Mobi Casa

Natalinë e lënë në burg

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Natali Veliajt, përveçse po ia refuzojnë kërkesën për të qenë dëshmitare bashkëpunuese, një Prokuror i EULEX’it ka kërkuar që ajo të mbetet në burgun e Lipjanit edhe për dy muaj të tjerë. Mbrojtja ka kundërshtuar kërkesën, derisa Gjykata pritet ta thotë fjalën e saj të mërkurën.

Le që po ia refuzojnë kërkesën për dëshmitare bashkëpunuese, por po kërkojnë që edhe më tutje t’i vazhdohet paraburgimi.

Prokurori i EULEX’it, Pascal Persoons, ka kërkuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë edhe dy muaj paraburgim për shtetasen gjermane Natali Veliaj, e arrestuar një muaj më parë. Ajo dyshohet për keqpërdorimin e 1.4 milionë eurove, para këto që ishin dedikuar një kompanie austriake për prodhimin e pasaportave biometrike. Tash kur kanë mbetur edhe tri ditë nga skadimi i masës së paraburgimit për Veliajn, prokuroria ka kërkuar që asaj t’i vazhdohet kjo masë edhe për dy muaj të tjerë.

Kjo kërkesë është bërë duke konsideruar se në këtë rast ekziston rreziku i ikjes, rreziku i ndikimit në dëshmitarë, si dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale. Me këtë kërkesë nuk pajtohet mbrojtja e shtetases gjermane, duke kërkuar nga gjykata që mos ta aprovojë kërkesën, ndërsa Veliajn ta lirojë nga paraburgimi ose ta zëvendësojë me një ose më tepër masa të tjetra më të buta.

Avokati Tomë Gashi arsyeton këtë propozim të tij, duke thënë se kërkesa e prokurorit është krejtësisht joligjore. Gashi së pari ka kritikuar prokurorinë se nuk e ka cekur se Natali Velija është nënë e një fëmije të moshës së mitur, ndërkaq sipas tij nuk është cekur as nacionaliteti i saj, edhe pse fare mirë dihet se nacionaliteti dhe shtetësia janë gjermane.

“Në kërkesën e prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit përmenden vetëm supozime kinse për fakte, duke tentuar që ta arsyetojnë dyshimin e bazuar, dhe në të njëjtën kohë prokuroria nuk përmend thuaja as faktin se Natali Velija duke filluar nga data 10 shtator, kur është intervistuar nga policia, në momentet e para pas arrestimit më 12 nëntor dhe gjatë gjithë kësaj kohe ajo i është ofruar prokurorisë me ofertë për bashkëpunim dhe ka kërkuar nga prokuroria që të paraqesë në gjykatë propozim që ajo të shpallet dëshmitare bashkëpunuese, dhe se për faktin se ku kanë shkuar 1.4 milionë euro ajo do t’i njoftojë dhe në të njëjtën kohë do të prezantojë dokumentacion të shkruar për të vërtetuar faktin se ajo vetëm ka zbatuar kërkesën e kompanisë austriake për të cilën ka punuar OeSD”, thotë Gashi.

Sipas tij prokuroria e paraqet këtë kompani si kompani shtetërore austriake, edhe pse fare lehtë mund të vërtetohet se kjo është kompani e privatizuar dhe me kapital privat.

Mobi Casa

Gashi përsëritë se klientja e tij një shumë të madhe të parave nga llogaria e kompanisë së saj, përmes transfereve bankare ua ka dërguar zyrtarëve të lartë të MPB-së (ashtu siç ka kërkuar kompania austriake) dhe prokuroria e di saktësisht se ku kanë shkuar ato para, por nuk dëshirojnë që të involvojnë personat të cilët i kanë marrë këto para.

Gashi ka dyshime se në këtë aferë, përveç përfshirjes së zyrtarëve të MPB-së, mund të ketë shtetas të huaj, në këtë rast edhe zyrtarë të lartë të Ambasadës së Austrisë.

Avokati mendon se në prokurori dëshirojnë që ta sakrifikojnë juridikisht Veliajn për t’i mbrojtur zyrtarë të lartë të MPB-së dhe posaçërisht për t’i mbrojtur përfaqësuesit e kompanisë austriake, e që sipas tij do të duhej të jepnin shpjegime se a kanë urdhëruar apo jo Natali Veliajn që të transferojë dhe të japë shumat e parave zyrtarëve të MPB-së për ta fituar tenderin.

“Prokuroria fare lehtë mund të vërtetojë se si ndodhi që kompania austriake pa i plotësuar kushtet e nevojshme të sigurisë për prodhimin e pasaportave biometrik e fitoi këtë tender”, thotë Gashi.

Sipas tij nuk ekziston fare pretendimi i prokurorisë se Velija mund të ndikojë në dëshmitarë, ngase në këtë rast as që janë përmendur dëshmitarët eventualë tek të cilët do të mund të ndikonte.

Ndryshe Veliaj është në paraburgim që nga 12 nëntori kur gjyqtari i Procedurës paraprake, Vehbi Kashtanjeva, ia caktoi masën e paraburgimit prej tridhjetë ditësh ashtu siç kishte kërkuar prokurori. Natali Veliaj nuk ka dhënë deklaratë në prokurori përderisa kjo e fundit nuk ia ka plotësuar kërkesën që të jetë dëshmitare bashkëpunuese. Ajo ka thënë në prokurori se “paratë i ka dhënë mitë për zyrtarët e MPB-së, ndërsa ka frikë të flasë sepse është në rrezik për jetën”.

Veliaj është paraburgosur nën dyshimin se 1.4 milionë euro i ka marrë për vete, para këto që duhesh të derdheshin në konton e kompanisë austriake OeSD, që kishte fituar tenderin për prodhimin e pasaportave biometrike për kosovarët. Pas këtij skandali ministri Bajram Rexhepi ka shkarkuar katër zyrtarë të ministrisë, por asnjëherë nuk është sqaruar nëse ata kanë lidhje me skandalin e pasaportave.(express)