Naim Maloku: Ramushi Kryeministër ose shkon në opozitë

Nuk ka mundësi të ketë ridizajnim të marrëveshjes LDK-AAK-NISMA. Ramush Haradinaj më përpara shkon në opozitë se sa e lëshon pozitën e Kryeministrit. Ai nuk e zhgënjen elektoratin e vet sikurse ka bërë Isa Mustafa. Pra, krejt bllokada katërmujore lidhet me akomodimin e Kryetarit të LDK’së. Ish-Nënkryetari i AAK’së, Naim Maloku, flet për Express.
Express: Aktualisht, kemi një situatë ku PDK nuk po lëshon pe prej pozitës së Kryeparlamentarit dhe Blloku po insiston ta ketë këtë pozitë. Sipas jush, cila është zgjidhja e kësaj bllokade?
N. Maloku: Menjëherë pas zgjedhjeve ka qenë e ditur se grupit më të madh parlamentar, në këtë rast PDK’së. Kjo është zgjidhje kushtetuese dhe ka qenë e ditur qysh kur është hartuar Kushtetuta PDK dhe LDK ishin në koalicion dhe atëherë e kanë hartuar kushtetutën duke menduar se secila ka me qenë për veti e para. Pra, Kushtetuta është hartuar sipas synimeve të PDK’së dhe LDK’së. Dihet se nuk është Kushtetua më e mirë dhe në shtete tjera nuk është zgjidhja sikur te ne, mirëpo, me këtë Kushtetutë dihet se pas certifikimit të rezultateve do t’i takojë pozita e Kryetarit të Kuvendit vetëm PDK’së. Pse është kjo bllokadë? Unë mendoj se Blloku ka pasur telashe në fillim kur e kanë nënshkruar marrëveshjen. Në fillim Vetëvendosje pati premtuar votat por jo pjesëmarrjen në Qeveri dhe e kanë pasur të vështirë të formojnë Qeveri me këtë formulë duke mbetur peng të VV’së. Në anën tjetër edhe me heq nga synimi për të marrë Kryeparalemntarin, që në fakt, nuk i takon Bllokut, atëherë po del problemi i akomodimit të Isa Mustafës. Problemi më i madh i tyre lidhet krejtësisht me pozitën e Isa Mustafës.
Express: Mirëpo, dihet se PDK nuk i ka votat në Kuvend për të pasur Kryeparlamentarit?
N. Maloku: Për numrat do të flas, por po e përmendi nenin 127 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të cilin nuk po e kuptojnë mirë anëtarët e Bllokut. Ai nen flet se deputetët duhet të vetëdijesohen dhe ta dijnë se pozita e kryeparlamentarit i takon vetëm grupit të madh parlamentar. E te numrat në Kuvend, as Lista “Srbska” nuk i ka numrat për të votuar Nënkryetarin e Kuvendit. Numrat nuk i ka as nuk kishte me i pas as Grupi Parlamentar i Komuniteteve joserbe. Mirëpo, gjithë këto kalojnë sepse kështu parasheh Kushtetuta. Numrat nuk kishte me i pas as partia e tretë në qoftë se nuk kishte me qenë në koalicion qeverisës. Ne, AAK’ja, për shembull e kemi pasur pozitën e Nënkryetarit të Kuvendit kur kemi qenë në opozitë dhe nuk kemi pasur mundësi t’i kemi numrat.
Express: Deri më tash Blloku e ka dëshmuar se më të rëndësishme e ka pozitën e Kryetarit të Kuvendit se sa largimin e Thaçit nga pushteti?
N. Maloku: Problemi është te Isa Mustafa dhe LDK’ja. Nëse Blloku heq dorë që Isa Mustafa me qenë Kryetar Kuvendi, atëherë ishin rritur zërat brenda LDK’së për t’u prish koalicioni. Sepse pastaj Isa Mustafa kishte me mbet vetëm me një premtim “veresi” që Blloku do t’ia japë votën për President kur t’i skadon mandati Jahjagës. Por, mendimi im është se as deputetët e këtij Blloku nuk e votojnë për President të Shtetit Isa Mustafën. Pra, secili e ka kuptuar se krejt bllokada politike e krijuar në këta katër muaj është te Isa Mustafa dhe LDK’ja që po e mbajnë peng Kosovën.
Express: Disa zyrtarë të LDK’së kanë kërkuar që marrëveshja e koalicionit të Bllokut të ridizajnohet dhe Isa Mustafa të bëhet Kryeministër. Sa është e mundshme një lëvizje e tillë?
N. Maloku: Mendoj se nuk është e mundshme për disa arsye. Deri më tash dy liderë kanë mbetur në Kosovë që nuk e kanë mashtruar elektoratin. Pra, është Hashim Thaçi, i cili nuk ka hequr dorë nga pozita e Kryeministrit i i nomunuar edhe nga PDK’ja gjatë fushatës zgjedhore. Edhe, lideri tjetër që e ka mbajtur fjalën është Ramush Haradinaj,i cili gjatë fushatës ka premtuar se do të bëhet Kryeministër. Ramushi nuk heq dorë nga pozita e Kryeministrit. Ai më përpara shkon në opozitë se sa e zhgënjen elektoratin dhe del para tyre dhe thotë se nuk do të jetë Kryeministër. Kjo e bën të pamundshëm ridizajnimin e marrëveshjes së Bllokut.
Express:Sa keni qenë Nënkryetar i AAK’së keni thënë publikisht se AAK duhet të bëje koalicion me PDK’në. Tash, cili është koalicion duhet të ndodh tash?
N. Maloku: Së pari, duhet ta dini se pozita e AAK’së në kohën kur kam dhënë propozimin ka qenë tjetër. Edhe në ato zgjedhje kemi shkuar me z. Haradinaj të moninuar për Kryeministër, mirëpo, ai ishte në Hagë dhe nuk kishte mundësi që ne ta kemi Ramushin Kryeministër. Kjo ishte arsyeja pse pata insistuar të jemi në koalicion me PDK’në. Arsyeja e dytë, për të cilën kam pasur përkrahjen edhe të një pjese të madhe të AAK’së, ishte se oferta e PDK’së ishte tepër kapitale dhe PDK atëherë i jepte shtatë Ministri dhe pozita tjera qeveritare. Arsyeja e tretë, ishte se AAK fuqizohej dhe faktorizohej edhe pse e kishim liderin në Hagë. Mirëpo, një grup i njerëzve atynë lidershipin e AAK’së u binden jashtë partisë se Thaçi do të kishte probleme me aferën e Martyt dhe që nuk do të mundte të qeveriste gjatë… Në atë kohë pozita e Thaçit ka qenë e tillë që ne do të mund të impononim një marrëveshje që ose si të kthehet Haradinaj nga Haga të bëhej Kryeministër ose që kjo të ndodhte pas këtyre zgjedhjeve.
Express: Cili do të jetë fati i AAK’së nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme?
N. Maloku: Mendoj, zgjidhja e kësaj bllokade nuk ka tjetër zgjidhje përvec zgjedhjeve ose në një qeveri teknike deri në prill të vitit 2016 kur edhe i skadon mandati Presidente që pastaj të futet edhe kjo pozitë në kalkulimet e koalicioneve parazgjedhore ose paszgjedhore. Ose një Qeveri teknike, ku Thaçi, Haradinaj e Mustafa pranojnë të jenë vetëm deputetë për të shkuar në zgjedhjeve në prill të vitit 2016. Ose zgjedhje tash përmes shpërndarjes së Kuvendit. Mendoj se AAK në zgjedhjet e ardhshme duhet të jetë patjetër në një koalicion parazgjedhor. Në krejt këtë bllokadë politike katëmujore është se skena politike kosovare është avancuar sepse më nuk do të kemi parti veç e veç, por do të kemi koalicion e parazgjedhore që është një e mirë e madhe edhe për elektoratin se për cilin bllok do të votojë. Kjo do t’i ndihmojë edhe stabilitetit të institucioneve të ardhshme.