqyrës i Xhamisë së fshatit Verbicë, ku me përkushtimin më të madh kryen edhe punën e mbikëqyrësit të Xhamisë, gjë që i shërben edhe jetës fetare.

Eco Higjiena

Mirëpo me të filluar lufta në Kosovë dhe në fshatin Verbicë e Zhegocit nga forcat policore-ushtarake serbe Ismajli së bashku me familjen e tij sikur edhe bashkëfshatarët e tij detyrohen të largohen nga fshati duke i kthyer shpinën pasurisë dhe vendit ku kaloi mbi 60 vite jetë.

Ai rrëfen se me datën 15/04/1999 ditë e enjte në ora 06:00 të mëngjesi rrethohet fshati Vërbicë më saktësisht lagja e alibabëve nga paramilitarët serb, ku sipas tij dhe të dhënave ishin me mbi 6000 forca policore-ushtarake të cilët përqendrohen në vendin e quajtur Billa, ku edhe fillojnë sulmet e para në drejtim të shtëpisë së tij. Nga kjo përndjekje detyrohet që të lëshoj shtëpinë e tij dhe marrë rrugën drejtë maleve të malësisë së Zhegocit me familjarë e bashkëfshatar, ku natën e kalojnë në qiellin e hapur.

Por as këtu Ismajli me bashkëfshatarët nuk lihen të qetë nga përndjekja e regjimit shovinist serb, pasi që vëllai i tij Sherif Sherifi, i biri tij Mustafa dhe fqinjët e tij Shaban e Qerim Beqiri si dhe nipi Enver Pacolli kërkoheshin me emër e mbiemër të ekzekutoheshin me të vetmin qëllim se po këta bënin roje me muaj të tërë, e që i shërbyen shtabit të UÇK-së, i cili gjendej në Zhegocë.

Ismajli me familjarë e bashkëfshatar duke qëndruar për disa orë në vendin e quajtur Lugu i Mrizit fillojnë të shtënat e para e që bie dëshmor vëllau i tij Sherif Sherifi dhe nipi Enver Pacolli, ku edhe plagoset vet Ismajli. Me plagët e marrura shpërngulet edhe nga aty duke i’a mësyer drejt shtabit të UÇK-së, me vendqëndrim në fshatin Zhegoc.
Nga këtu marrin rrugën drejt fshatrave Plitkoviq, Gadime e Mirashë në drejtim të Ferizajit.

Ismajli me familjarë tregon se në Ferizaj kaloi një (1) muaj, por as aty nuk lihet rehat dhe detyrohet të marr rrugën në drejtim të Maqedonisë.

Me të arritur në kufirin Kosovë – Maqedoni, Ismajl Sherifi jep edhe intervistën para mediave ndërkombëtare për gjendjen faktike në Kosovë. Mediat ndërkombëtare ishin kureshtare të dinin se ç’farë po ndodhë në Kosovë prej nga vinin, ç’farë gjendje është në Kosovë, sa familjarë të vrarë keni dhe për ku jeni nisur.

Ismajli para mediave ndërkombëtare me plisë të bardhë nën emocionet dhe dhimbjet e tij i’u rrëfen se ka të vrarë vëllaun Sherif Sherifin si dhe disa ushtarë e bashkëfshatar të tij. “Unë jam i plagosur, vije nga Gjilani i Kosovës si dhe shtëpitë e Shqiptarëve janë tërësisht të djegura” kishte deklaruar Ismajli.

Në Maqedoni, Ismajli qëndroi plotë gjashtë javë pastaj me të hyrë forcat ushtarake të NATO-s, në Kosovë ky merr vendim që t’i rikthehet prapë atdheut të tij Kosovës.

Me tu kthyer në Kosovë etja për atdhe sa ishte e ëmbël për Ismajl Sherifin, po aq edhe ithtë pasi që në prill të vitit 2000 për herë të parë po takohet me kufomën e të vëllaut tani dëshmor i Kosovës Sherifi Sherifi, në vendin e quajtur Lugu i Mrizit, ku aty me bashkëfamiljarë e farefis po e kryejnë ceremoninë e rivarrimit në vendin e quajtur Drumi.
Ku aty qëndron edhe lapidari i të ndjerit Sherif Sherifi vëllau i Ismajlit.

Ismajl Sherifi i cili tani numëron të 78-tat, pas shumë vuajtjesh e sakrificash e sfidash sot, ai jeton me djemtë, nipat dhe mbesat në Gjilan.

Ai tani është pensioner me plotë shëndet dhe kohën e lirë e kalon me miqtë e tij dhe ende vital e inteligjent duke marrë për bazë moshën e tij.

Por ajo ç’farë e dallon nga gjenerata e tij dhe qyteti i Gjilanit është se ende i ruan me fanatizëm vlerat kombëtare tradicionale shqipe./rajonipress/