UBT

Naim Maloku: Duhet izoluar Vehabizmin në Kosovë

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Eksperti i sigurisë, Naim Maloku, arrestimet e 40 të dyshuarve se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak përkrahë organizatave të shpallura terroriste si ISIS dhe Al-Nusra, thotë se do të ndihmojnë institucionet gjegjëse të vijnë deri tek e vërteta.

Por, sipas Malokut për sanksionim të pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në konfliktet jashtë territorit legjislatura e kaluar nuk ka arritur të miratojë Projektligjin për Ndalimin e Pjesëmarrjes në Konflikte të Armatosura jashtë vendit, dhe dënimet për shkeljen e këtij ligji, varësisht se për cilën dispozitë bëhet fjalë, parashihen nga 3 deri në 15 vjet burg.

“Po të ishte ligji do të sanksiononte vetëm pjesëmarrjen, pavarësisht krimeve”, thotë Naim Maloku për KosovaPress, duke shtuar se pasi që nuk është miratuar ligji drejtësia ka me pasë mungesë të bazës juridike për t’i dënuar këta persona për pjesëmarrje në konflikte të armatosura jashtë vendit.

Sipas Policisë këta persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer vepra penale nga kapitulli “Veprat Penale Kundër Rendit Kushtetues Dhe Sigurisë Së Republikës Së Kosovës” i Kodit Penal të Kosovës.

Maloku thotë se Kosova ka disa vite që bashkëjeton me sektin Vahabi dhe duhet angazhim që mos të marr përmasa radikale.

ARKATANA

“Kërkohet maturi politike, profesionalizëm dhe ekspertiza të sigurisë, angazhim të institucioneve tjera, bashkësive fetare”, thotë njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku.

Sipas tij me këtë po dëshmohet se Kosova po hyn në një fazë tjetër të zhvillimit në shoqëri.

Derisa është paralajmëruar se aksioni është duke vazhduar, pritet që Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës të dalin në një konferencë të përbashkët për aksionin e sotshëm të Policisë.

Se çështja e ekstremizmit dhe terrorizmit po trajtohet me përparësi të veçantë e kanë thënë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila gjatë ditës është takuar me përfaqësues vendor e ndërkombëtarë për të diskutuar këtë çështje.

Edhe për kryeministrin në detyrë, Hashim Thaçi, “Kosova nuk do të jetë tokë e plleshme për armiqtë e vlerave Euro-Atlantike të Kosovës, të drejtat e njeriut, liritë e plota fetare dhe sistemin kushtetues sekular”.