Nazmije Selimi jeton me artin e këngës
Gjilan – I madh e i vogël gjilanas e njohin Nazmije Selimin, këngëtaren e re të këtij qyteti. Ajo është pjesë e dy moshave: e të vegjëlve, se ka krijuar apo falur atyre këngë të mrekullueshme, por është edhe e moshës së të rinjve, e cila çdo ditë po këndon këngë jete e pune për këtë moshë rinore. Kjo është Naza e Gjilanit, këngëtarja e vogël, por, me punë ka bërë emër të madh në artin e muzikës. Pse jo?
Naza e ka të vetmen gjë: këngën, artin e shpirtit. Kënga e Naza janë dy pjesë të jetës. Ajo e do këngën dhe as gjumin gjumë nuk e bën. Jeton me tingujt, melodinë, ritmin, “ngjyrat” e zërit etj. Thotë, nuk ka jetë pa këngë. Kënga e rrit njeriun në jetë. E, Nazmije Selimin është këngëtare nga Gjilani, por pak “jetë” e ka bërë edhe në Prishtinë. Ajo ka vijuar studimet në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, drejtimi Pedagogji muzikore. Më në fund, ajo, ditë më parë ka diplomuar në Fakultetin e Muzikës – drejtimi pedagogji e përgjithshme muzikore. Jo vetëm kaq. Ajo përnjëherë është pranuar për ti vazhduar studimet tjera për master në Prishtinë.
Naza ka talent në artin e muzikës. Talenti i saj është një vullkan i dijes për muzikë, e cila këtë art e ka dashur nga mosha fare e vogël. Por, ajo që është karakteristike te kjo njomake është fakti se, jo vetëm këndon, por edhe flet bukur. E pyetëm se si erdhi te kjo “gjendje”, ajo pa hezitim na tha se, krejt këto arritje i ka bërë me punë të pakursyer. “Punoj, por edhe një pjesë e kohës “tjetër” e kaloj me libër. Libri e kënga më janë dy shokë të pandashëm. Prej këtyre dy shokëve, kur i çmoj, pres fitore jete. Pse jo? Librin e dua pa masë. Por, kur kam pushim, edhe këngës ia them dhe kjo më bën ti gëzohem jetës e punës. Mandej, unë e kam një “histori” të dhembshme, prekëse, madje edhe të çuditshme. Kur e përkujtoj kohën e vitit 1999, jo vetëm dridhem, por edhe rrëqethem. Isha e vogël. Lufta filloi në Kosovë. Me familje isha e dëbuar nga trolli stërgjyshor. U gjenda me familje në Kumanovë. Aty fillova të jetoj, por edhe të këndoj. Jeta ime filloi dhe zuri vend të qëndrueshëm si këngëtare. E kisha një zë melaknolik. Fjalët e këngës sime ishin plot me dhembje shpirti. Një zë që e pushtoi atë vend me plot njerëz të shpërngulur e të dëbuar nga dhuna serbe nga Kosova. Këtu u lidha me këngën, artin e jetës”, na rrëfeu Naza.
Ajo sot këndon, studion dhe është plot shend e verë në gjiun familjar, në Gjilan. Siç e dimë, ajo e filloi të këndojë në moshën 5-vjeçare. Ishte fare e vogël, por i pëlqente kënga, ritmi, fjalët, melodia dhe përmbajtja e këngëve. Së pari, thotë ajo, ia ka filluar t’i imitojë këngëtarët tjerë, dhe pastaj filloi të këndojë fjalë pas fjale ëndrra e saja të arta të jetës. Dhe, kjo punë, më vonë u bërë realitet, ku në vitin 2001 publikoi albumin e parë me 10 këngë të titulluar “Maqok Qamarok”. Kështu ishte rrugëtimi i saj me këngën, e cila nuk iu nda dhe ia pushtoi zemrën e shpirtin studentes se re nga Gjilani.
Pas kësaj kohe pesëmbëdhjetëvjeçare, ajo sot arriti karrierën muzikore duke u shpërblyer me shumë çmimore e diploma për punë në këtë fushë të dijes, si: ajo është fituese e vendit të tretë në Festivalin e 41-të Kombëtar në Tiranë, në vitin 2003, mandej ka zënë vendin e dytë në Festivalin Mbarë kombëtar në Shkodër, në vitin 2003; vendin e parë e ka zënë në “Polifest” në Prishtinë, në vitin 2003; mandej, në Festivalin “Live Fest Talent” është shpërblyer me një mirënjohje; është fituese e vendit të parë në Festivalin e 42-të Kombëtar në Tiranë, në vitin 2004; po ashtu është fituese e dy shpërblimeve në “Polifest” në Prishtinë edhe aty ka zënë vendin e parë dhe është shpallur interpretuesja më e mirë në vitin 2004. Gjithashtu, ajo është fituese në Festivalin e 42 Mbarëkombëtarë të Shkodrës edhe atë si interpretuesja dhe këngëtarja më e mirë e Festivalit me çmimin – “INVA
MULA” në vitin 2004.
Po ashtu, Nazmije Selimi është shpërblyer në Festivalin europian “Euro Fest” ku ka marrë pjesë në 16 shtete, e cila ka zënë vendin e tretë. Ndersa, tani si e rritur, ajo ka zënë vendin e dytë në “Polifest 2010” në mbrëmjen e muzikës zbavitëse. Kjo është një shpërblim i madh për te dhe për familjen e saj, e cila nuk kursen asgjë për studiuesen e merituar në fushën e muzikës, e cila, pak ditë më parë diplomoi me në sukses të dalluar.
Nazmie Selimit janë pëlqyer nga të gjitha moshat, sidomos nga të vegjlit dhe rinia. Ato vazhdojnë të dëgjohen edhe sot si këngë: “Basketi”, “Valle”, “Pula Gjeli…”, “Nje zemër …” e shumë të tjera. Naza ka vazhduar studimet për muzikë dhe tani së fundi isha e ftuar në disa festivale për të rritur si: “Kënga Magjike”, “Top Fest” (vitin e kaluar ku mori çmimin e Top Albania Radios- si kënga më e dëgjuar e saj) , “Polifest” e të tjera. Nazi bashkëpunon me shumë kompozitorë si nga Kosova, po ashtu edhe nga Shqipëria.
Ndërsa, projekti i saj i fundit është pikërisht kënga e saj më e re “Sjon si unë”. Kënga e saj “Sjon si Unë” është punuar nga produksioni Zapp&Chriss me tekst të Soulkid dhe me realizim të klipit nga Asha, produksion që me të gjithë është ndarë jashtëzakonisht e kënaqur. Po ashtu duhet të përmenden Styling nga Floresha Begisholli dhe Make up nga Studio Angel, të cilët e kanë ndihmuar mjaft shumë realizimin e këngës së saj si punë ekipore. Kjo ishte Nazmije Selimi, këngëtare e re gjilanase, e cila, si këngëtare e vogël, u bë e madhe në fushën e dijes muzikore. E shpërblyem me një “Të lumtë, Naze…!”/tefik selimi/rajonipress/


