Mobi Casa

Nasala së shpejti me ujë të pijshëm

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Nasala, fshat jo larg Gjilanit, këto ditë do ta fitojë ujin e pijshëm. Ajo gjer më tani ka pasur si “hall” kyç ujin e pijshëm. Ndonëse Nasala është e njohur me ujin e thartë mineral (natyror), ky ujë nuk ka shërbyer nasalasve aq për larje rrobash e punë të tjera në amvisni. Më tepër këtë ujë e kanë përdorur banorët e këtushëm për shuarjen e etjes së kafshëve dhe të njerëzve.

Nasala ka mjaft ujë mineral. Uji në fjalë (i thartë), është me disa karakteristika të veçanta. Kohës së dimrit është i nxehtë, ndërsa verës është i ftohtë. Ky ujë është shumë i dobishëm për shuarjen e etjes dhe është shërues. Jo vetëm kjo.

Siç dihet, fshati Nasalë shtrihet afër lumit “Moravë e Binçit”. Ky lumë është i mirë, kur shtrati i lumit ka ujë normal, por kur lumi në fjalë vërshon nga të reshurat atmosferike, bën dëme të mëdha në bujqësi, sepse i vërshon mbi 300 hektarë tokë të punuar e luadhe. Bile, kur “Morava e Binçit” vërshon, uji vjen gjer tek muret e shtëpisë së disa qytetarëve në fjalë.

Por, kohës së fundit, Nasala është kthyer me fytyrë kah qytetit. Uji, i cili ju ka munguar për amvisni e për nevoja të tjera, këto ditë të afërme, do të vijë dhe uji do jetë një realitet. Së shpejti Nasala do të furnizohet me ujë të pijshëm. Është kah punohet me të madhe në këtë drejtim nga punëkryesi “Teuta M”.

RCCOLA

Shih për këtë, para dy dite, autori i këtyre radhëve u gjendem në këtë fshat, ku nga afër ka parë Kompaninë “Teuta M”, e cila është duke i kryer punët në rregullimin e gypave të ujësjellësit të këtij fshati. Kjo kompani në fjalë i kishte marrë përsipër në rregullimin e gypave të ujësjellësit të këtij lokaliteti.

Si na informoi Ruzhdi Selimi, banor i këtij fshati, – ujësjellësi do të rregullohet me kohë. “Së shpejti nasalasit do të furnizohen me ujë normal dhe cilësor. Ky ujësjellës është dashur të rregullohet kaherë, por punëkryesi i mëparshëm nuk ka punuar ashtu si do të duhej. Ka instaluar gypa jo cilësorë. Punët janë bërë shkel e shko. Uji ka ardhur në fshat, por jo aq me sasi. Më vonë, ky ujë është ndalë krejt, sepse kanë pëlcitur gypat jo cilësorë. Me një fjalë, na ka munguar tash e dy vjet e më tepër uji normal i pijshëm. Por, ja së shpejti uji do të vijë në fshat. Jemi gëzuar dhe ky gëzim po vërehet tek të gjithë bashkëvendësit e mi të këtij lokaliteti”.

Edhe Milaim Huruglica, punëtor i kompanisë në fjalë tha se, jemi duke u ngutur që ta rregullojmë ujësjellësin sa më parë, sa bën kohë e mirë. “Unë po punoj dhe, këtë punë po e bëj me përkushtim dhe për të mirën e këtij fshati, i cili ka vuajtur gjer tani pa ujë normal të pijshëm. Këta qytetarë të këtij lokaliteti e meritojnë këtë bamirësi që po ua bënë komuna e Gjilanit. Edhe qytetarët e këtij lokaliteti po sillen mirë dhe po na ndihmojnë aty ku po ka nevojë”.

Pra, nasalas, pos ujit, që ju ka munguar, keni edhe pak “probleme” me rrugët nëpër fshat, të cilat po e shëmtojnë këtë vend të bukur. Një ditë prej ditëve, edhe ky problem i juaji do të zgjidhet. Nasala nuk është larg qytetit. Vendlindja, si do që të jetë, ajo është vendlindje. E keni me rend ta ndërtoni edhe objektin shkollor. Ky “problem” është i dikujt tjetër. Do të vijnë ditët kur edhe shkolla do të ndërtohet, vetëm i prini iniciativat e mira. E para, gëzohuni nasalas se ujin do të vijë këto ditë, kur secila familje do të jetë e gëzuar dhe e lumtur. Populli thotë: “Ku ka ujë, ka jetë”! Ju nasalas, nga tash, bëfshi jetë të lumtur e të mirë!/tefik selimi/rajonipress/