Myslimanët të jenë më të bashkuar në festat fetare
Institucioni ynë fetar, ka arritur edhe këtë vit, me sukses ta organizoj “Haxhin 2014”, përkundër pengesave të paraqitura nga ana e BIK-ut nga Kosova dhe Këshillave të saj jo legal në Bujanoc e Preshevë, pa përjashtuar pengesat as nga mexhliset e Novi Pazarit. Mirëpo, falë Zotit dhe angazhimit tonë maksimum, kemi arritur me sukses ta organizojmë Haxhin, pa ndonjë ndërhyrje nga qarqe të caktuara.
Bisedë më shkas
Bejtulla Bejtullahu, kryetar i KBI në Bujanoc
Zotëri Bejtullahu, institucioni, të cilin e përfaqësoni, ka shënuar një varg aktivitetesh me rëndësi jo vetëm për jetën fetare në Bujanoc. Ku qëndron suksesi i këtyre veprimtarive?
– Po. Këshilli i Bashkësisë Islame në Bujanoc, vepron në kuadër të Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medevegjë. Në mars të këtij viti e mora besimin e kolegëve për ta udhëhequr KBI-së, ndonëse në moshë isha i ri për të marrë një pozitë kaq të lartë, por nuk e kisha problem meqë disponoja një bagazh nga e kaluara ime si në aspektin fetar, po ashtu edhe në atë kombëtar. Në këtë drejtim, më ndihmonte edhe përvoja ime në shkollë, si profesor i mësimit fetar. Duke i marrë parasysh këto përvoja, pranova përgjegjësinë e drejtimit të KBI-së, aktivitetet e së cilës, treguan një kulturë të lartë të organizimit të manifestimeve në Shtëpinë e Kulturës. Kisha veçuar aktivitetet e sektorit të femrës, pastaj aktivitet gjatë muajit të shenjtë të Ramazani, si dhe ligjëratat e përgatitura me profesorët e mësimit fetarë në RTV “Bujanoci”. Të gjitha këto aktivitete kemi arritur falë punës dhe përkrahjes së anëtarëve të KBI-së, pasi që gëzoj një përkrahje të madhe po thuaj nga të gjithë hoxhallarët e rinj e sidomos nga profesorët e mësimit fetarë.
Si kanë shkuar punët rreth organizimit të Haxhit?
– Institucioni ynë fetar, ka arritur edhe këtë vit, me sukses ta organizoj “Haxhin 2014”, përkundër pengesave të paraqitura nga ana e BIK-ut nga Kosova dhe Këshillave të saj jo legal në Bujanoc e Preshevë, pa përjashtuar pengesat as nga mexhliset e Novi Pazarit. Mirëpo, falë Zotit dhe angazhimit tonë maksimum, kemi arritur me sukses ta organizojmë Haxhin, pa ndonjë ndërhyrje nga qarqe të caktuara.
–
Cili është komenti Juaj lidhur me procesin mësimor fetar nëpër shkolla. Sa jeni të kënaqur me kuadrin arsimor?
– Si kryetar i komisionit pranë BIPMB-së, për pranimin dhe shqyrtimin e kërkesave për profesorët e mësimit fetar në shkolla, jemi munduar që si prioritet numër një t’i kemi ata që janë të pa punësuar, duke u nis nga konkursi dhe ndarja e orëve. Procesi arsimor ka rrjedh shumë mirë me përjashtim te disa mosmarrëveshje të vogla në disa shkolla. Unë në cilësinë e kryetarit të komisionit i falënderoj të gjithë ata profesorë, që ju kanë përgjigjur konkursit dhe kanë qenë të kënaqur me ndarjen e orëve dhe s’më mbetet tjetër vetëm t’u uroj një punë të mbarë e të suksesshme për vitin shkollor 2014-‘15.
–
Jemi në prag të festës së Kurban Bajramit, që në popull njihet si Bjrami i Madh. Si po shkojnë përgatitjet?
– Jemi në prag të Kurban Bajramit, të cilën festë e bëjnë madhështore kryerja e Haxhit dhe therrja e kurbaneve. Lidhur me Haxhin e cekëm më lartë se punët kanë shkuar për mrekulli, po ashtu edhe sa i përket therjes së kurbaneve, Bashkësia Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura. Vazhdimisht jemi në kontakt me Bashkësinë Islame Shqiptare në Zvicër e cila ka shfaqur interesim për therjen e kurbaneve në vendlindje. Gjithashtu, interesime kemi edhe nga Austria dhe shtete të tjera. Qëllimi i BIPMB është që prerja dhe shpërndarja e mishit të Kurbanit të bëhet brena këtyre tri komunave, pasi që kjo popullatë ka nevojë më shumë se kurrë për ndihma. BIPMB-ja rregullisht është e interesuar për ndihmë familjeve me asistencë sociale, pastaj familjet e dëshmorëve si dhe familjet e disa ushtarëve që janë në gjendje të mjerueshme ekonomike.
Në fund, si zakonisht, cili është mesazhi Juaj?
– Për fund, shfrytëzoj rastin në emër të BIPMB-së t’i urojë festën e Kurban Bajramit, gjithë besimtarët e të gjitha trevave shqiptare, gjithashtu uroj që haxhinjtë, të cilët janë në Haxh, të kryejnë haxhin shëndosh e mirë si dhe gjithë atyre që kanë vendos të therin kurbane Allahu ua pranoftë dhe i shpërbleftë me xhenet, si dhe në emrin tim i kërkoj gjithë besimtarëve myslimanë që të jenë më të bashkuar dhe më solidarë, duke shtrirë dorën e vëllazërimit njeri – tjetrit me eselamu aljekum!/jehonapress/ (Bisedën e plotë mund ta ndiqni në numri e ri të revistës “Jehona” e cila së shpejti del nga shtypi).


