Eko Higjiena

Naser Ajeti një jetë kushtuar futbollit

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Karriera e një futbollisti është vazhdimisht interesante, ata gjatë karrierës përjetojnë gëzime, hidhërime dhe emocione të ndryshme si në fushë poashtu edhe jashtë fushës. Karriera e një futbollisti është me plot sfida të ndryshme, ato asnjëherë nuk munden të parashikohen.

Për të zhvilluar një karrierë të shkëlqyer duhet sakrificë e jashtëzakonshme, edhe pse karriera nuk zgjatë përjetësisht momentet e kaluara mbesin për jetë të tërë në kujtesën e çdo futbollisti.

Ish-futbollisti Naser Ajeti, kishte një karrierë me plot sfida, edhe pse ishte mjaft I talentuar Naseri nuk arriti të tregon gjithë potencialin e tij futbollistik që posedonte, sepse këtë mundësi ja ndërpreu si shumë futbollistëve tjerë pushteti Serb ku në fillim të viteve të 90-ta i largoi nga fusha e u’a mori karrierën, pushteti Serb i largoi nga jeta sportive duke i detyruar që aktivitetin e tyre sportistët ta zhvillojnë në arat e fushat e Kosovës.

Naser Ajeti si 13 vjeçar filloi karrierën futbollistike në C.Zvezda të Gjilanit, duke dëshmuar një talent të jashtëzakonshëm në fushën e blertë të futbollit ku pas një kohe shumë të shkurt ishte pjesë e Juniorëve të këtij klubi.

“Ishin kohë të arta jo vetëm për mua por për shumë futbollist, unë për një kohë shumë të shkurt pas kalimit tek Juniorët më bënë një transfer tek Drita për tu pjekur si futbollist, por më pas rikthehem menjëherë në C.Zvezda të Gjilanit si 16-të vjeçar duke u paraqitur në skuadrën e parë, ishim një gjeneratë e jashtëzakonshme por pushteti Serb ëndrrat tona na ndërpreu duke na uzurpuar e larguar nga fusha jonë ku kishim filluar karrierën tonë, ishin ato momente të trishtueshme kemi qajtur si fëmijë kur jemi larguar nga fusha e futbollit”, kujton sot me nostalgji pas 30 vjetësh ish-futbollisti, Naser Ajeti.

Naseri pas mvetësimit të sportit paralel të Republikës së Kosovës kalon tek KF Drita.
“Ishte i vetmi klub I shqiptarëve që kishim mundësi të luajmë, ndeshjet i zhvillonim në fushat e livadhe të Kosovës duke ju bërë me dije pushtetit Serb se ne nuk do të ndalemi në asnjë formë për të jetësuar sportin e Republikës së Kosovës”, tregon Naser Ajeti.

Talentin që e posedonte Naseri nuk mbetet pa u vërejtur, ai për një stinor mbrojti edhe ngjyrat e FK Mërgimit të Kumanovës duke treguar cilësi të larta, dhe më pas u rikthye edhe një herë tek KF Drita.
“Ishin momente të mira në Kumanovë, skuadra e Mërgimit ishte një skuadër e madhe në atë kohë por për shkak familjes rikthehem pas një viti tek KF Drita për të dhënë kontributin tim edhe pse ishte gjithçka nën okupim dhe gjendje e jashtëzakonshme ne ja kemi dalur, pasiqë vullneti ndaj futbollit, familjes e shokëve ishte më e madhe se gjendja e jashtëzakonshme, dhe jam shumë i lumtur dhe krenarë që isha pjesë e futbollit të pavarësisë së Republikës së Kosovës”, ka bërë të ditur Ajeti.

Vizionin që kishte për futbollin dhe shtetin e Republikës së Kosovës, Naser Ajeti kontribuoi në themelimin e klubit KF Gjilani’95.

“Në idealet tona nuk kishte më asnjë pengesë , ne donim ta forconim edhe më shumë shtetin e Kosovës dhe me shumë dashamirë të futbollit të Komunës së Gjilanit arritëm me shkronja të arta ta krijojmë KF Gjilani’95, themelimi i klubit ishte një fitore e madhe për pavarësimin e futbollit të Kosovës ndaj pushtuesit Serb, dhe me KF Gjilani’95 kam qëndruar gjerë në vitin 2002 ku njëherit edhe kam mbaruar karrierën futbollistike”, kujton Naser Ajeti.

Ish-mesfushori e talenti i madh i futbollit Naser Ajeti, njëherit ishte vazhdimisht pjesë e Reprezentacionit Rajonal ku futbolli i Kosovës ndahej në rajone, ndërsa në stinorin 1995/96 kishte epitetin si futbollisti më i mirë në Komunën e Gjilanit, ndërsa në vitin 1996 ishte në mesin e 10-të më të mirëve në futbollin e Kosovës.

Fundamenti

Naser Ajeti përpos që ishte një mesfushor-sulmues i spikatur ai ishte edhe mjaft i edukuar, ai gjatë karrierës së tij plotë 18 vjeçare asnjëherë nuk u ndëshkua me karton të verdh e të kuq, Ajeti ishte shembull në futbollin e Kosovës ku të gjithë ja kishin lakmi.

Me të përfunduar karrierën futbollistike, Naseri në asnjë moment nuk ndejti duarkryq, ai i doli në ndihmë ish-kryetarit të FHK-së, Mexhit Devajës, për ta pranuar këtë Federatë në Federatën Evropiane dhe këtë e arriti në Budapest të Hungarisë në vitin 2004, ku Federata e Hendbollit të Kosovës u bë anëtare EHF-së.

“Jam i lumtur dhe krenar që ju kam bashkangjitur njeriut dhe vizionarit siç ishte Mexhit Devaja, i cili me punën e palodhshme arriti për herë të parë që një Federatë e Kosovës në lojërat ekipore të pranohet në instancat evropiane, padyshim kjo ishte një arritje e jashtëzakonshme”.

Naseri pas pensionimit në futboll ka kryer detyra tejet të rëndësishme, ai ishte drejtor sportiv i KF Gjilanit në stinorin 2005/06, dhe pas shumë vitesh në viti 2017 edhe një here i rikthehet postit të drejtorit sportiv në SC Gjilan për nder të humanistit, biznesmenit e Presidentit të klubit SC Gjilani, Florim Zuka.

Naseri njëherit ishte edhe delegatë në Federatën e futbollit të Kosovës, ndërsa tani është anëtar i Komitetit Ekzekutivë në FFK.

Ish-futbollisti Naser Ajeti ka një porosi për të gjithë ata që ndihmuan sportin në veçanti gjatë viteve 1990-1999.
“Shumë njerëz kanë ndarë kafshatën e bukës për futbollin e Kosovës, ju jemi mirënjohës për jetë e mot, ata ishin krenaria e kombit dhe shtetit të Kosovës”.

Naseri nga modestia nuk deshti ta përmend vllaun e tij, Jeton Ajetin, i cili edhe pse i ri nga mosha i cili kishte vetëm 20 pranvera dha kontribut të jashtëzakonshëm gjerë në vdekjen e tij në vitin 1997 në moshën 28 vjeçare. Jetoni ishte një djalosh që nuk kurseu as një moment, ai gjithçka që pati e dha për të mirën e futbollit, sportit e mirëqenës së popullatës dhe ne i jemi mirënjohës për kontributin që dha Jetoni për njerëzit e shtetit të tij, Republikën e Kosovës.

Naseri sot 49 vjeçar ka një familje të mrekullueshme me 4 fëmijë, ai jeton, vepron e punon për të mirën e futbollit dhe mirëqenës së njerëzve të shtetit të Kosovës.

Të gjithë futbollistëve që dhanë rininë e tyre në fushat e futbollit dhe ne luftën e Kosovës në kohëra më të vështira për ditën e sotme, ju jemi mirënjohës, një gjë të tillë e meriton edhe ish futbollisti e veprimtari Naser Ajeti. /rajonipress/