Fundamenti

Natalia kapet me telefon në burg

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjatë ditës së hënë gardianët e kanë kapur me telefon në xhep të dyshuarën kryesore për zhdukjen e 1.4 milionëve të pasaportave biometrike, Natali Veliaj. Ligjërisht telefonat mobil janë të ndaluar brenda burgut, ndërkaq, Nuhi Paçarizi avokat i saj, konfirmoi për Express konfiskimin e mobilit.

Gjatë të hënës Natali Velijaj kishte kërkuar me ngulm disa herë që gardianët t’a lirojnë nga qelia për të shkuar në toalet.

Por, insistimi i saj i shpeshtë ngriti dyshimet tek një oficere kujdestare e sigurisë, e cila

kontrolloi të dyshuarën kryesore për zhdukjen e 1.4 milionë eurove të pasaportave biometrike të kosovarëve.

Pas këtij kontrolli jorutinor, oficerja ka hasur në një telefon mobil në xhepin e trenerkave të shtetases gjermane.

Burime të Express thonë se me të njëjtin mjet Velijaj dyshohet t’i ketë kryer tri telefonata gjatë asaj dite.

“Ende nuk po dihet se si i është futur telefoni brenda. Ai është konfiskuar dhe është dërguar si material për t’u hetuar meqë kemi vërejtur se ka pasur tri komunikime me të”, ka bërë të ditur burimi i Gazetës.

Konfiskimin e telefonit të Natalisë e ka konfirmuar për Express edhe njëri nga mbrojtësit e shtetases gjermane, avokati Nuhi Paçarizi.

Uji Dea

“Po jam i njoftuar por nuk di se si ka arritur ajo deri te telefoni”, tha Paçarizi shkurt për Express.

Ai mohon të jetë në dijeni se më kë ka mundur të bisedojë Velijaj.

Kontrabandimi i çfarëdo lloj mjeti të komunikimit, armëve apo lëndëve narkotike brenda institucioneve korrektuese është e vepër ligjërisht e dënueshme.

Monitorimi dhe mbikëqyrja e punës së shërbimeve korrektuese në Kosovë sipas ligjeve në fuqi bie në kompetencën e Ministrisë së Drejtësisë.

Ndërkohë që administrata e burgjeve në Kosovë vazhdon të kritikohet për keqmenaxhim, meqë, rasti Velijaj nuk është i pari kur një të dyshuari për vepra të rënda kriminale i gjenden mjete të ndaluara brenda qelisë.

Ndryshe më 12 qershor të këtij viti Natali Velijaj i përfundon paraburgimi prej gjashtë muajsh.

Në rast se deri në atë datë Prokuroria e EULEX’it, e cila udhëheq hetimet në rastin e njohur si “Skandali i pasaportave”, nuk ngrit aktakuzë, ajo do të duhej të lirohej nga kjo masë e sigurisë deri në një vendim tjetër të Gjykatës.