Uji Dea

Na duhen heronj të gjallë

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Mimoza (Kusari) Lila – Realiteti i rënduar me skenën e paqartë politike dhe situatën me incidente të rrezikimit të sigurisë publike, shqetësojnë secilin qytetar të Republikës së Kosovës. Qofshin lajmet nga caktimi i mbledhjes së ardhshme të Kuvendit të Kosovës, apo ato nga vrasjet dhe lëndimet në kufirin Kosovë- Serbi apo arrestimet e të dyshuarve për lidhje me organizatat terroriste jashtë vendit, japin energji negative dhe humbin shpresën për një fundvit me ndryshime pozitive.

Shto këtu pamjet nga lufta në Ukrainë apo egërsitë të cilat po pushtojnë mediat sociale nga vrasjet në Siri dhe Irak, një e fiton përshtypjen se nuk ka shpresë më.

Megjithatë, ka shpresë! Në këtë vorbull të informative negative më së lehti na shkon mendja se si duhet të ndryshohet bota dhe rrethi, por jo vetvetja. Shkrimtari Tolstoji është shprehur: Të gjithë mendojnë të ndryshojnë botën, por askush nuk mendon ta ndryshojë vetveten.

Bashkësia e sjelljeve individuale, sjell tërësinë e sjelljes kolektive. Prandaj propozoj të shohim se çfarë mund të ndryshojmë tek vetvetja për të besuar se duke bërë më mirë vetë, mund të kemi rreth më të mirë dhe sjellje të mirëfillta edhe të tjerëve.

Çdo ditë kërkojmë individë të cilët e kuptojnë përgjegjësinë publike, të cilët e kuptojnë peshën e punës dhe të angazhimit dhe të cilët për një interes të vetin nuk e sakrifikojnë interesin e përgjithshëm. Çdo ditë kërkojmë individë të cilët e flasin të vërtetën dhe veprojnë drejt. Por, thirrjet tona për drejtësi të vërtetë, a i drejtojmë kah qielli duke shpresuar se dikush i dëgjon, apo ka aksioni konkret për të treguar se veprojmë vetë drejt pastaj kërkojmë nga tjerët.

Apo po kërkoj shumë?

Jam ithtare e mendimit se duhet të jemi ndryshimi të cilin duam ta shohim te të tjerët, por sa kemi forcë për atë ndryshim?

Një mendim tjetër shpreh bindjen se heronjtë janë të vdekur, se nuk ka heronj të gjallë. Ata të cilët janë heronj të mirëfilltë vriten, apo bëhen heronj vetëm pas vdekjes se atëherë nuk mund t’i gjykojmë, mbetet vetëm lavdi për përkushtimin.

FIDANISHTJA

Eh, po jemi në kohën se na duhen e heronjtë e gjallë. Ata janë njerëzit të cilët nuk e zaptojnë pronën publike. Heronjtë e gjallë nuk kërkojnë favore se janë kushërinj të dikujt me emër dhe nuk kërkojnë medalje për punën e tyre menjëherë. Heronjtë e gjallë ndihmojnë, japin shembull me vlera, me punë, besojnë në një të ardhme më të mirë dhe punojnë për të.

Heronjtë e gjallë nuk e kanë Zot partinë dhe as nuk vrasin e vjedhin në emër të zotit të tyre. Në të kundërtën, janë ata të cilët thyejnë rrethin vicioz të favorizimeve dhe arrijnë të tregojnë se mundemi më mirë.

Heronj dhe heroina janë ata të cilët shpërndajnë fjalët e mira dhe besojnë në mirësi, jo ata të fjalëve të liga dhe të gënjeshtrave pa fund.
Ata të cilët mendojnë si të krijojnë punë jo vetëm për vete por edhe për të tjerët.

Heronj janë ata të cilët e ndërtojnë shtetin dhe e forcojnë atë, jo ata të cilët e sakrifikojnë shtetin për pushtetin dhe për interesin e tyre.

A kemi heronj? A kemi të tillë që shohin më larg dhe besojnë atë që flasin, e jo ata të cilët një gjë mendojnë, tjetrën flasin dhe të treten veprojnë.

Koha jonë ka nevojë për heronj të punës dhe të fjalës. Këta heronj potencialisht mund të gjenden në çdo kënd të shoqërisë sonë, prej maternitetit e deri tek Universiteti. A do të nxjerrim heronj të gjallë apo do të jemi vetëm shoqëri e heronjve të vdekur të cilët më nuk arrijmë t’i gjykojmë se nuk frymojnë më.

Ne të cilët frymojmë, nëse bëjmë përpjekje mund të gjejmë heronjtë tonë, vetëm duhet të besojmë dhe hapim mendjen për ndryshime pozitive. Kurrë mos dysho se një grup i vogël i individëve të kujdesshëm dhe të përkushtuar mund ta ndryshojë botën. Në të vërtetë është e vetmja gjë e cila ka ndodhur gjithmonë.

(Autorja është kryetare e Gjakovës dhe zv/presidente e AKR-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)