Uji Dea

Naftëtarët dhe qeveria arrijnë pajtim për arkat fiskale

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Fiskalizimi i pikave të karburanteve është vlerësuar se shumë i shtrenjtë dhe i papërballueshëm për naftëtarët. Prandaj zyrtarë të qeverisë së Kosovës dhe shoqatës së naftëtarëve kanë arritur pajtueshmëri që të hiqet monopoli dhe t’iu mundësohet edhe kompanive tjera të shesin pajisje fiskale. Kjo sipas tyre, pritet të ndikojë në uljen e çmimeve si në vendet e rajonit.

Naftëtarët duket se kanë gjetur zgjidhje për çështjen e ri-fiskalizimit. Pas ankesave të shumta të adresuara që nga muaji janar rreth çmimit shumë të lartë të pajisjes me arka fiskale, ata kishin planifikuar edhe një protestë. Por në një takim të mbajtur të premten e kaluar me ministrin e financave, Besim Beqaj, ata kanë arritur pajtueshmëri për zgjidhjen e këtij problemi.

Kryetari i shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani, tha për radio Kosovën se në këtë takim ata janë pajtuar se çmimi i arkave fiskale është tepër i lartë dhe se duhet të hapet tregu. “Ne u pajtuam që brenda afateve kohore ligjore të bëhet thirrje publike që të licencohen operatorët e rinj të arkave fiskale, që të eliminohet monopoli”.

Sipas Berjanit, çmimi prej 20 mijë eurosh që është ofruar për një pikë karburanti nga Kompania GEKOS ka qenë i papranueshëm dhe i papërballueshëm për naftëtarët. “Çmimi i pranueshëm për ne është sikur në regjion, në Bullgari sillet rreth 4 mijë euro. Ne kemi me e zgjedhë operatorin që është më i miri për këtë vend, që bizneset mos të gjobiten, mos të plaçkiten, por bizneset të stimulohen”.

Mobi Casa

Gëzim Baxhaku, këshilltar i ministrit të financave, Besim Beqaj, thotë se për zgjidhjen e këtij problemi janë pajtuar që të ofrohet mundësia për licencimin e ndonjë kompanie tjetër, në përputhje me afatet ligjore.

“Është arritur marrëveshje që të shqyrtohet konformiteti i solucioneve më specifike për vazhdim të procedurave dhe që brenda një periudhe të sigurohet liberalizimi i tregut sipas ligjeve në fuqi. Duhet pasur parasysh zgjidhjen aktuale ligjore që bën të mundur që të licencohet edhe ndonjë kompani e re e cila do të ofertonte arka fiskale”.

Naftëtarët dhe zyrtarët e qeverisë janë pajtuar që brenda një periudhe kohore Administrata Tatimore e Kosovës të mos shqiptojë gjoba ndaj kompanive për çështjen e ri-fiskalizimit. Ndërkaq në komisionin vlerësues të operatorit të ri do të përfshihet edhe shoqata e naftëtarëve.

Ndryshe, në Kosovë janë rreth 900 pika karburanti, dhe nëse një pikë karburanti arrin të fiskalizohet me rreth 4 mijë euro, atëherë i tërë procesi do të kushtojë rreth 3 milionë e 600 mijë euro.