Mysafirët synuan një pikë dhe këtë e arritën

Gjilan – Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 100. Gjyqtarë: A. Tahiri, D. Muriqi, V. Kelmendi. Kartoni i verdhë: Kelmendi, Skeli (Dukagjini). Gjilan: Gjilani – Dukagjini 0:0 (0:0).
Gjilani: Ajdini, Uka (Zeqiri), Rexhepi (L. Hasani), Kastrati, Arifi, Hyseni, Bajraliu, Hajdini (D. Hasani), Maliqi, Murseli, Ferati. Trajner: Sallah Sherifi
Dukagjini: Gashi, Bacaliu, Zallaj, Rugova, Palushaj, Kelmendi, Jusufi (Merlaku), Bacaj (Gjonaj), Haliti, Elezaj, Dakaj. Trajner: Tom Zallaj
Futbollistët e Gjilanit në këtë stinor janë duke treguar formë jo stabile të ndeshjeve, duke u treguar vetëm në momente skuadër nga e cila pritet që të jetë ashtu siç pritet nga ta. Futbollistët e Gjilanit sot nuk e patën ditën e tyre, pasi nga shumë raste të mira për shënim nuk arritën të shënojnë.
Deri në minutën e 20, vendasit e kanë pasur lojën në duart e tyre, por që nuk arritën të rrezikojnë seriozisht portën e Dukagjinit. Por ishin mysafirët që të parët kanë rrezikuar përmes Bacaliut, i cili nga 20 metra godet fuqishëm, por drejt në portierin Ajdini.
Rastin e parë të mirë për shënim nga vendasit është parë në minutën e 30, ku Hajdini ka gjuajtur bukur me kokë në drejtim të portës, pas harkimit të Murselit, por topi kalon për disa centimetra pranë portës.
Rasti i fundit për shënim është parë në minutën e 37, ndërsa afër golit për të shënuar ka qenë Ylber Kastrati, i cili ka dhënë një projektil nga afro 25 metra, por ishte portieri Gashi që nuk ka lejuar që të pësojë gol duke hedhur topin mbi portë.
Pjesa e dytë plotësisht është dominuar nga vendasit, por sikur në pjesën e parë më shumë futbollistët vendas mundoheshin me aksione individuale të shënojnë. Në minutën e 70, Arben Zeqiri nga 17-18 ka goditur fuqishëm, por pingulja ka shpëtuar mysafirët. Edhe tre minuta më vonë, Bajraliu ka goditur fuqishëm, por topi kalon pranë aty ku takohen horizontalja dhe vertikalja.
Kur vendasit me të gjitha forcat ishin orientuar në sulm për të shënuar, mysafirët pesë minuta para përfundimit lehtë kanë mundur që të marrin edhe tri pikë të plota, pasi Elezaj i ik një pozicioni jashtë loje, duke dal i vetmuar para Ajdinit, por portieri gjilanas e kupton qëllimin e sulmuesit mysafirë dhe nuk lejon të befasohet duke pritur këtë top.
Thanë pas ndeshjes:
Sallah Sherifi, kryetrajner i Gjilanit: Gjatë tërë ndeshjen ishin skuadër më e mirë dhe patëm disa raste të mira për shënim, por nuk arritëm të shënojmë. Mysafirët kishin ardh me të vetmin qëllim që të mos pësojnë dhe këtë e arritën me një mbrojtje të ngjeshur që zhvilluan gjatë 90 minutave.
Tom Zallaj, kryetrajner i Dukagjinit: Qëllimi ynë në këtë ndeshje ishte që së paku të marrim një pikë dhe këtë e arritëm me plotë meritë. Me këtë pikë të fituar kemi bërë një hap të madh drejt sigurimit të ekzistencës. I uroj vendasit për lojë fer dhe korrekte si dhe për mikpritje./rajonipress/