Ndahet nga jeta, Bejtullah Bejtullahu, arsimdashësi i madh i arsimit shqip
Gjilan – Në moshën 74-vjeçare ka vdekur arsimtari i dalluar i arsimit shqip, Bejtullah Bejtullahu. Ai ishte njëri nga arsimdashësit e dalluar e të përkushtuar të shkollës shqipe. I takon gjeneratës së hershme të arsimit shqip. Bejtullah Bejtullahu ishte i lindur më 1940 në Gjilan.
Ai në Gjilan kreu Shkollën fillore dhe ish-Normalen, ndërsa Shkollën e Lartë – dega Gjuhë Angleze e kreu në Prizren. Pas kryerjes së SHLP, ai filloi të punojë me ditar të punës për të dhënë kontributin e tij në procesin mësimor. Arsimin, Bejtullah Bejtullahu e ka dashur shumë. Ishte i tëri i dhënë pas librit, shkollës dhe diturisë. Ai nuk u ndalë vetëm me kaq.
Pas mbarimit të shkollimit të lartë, ai është punësuar në Shkollën fillore “Musa Zajmi” të qytetit, Gjilanit, i cili u dallua në punën e tij me ditar në dorë. Këtu, nga dita e parë dha kontributin e tij prej edukatori dhe pishtari të zellshëm të jetës arsimore.
Ai, si shumë të tjerë, shpërndau rrezet e dritës ku punoi me shkollarë të dijes. Punoi dhe kurrë nuk ndjeu lodhje. E deshi punën me ditar në dorë sa, përherë ishte i lidhur me debatet dhe me mbledhjet e ndryshme, të cilat mbaheshin rreth procesit mësimor.
Gjithnjë thoshte se, pa ekonomi të zhvilluar, s’ka arsim të përparuar. Ekonomia e ndihmon arsimin, i cila fushë është e shenjtë për çdo popull. “Një popull pa arsim, është si një fushë pa lule. Arsimi është gjëja më e shenjtë e një populli”.
Në ndarjen e fundit, Muharrem Bajrami, kryetar i Sindikatës tha se, Bejtullah Bejtullahu na iku, por puna e tij, si arsimtar, edhe sot nderohet e çmohet nga të gjithë. “Ishte një punëtor i madh i arsimit shqip. Ai gjithnjë ishte i buzëqeshur në mes shokëve dhe qe i respektuar nga të gjithë kolegët e punës e të tjerë. E deshën jo vetëm shkollarët, por edhe kolegët e tij të punës. Ishte njeri i ëmbël i fjalës dhe i punës. Që nga viti 2008, ai ishte anëtar Sekretar i Federatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të punës. Ishte i tëri i përkushtuar për të zgjidhur problemin e pensionistëve, e sidomos të familjeve skamnore”, shtoi Muharrem Bajrami./tefik selimi/rajonipress/


